Kamberi: Brenga e qytetarëve, obligim për mua
Shqiptarët e Bujanocit pas katër viteve kanë një tjetër kryetar. Të dielën shqiptarët e Bujanocit zgjodhën Shaip Kamberin nga Partia për Veprim Demokratik që të udhëheq këtë komunë.Shaip Kambri në një intervistë dhënë gazetës “Zëri”, ka thënë se arsyeja përse dështoi udhëheqësia e kaluar në Bujanoc ka qenë për shkak të premtimeve boshe dhe marramendëse. Sipas tij, kjo ka bërë që PVD të dalë fituese në këto zgjedhje.
Mirëpo, sa i përket koalicionit, Kamberi ka thënë se atë do ta bëjë me të gjitha ato parti të cilat siç deklaroi ai, pranojnë që të bëhen pjesë e qeverisjes për realizimin e objektivave të këtij subjekti politik.
Edhe serbët janë pjesë e kësaj komune, e Kamberi për këtë thotë se Nagip Arifi nuk ka bërë ndonjë gabim që ka qenë në koalicion me serbët, por që sipas tij, gabimi më i madh ka qenë që partitë shqiptare i ka lënë anash dhe ka punuar nën trysninë e ambicieve të partnerëve serb të koalicionit. E sipas tij ai me këtë ka pranuar të jetë pjesë e proceseve dhe vendimeve antishqiptare.
“Problemi më i madh i tij është se, nën trysninë e ambicieve të partnerëve serb të koalicionit, ka pranuar të jetë pjesë e proceseve dhe vendimeve antishqiptare. Ndërkohë që problemi më i madh i tij është se ka përjashtuar shumë shqiptarë nga puna, bile edhe ata që gjykata më parë i kishte kthyer në punë”, ka deklaruar Kamberi për “Zërin”.
Sipas Kamberit, punësimi, respektimi i të drejtave kolektive, përdorimi i zyrtar i gjuhës shqipe, nën-përfaqësimi në institucionet publike, e shumë probleme të tjera të cilat janë brenga më e madhe për qytetarët e Bujanocit, për të do të jenë puna e parë që do të angazhohet.
Zëri: PVD doli fituese në zgjedhjet e të dielës në Bujanoc. Kjo fitore a është meritë e besueshmërisë ndaj jush, apo dështimi i partisë rivale?
Kamberi: Në vazhdimësi në jemi munduar që në Luginë të Preshevës të ndërtojmë një politikë pragmatike, që përmes pjesëmarrjes, të angazhohemi, për të drejtat e shqiptarëve. Nuk jemi marrë me premtime “marramendëse” siç e kanë bërë oponentët tanë, që ka ndikuar të krijojmë një klimë besueshmërie ndaj subjektit tonë. Është fakt që politika që e kanë ndjekur partitë pushtetarë shqiptare, shpeshherë kontradiktore, me premtime boshe, herë herë me kompromise në dëm të interesave të shqiptarëve, ka ndikuar në fitoren tonë në këto zgjedhje.
Zëri: Cilat do të jenë hapat e parë që do t’i ndërmerrni si kryetar i ardhshëm i Bujanocit?
Kamberi: Reforma e administratës, në të cilën do të formojmë departament të veçantë për zhvillim ekonomik lokal, krijimi i zyrës për bashkëpunim me diasporën tonë, përdorimi i mjeteve të buxhetit komunal për nevojat e subvencionimit të bujqësisë, biznesit lokal janë disa nga prioritetet e programit tonë.
Zëri: Me cilën parti preferoni të bëni koalicion?
Kamberi: Me ato subjekte të cilat pranojnë që të bëhen pjesë e qeverisjes për realizimin e objektivave tona, me ato subjekte që ndajnë me ne vlerat e përbashkëta.
Zëri: Paraardhësi i juaj në krye të komunës ka bërë koalicion me partitë serbe. Ju a do ta bëni të njëjtin gabim, apo partitë serbe janë të pakalueshme në këtë proces?
Kamberi: Nuk është gabimi më i madh i kryetarit aktual fakti që ka bërë koalicion me partitë serbe, sepse serbët janë pjesë e komunës së Bujanocit, por fakti se ai ka bashkuar të gjitha partitë dhe grupacionet politike serbe në koalicion, duke lënë anash gati gjysmën e këshilltarëve shqiptarë. Problemi më i madh i tij është se, nën trysninë e ambicieve të partnerëve serb të koalicionit, ka pranuar të jetë pjesë e proceseve dhe vendimeve antishqiptare. Ndërkohë që problemi më i madh i tij është se ka përjashtuar shumë shqiptarë nga puna, bile edhe ata që gjykata më parë i kishte kthyer në punë.
Zëri: Për çfarë kanë nevojë më së shumti shqiptarët e Bujanocit?
Kamberi: Punësimi është brenga më e madhe në këto momente, por, nuk duhet lënë anash as shumë çështje tjera të respektimit të të drejtave kolektive. Nën-përfaqësimi në institucionet publike, përdorimi zyrtar i gjuhës dhe shkrimit shqip, çështjet e arsimit-furnizimi me tekste shkollore p.sh, janë vetëm disa nga brengat e shqiptarëve në këtë komunë.
Zëri: Si kryetar i Bujanocit, a do të mundoheni të krijoni kushte për kthimin e të zhvendosurve. A keni koncept politik për këtë?
Kamberi: Kjo është një çështje po ashtu e rëndë në këtë komunë. Komuna me fondet e veta do ta ndihmojë kthimin, duke ndërtuar rrugën për fshatrat e Malësisë së Bujanocit, bile, ashtu siç kemi premtuar në fushatë pa pjesëmarrjen e qytetarëve, do të rregullojmë ndihma sociale për banorët skamnorë, por, edhe do të ndihmojmë secilin që pretendon të nise projekte bujqësore apo ndonjë biznes në atë zonë.
Zëri: Në mandatin e kaluar, Lugina i ka pasur dy deputetë në Parlamentin e Serbisë. Tanimë ka mbetur vetëm një. Sa do të dëgjohet zëri i shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë?
Kamberi: Numri i deputetëve në organin përfaqësues tregon fuqinë politike të një pakice, ndërkohë që për tu dëgjuar zëri i shqiptarëve në atë institucion, një deputet aktiv është mundësi e mirë. Besoj se kandidati jonë ka gjitha predispozitat që ta përmbushë misionin tonë./Titulli.com/