Lokale
KKSH: Edhe këtë vit të pranohen të gjithë aplikuesit nga Lugina
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), Galip Beqiri ka realizuar disa takime në Tiranë me Rektorin e Universitetit Shtetëror të Tiranës , me Dekanin e Fakultetit të Mjekësisë së Përgjithshme, me Dekanin e Fakultetit të Farmacisë ku është interesuar më për së afërmi me problemet e ndryshme në lëmin e arsimit, me theks të veçantë , për problemet rreth pranimit të studentëve nga Lugina në fakultetin e Mjekësisë së përgjithshme si dhe në Fakultetin e Farmacisë.
Bajram HYSA, dekan i Fakultetit të Mjekësisë së Përgjithshme ka thënë se nga Lugina e Preshevës kanë aplikuar një numër i madh i të rinjve, por komisioni ka bërë përzgjedhjen e shtatëmbëdhjetë aplikuesve dhe se të gjithë të përzgjedhurit janë me rezultate të njëjta, gjë e cila e ka vështirësuar punën e komisionit .
Sipas tij kuota e lejuar nga Ministria për në Fakultetin e Mjekësisë së Përgjithshme nga Lugina e Preshevës është për pesë student.
“Tani mbeten dy mundësi, njëra është që aplikuesit nga Lugina e Preshevës, të futen në garë mes vete dhe më pas komisioni ti përzgjedhë pesë më të mirët dhe mundësia tjetër të ndikohet tek Institucionet më të larta të shtetit dhe të pranohen të gjithë studentët me sukses të ngjashëm”, ka thënë dekani Bajram HYSA.
Ndërsa në fakultetin e Farmacisë situata është pak më ndryshe, aty kanë aplikuar katërmbëdhjetë nxënës nga Lugina dhe komisioni ka bërë përzgjedhjen e pesë më të mirëve.
Këshilli Kombëtar Shqiptar ka kërkuar nga kryeministri i Republikës së Shqipërisë Edi Rama, që edhe këtë vit të pranohen të gjithë aplikuesit me rezultate të njëjta në Fakultetin e Mjekësisë së Përgjithshme, ndërsa, në Fakultetin e Farmacisë të plotësohen kuotat e parealizuara, thuhet në kumtesën e KKSH-së./Titulli.com/
________________________________________________________________________________________________________
http://youtu.be/yfahOrUZOB0
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!