KKSH shënon 4 vjetorin e themelimit, marrin pjesë figura të larta nga jeta politike dhe institucionale (foto)
Lokale

KKSH shënon 4 vjetorin e themelimit, marrin pjesë figura të larta nga jeta politike dhe institucionale (foto)

25.Jun.2014 19:13
0

Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH) me seli në Bujanoc sot ka shënuar katër vjetorin e themelimit dhe prezantimit të punës gjatë kësaj periudhe.

Shënimi i këtij jubilari filloi me pritjen e mysafirëve në selinë e KKSH-së në Bujanoc, për të vazhduar më pas me ekspozitën me fotografi dhe piktura si dhe akademinë solemne kushtuar themelimit të këtij organi që ka për obligim angazhimin në drejtim të realizimit të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Në sallën e mbushur me mysafirë, kryetari i KKSH-së Galip Beqiri elaboroi rreth punës dhe të arriturave të këtij institucioni duke theksuar se shqiptarët ishin pakica e fundit që ka themeluar këtë organ, duke pas parasysh që pakicat tjera në Serbi më herë kishin formuar Këshillat e tyre kombëtare.

Ai me këtë rast falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje, përderisa theksoi se KKSH do të vazhdojë me sukseset e mëtutjeshme. Beqiri tha se për formimin e KKSH-së në fillim ishin pajtuar të gjitha subjektet politike, disa prej të cilave më pas ishin tërhequr.

“Për të themeluar këtë Këshillë kontribut të rëndësishëm dhe të veçantë dhanë OSBE, ambasadat e huaja të akredituara në Beograd, ambasada e Shqipërisë, NDI, Trupi Koordinues, si dhe në atë kohë Ministria e Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut”, theksoi Beqiri, i cili me këtë rast falënderoi edhe Këshillin Kombëtar të pakicës hungareze dhe boshnjake në Serbi, me konsultimet që kanë pasur kanë arrit që brenda një afati të shkurt të bëhet konstituimi i këtij organi me seli në Bujanoc, raporton Titulli.

Kryetari i KKSH-së duke folur për moszbatimin e dygjuhësisë në institucionet shtetërore theksoi se ai sot nuk po zbatohet edhe në organet lokale. Mëtej shtoi se në organizimin e sotëm ishin të ftuar të gjithë liderët e subjekteve politike e institucionale, mirëpo të njëjtin nuk morën pjesë në këtë jubilar.

“Sot janë të ftuar në këtë manifestim të gjithë liderët politikë të Luginës së Preshevës, të gjithë udhëheqësit edhe të pushtetit lokal në Preshevë, Bujanoc dhe të Medvegjë, por për çudi edhe përkundër premtimeve se do të jenë sot prezent, po shihet se se mbajnë fjalën, ose nuk guxojnë ta mbajnë fjalën. Megjithatë, kjo le të jetë një kritikë ndaj atyre personave që deklarohen që do të jenë prezent sot dhe nuk vijnë, sikurse kanë marrë urdhra prej liderëve të tyre që mos të jenë prezentë”, tha kryetari i KKSH-së Galip Beqiri.

Për dallim nga mospjesëmarrja e liderëve shqiptar, përvjetorin e katërt të Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës e nderuan me pjesëmarrje figura të larta nga jeta politike dhe institucionale vendore, kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në akademi morën pjesë shefi i OSBE-së në Serbi- Peter Burkhard, kryetari i trupit Koordinues-Zoran Stankoviq, përfaqësuesin e ambasadës së Shqipërisë në Beograd-Ernal Filo, të zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd-Valdet Sadiku, akademiku dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë –Nexhat Daci, përfaqësuesit e pakicave kombëtare nga Subotica, profesorë nga Universiteti i Prishtinës, ai i Shkupit si dhe deputetët shqiptarë Riza Halimi e Shaip Kamberi dhe mysafirë të tjerë.

“Të nderuar miq ju përgëzoj për këtë përvjetor në emër të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Është kënaqësi që jemi këtu me ju. E kemi vlerësuar gjithmonë punën e Këshillit Kombëtar Shqiptar, kemi mbajtur kontakte të vazhdueshme, kemi arritur suksese, sidomos me abetaren ka qenë një punë e gjatë por e suksesshme”, u shprehë përfaqësuesi i ambasadës së Shqipërisë Ernal Filo duke i dëshiruar udhëheqësisë së këtij organi punë të suksesshme në misionin fisnik për promovimin e vlerave dhe kulturës shqiptare.

“Në emër të Qeverisë së Serbisë dhe Trupit Koordinues e urojmë Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve për punën e deritanishme. Shpresojë që në periudhën që vije këto rezultate të rriten për së paku 50 për qind”, tha kryetari i Trupit Koordinues Zoran Stankoviq.

Për dallim nga kryetari i TK-së, akademiku Nexhat Daci theksoi se nuk është i kënaqur vetëm me 50 për qind të rritjes së rezultateve të KKSH-së, por trefishimin e tyre.

“Unë shpresojë që Këshilli Kombëtar në Luginë në kontekst të asaj, të kompleksit nacional dhe politik në Ballkan shqiptar, do t’i ndjek me përkushtim, tani edhe më shumë, të arriturat e Evropës për komunitetet. Në të njëjtën mënyrë shpresojë që edhe Qeveria e Serbisë në Beograd do të mësojë nga Qeveria e Kosovës në Prishtinë se si krijohen urat dhe të gjitha ato të drejta që i ka Evropa, e Serbët në Kosovë i gëzojmë, ndërsa kjo neve na bënë të lumtur. Prandaj, në katër vitet e ardhshme i dëshirojë jo 50 për qind por trefishimin e rezultateve Këshillit Nacional dhe një unitet më të madh”, u shpreh akademiku Nexhat Daci.

Ai matej theksoi se “është kënaqësi e rrallë që korpusi edhe nacional edhe politikë shqiptar është i orientuar për integrime euroatlantike, kënaqësi e veçantë është që këtu janë të pranishme dy ambasadat e këtij korpusi”.

“Unë në fillim Shqipërisë dhe ambasadës i urojë të gjitha sukseset e mundshme që të jetë lokomotivë për tërë korpusin shqiptar në Ballkan, besojë se Kosova do t’i bashkëngjitet shumë shpejt”, përfundoi Daci.

Nga ana tjetër edhe ambasadori i OSBE-së në Serbi-Peter Burkhard drejtoi urimet e tij të sinqerta për këtë vit jubilar.

“Përgëzoj KKSH-në për këtë përvjetor. Ne si mision në Serbi e posaçërisht si zyre e OSBE-së në Bujanoc kemi përkrahur formimin dhe punën e Këshillit Kombëtar që nga fillimi. I urojmë Këshillit Kombëtar suksese në të ardhmen. Do ta kisha shfrytëzu rastin që t’i bëjë ftesë popullatës shqiptare që të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme për Këshill Kombëtar”, u shpreh ambasadori Burkhard.

KKSH me këtë rast ka bërë edhe ndarjen e mirënjohjeve për media, institucione të ndryshme vendore e ndërkombëtare si dhe për përfaqësitë e Kosovës dhe Shqipërisë në Beograd.

Në manifestimin kushtuar 4 vjetorit të themelimit të Këshillit Kombëtar Shqiptar në sallën e shtëpisë së kulturës, nga grupi kulturor-artistik “Jehona” u shfaqën disa valle, ndërsa për mysafirët u shtrua edhe një koktej në restorant “Rozafa” në Bujanoc.

KKSH është institucion i bazuar në konventat kornizë të Këshillit të Evropës për angazhimin e të drejtave kolektive të pakicave kombëtare në të cilën parashihen kompetenca në lëmin e arsimit, kulturës, informimit, përdorimit zyrtar të gjuhës dhe simboleve kombëtare.

Misioni i KKSH-së është promovimi dhe avancimi i identitetit kombëtar, krijimin e parakushteve për përzgjedhjen e problemeve të shqiptarëve përmes partneritetit me të gjitha institucionet ndërkombëtare, vendore dhe kombëtare me pjesëmarrjen e gjerë të shqiptarëve./Titulli.com/

 

Progresi Evropian ndan 24 milion euro për komunat e pazhvilluara në Serbi, përfiton edhe Lugina (foto)
Bisedat Informative na kujtojnë periudhën e Millosheviqit në Luginë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration