Kiçmari: Kosova dhe Shqipëria duhet të investojnë më shumë në Luginë
Intervista

Kiçmari: Kosova dhe Shqipëria duhet të investojnë më shumë në Luginë

22.Apr.2014 10:44
0

“Në takimet me bashkatdhetarë në Melbourne kam takuar 70-vjeçarë të lindur në Australi. Madje, disa prej tyre mjaft aktivë në organizimet e komunitetit shqiptar atje. Hiç larg numrit të qytetarëve nga Shqipëria nuk janë edhe ata nga viset shqiptare në Maqedoni. Mundësitë integrative në Australi janë më të mëdha se në Evropë. Australia është ndërtuar si vend dhe si shtet nga të ardhurit. Këtu nuk ka fare hipoteka për prejardhjen dhe as për gjuhën, përkatësinë etnike, religjioze, apo racore të tjetrit. Kjo krijon mundësi për ata të rinj e të moshuar që janë të shkathët për të depërtuar në kuadër të sistemit. Kam takuar p.sh. gjykatës të suksesshëm shqiptarë, ose më kanë folur për një kryetar që i fiton zgjedhjet, i ka disa mandate etj.”

Gjatë detyrës sime në Vjenë ne kemi nënshkruar 10 marrëveshje ndërshtetërore bashkëpunimi. Shkalla e investimeve austriake ka qenë ndër më të lartat nga vendet e BE-së, shumë nga diplomatët austriakë kanë qenë dhe janë ende të implikuar drejtpërdrejt në zhvillimet në Kosovë, i njohin dhe i vlerësojnë ato. Australia po ashtu e ndjek një linjë mbështetëse për Kosovën. Detyra ime në Australi është ta intensifikojmë bashkëpunimin.

Zoti ambasador, ju falënderojmë që ndatë kohë për këtë intervistë. I kemi lexuar disa intervista që i keni dhënë, do të mundohemi kësaj here të marrim përgjigje për diçka që nuk ua ke thënë medieve të tjera. Ishit ambasador i Republikës së Kosovës në Austri, e tash jeni në Australi. Ju duket se jeni shumë larg Kosovës?

Më lejoni, fillimisht, t’ju falënderoj për intervistën. E kam kryer me shumë dëshirë detyrën e ambasadorit të parë të Republikës së Kosovës në Austri. E ndiej veten të nderuar ta përfaqësoj Republikën e Kosovës edhe në vendin më të largët - Australi. Jam shumë larg Kosovës vetëm gjeografikisht. Me mendje dhe me zemër jam çdo ditë në Kosovë: i përcjell zhvillimet atje, komunikoj në baza ditore me Kosovën dhe e përfaqësoj Kosovën.

Si e gjetët komunitetin shqiptar në Australinë e largët?

Komunitetin shqiptar në Australi e gjeta të organizuar në mënyrë solide. Këtu i kanë dy nivele organizimi: shoqatat e veçanta kulturore dhe komuniteti shqiptar në nivel qytetesh. Pastaj i kanë ekipet e futbollit mjaft të suksesshme. Bëjnë organizime të mira: manifestime për nder të 28 Nëntorit, 17 Shkurtit me formë dhë përmbajtje kombëtare. Organizimet këtu kanë natyrë shumë familjare dhe njerëzit janë tejet të dashur. E kanë një hall që e preokupon shumicën e tyre: droja nga asimilimi. Ambienti integrativ në Australi është në nivel shumë të lartë dhe kjo u krijon shanse të mira për jetesë, por edhe rreziqe nga asimilimi.

A keni qenë më parë në Australi?

Jo. Për herë të parë kam ardhur në mision diplomatik. Paraprakisht kam bashkëpunuar intensivisht me ambasadorët e Australisë në Vjenë, të cilët kanë qenë të akredituar edhe për Kosovën si ambasadorë jorezidentë. Miqësia intensive me ta më ka bërë që ta njoh nga afër Australinë, para se të vija këtu.

Sa është numri i shqiptarëve në përgjithësi në këtë shtet?

Nuk ka një shifër të përafërt. Nga statistikat e entit të statistikave mund të supozojmë për një numër prej afro 30 000 vetave.

Po nga Kosova?

Nga Kosova mund të jenë rreth 5 000 veta.

Flitet se në Australi ka shqiptarë më shumë me prejardhje nga Shqipëria se nga trevat tjera shqiptare?

Nga Shqipëria ka pasur ardhje që nga shekulli XIX. Në takimet me bashkatdhetarë në Melbourne kam takuar 70-vjeçarë të lindur në Australi. Madje, disa prej tyre mjaft aktivë në organizimet e komunitetit shqiptar në Melbourne. Hiç larg numrit të qytetarëve nga Shqipëria nuk janë edhe ata nga viset shqiptare në Maqedoni. Ata e përbëjnë një komunitet po ashtu shumë të madh dhe mjaft aktiv, sidomos në Melbourne.

Mërgimtarët, kudo që ishin, siç dihet, kanë kontribuar për atdheun e tyre. A mund të na thoni, cilat janë kërkesat e mërgimtarëve nga Kosova për Kosovën?

Liria dhe pavarësia e Kosovës nuk do të mund të realizoheshin pa ndihmën e bashkatdhetarëve tanë. Ata e kanë një meritë të veçantë në mbështetjen politike, sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar, në mbështetjen financiare, e edhe në mbështetjen fizike. Nuk është i vogël numri i bashkatdhetarëve që e kanë lënë rehatinë e tyre familjare, janë nisur në luftë për liri. Disa prej tyre kanë rënë për liri dhe sot janë heronj të kombit, të tjerë janë kthyer sërish në mërgim dhe e vazhdojnë jetën e tyre normale. Mërgimtarët tanë, nga të gjitha viset shqiptare, frymojnë me Shqipërinë dhe Kosovën. Kur ka ngjarje dramatike shqetësohen, kur ka gëzime u gëzohen atyre. Pra, bashkëjetojnë me ngjarjet atje. Ata kanë kërkesë për një nivel më të lartë zhvillimi ekonomik, prosperiteti shoqëror dhe zhvillim të gjithëmbarshëm. Këtu në Australi ata vërshuan me kërkesa për libra shqip dhe abetare. Kam shpërndarë shumë libra dhe abetare në të gjitha viset e Australisë dhe do ta bëj këtë gjë edhe në të ardhmen.

Sigurisht se keni pasur takime me personalitete të ndryshme australiane. Sa janë të interesuar për gjendjen në Kosovë?

Australia është një aktor i rëndësishëm i politikës ndërkombëtare. Ajo ndjek një politikë të jashtme proaktive. Vetëm dy ditë pas shpalljes së pavarësisë e kanë pranuar Republikën e Kosovës. Në rastin e Kosovës ata janë aktivë në kuadër të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. E kanë një qëndrim shumë dashamirës dhe mbështetës. Një gjë e tillë më është konfirmuar edhe nga guvernatorja e përgjithshme Bruce, edhe nga kryeministri Abbott, si edhe nga ministrja e Jashtme, Bishop.

Me rastin e gjashtëvjetorit të ditëlindjes së Kosovës, e në praninë tuaj dhe udhëheqjes së komunitetit shqiptar në Melbournë, është ngritur për herë të parë në mënyrë solemne, në sheshin kryesor të Melbournit – ‘Federation Square’, flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës. Cilat ishin emocionet Tuaja?

Ishte një ndjenjë shumë e mirë të shihje tek ngritej flamuri i shtetit të Kosovës në njërin nga metropolet më të larta të globit. Sigurisht isha edhe krenar për një gjë të tillë. ‘Sheshi i Federatës’ është sheshi më i madh dhe më i frekuentuar në Melbourne. Mijëra qytetarë gjatë ditës kalojnë nëpër të. Ata kishin mundësi ta shihnin tek valonte simboli i shtetit më të ri të Evropës. Erdhën edhe shumë bashkatdhetarë për ta përjetuar këtë moment, ani që ishte mëngjesi i një dite pune dhe një fillimi jave.

Në ceremoninë festive të pavarësisë së Kosovës që e keni organizuar ditë më parë kanë marrë pjesë përfaqësues nga Zyra e Guvernatores së Përgjithshme të Australisë, zyrtarë të lartë nga Qeveria e Australisë, ambasadorë dhe komisionarë të lartë të vendeve të ndryshme të akredituar në Australi, përfaqësues të institucioneve kulturore dhe arsimore të Australisë dhe një numër i përfaqësuesve të shoqatave të bashkatdhetarëve tanë nga qytetet e ndryshme të Australisë. Të pranishëm në këtë përvjetor ishte edhe një numër i ambasadorëve të shteteve të ndryshme, të cilat akoma nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Na thoni, z. ambasador, a ka gjasa që shtetet nga vijnë këta ambasadorë, e që ishin mysafirë në Ambasadën e Kosovës, që ta njohin Kosovën së shpejti?

Në politikën e jashtme të shteteve dhe në rrafshin protokollar veprimet kanë edhe një bazë simbolike. Ardhja në një pritje është mesazh! Disa nga ambasadorët që morën pjesë më përcollën, edhe gjatë bisedave me ta, mesazhin se vendi i tyre po e shqyrton vendimin për njohje. Gjasat janë reale që disa nga shtetet do ta bëjnë këtë gjë në një të ardhme të afërt.

ambasadorin e Kosovës në Australi, prof. dr. Sabri Kiçmari 1

Jeni takuar edhe me kryeministrin e Australisë, Tony Abbott. Cila ishte agjenda e këtij takimi?

Kryeministrin Abott e kam takuar më 26 janar 2014. E informova për zhvillimet në Kosovë, për hapjen e Ambasadës në Canberra dhe për interesimin tonë për t’i thelluar marrëdhëniet ndërshtetërore. Kryeministri Abbott më konfirmoi se ai dhe Qeveria që ai drejton do ta mbështetin Republikën e Kosovës dhe janë të interesuar t’i thellojmë marrëdhëniet dypalëshe.

Diaspora shqiptare sigurisht se meriton përkrahje më të madhe nga shteti i Kosovës edhe në drejtim të shkollës plotësuese shqipe. Si është shkolla plotësuese shqipe në Australi?

Duhet bërë më shumë për shkollën shqipe në Australi. Ambienti institucional këtu është mjaft i avancuar, por ka nevojë për më shumë organizim, në mënyrë që të gjithë fëmijët të shkojnë në shkollën shqipe. Ka një vetorganizim vullnetar për shkollën shqipe në Melbourne, por ajo që ne duhet bërë është që t’i shfrytëzojmë mundësitë institucionale australiane, të cilat janë mjaft të avancuara në lidhje me shkollën shqipe këtu.

Nxënësve shqiptarë në Australi ua keni shpërndarë edhe abetaren dhe libra të tjerë shkollorë në gjuhën shqipe. Si e pritën këtë?

U befasova për mirë. Ishin shumë të interesuar për ta marrë abetaren. Fëmijët duan ta mësojnë gjuhën shqipe. Duhet të shtohet kujdesi i prindërve për këtë gjë. Na nevojitet më shumë informim dhe senzibilizim i prindërve.

Në cilën pjesë të Australisë komuniteti ynë është më i organizuar?

Komuniteti në Melbourne është në numër më të madh dhe ka një shkallë më të lartë organizimi. Atje ka organizim në nivel komuniteti shqiptar, klubi futbollistik ‘Prishtina’, që bën pjesë në Ligën e Parë të shtetit të Viktorias, një numër shoqatash kulturore, mbahet festival gjithëkombëtar çdo vit etj. Në Sydney po ashtu bëhet një punë e mirë, por ka kapacitete për të pasur një organizim edhe më në nivel, por edhe në qytetet e tjera.

Për çka kishte nevojë emergjente Diaspora shqiptare e Australisë nga shtetet tona, Shqipëria dhe Kosova?

Për libra, për mbështetje në rrafshin kulturor e arsimor, për komunikim me ta dhe njohje për punën e tyre. Janë modestë, nuk kanë shumë kërkesa. Ne po punojmë që t’i hapim edhe shërbimet konsullore. Madje konsulli i Shqipërisë do të vendoset në Ambasadën tonë: do ta kemi një përfaqësi të përbashkët për t’i plotësuar nevojat e bashkatdhetarëve tanë. Sigurisht se kjo gjë do të mirëpritet nga bashkatdhetarët tanë.

Zoti ambasador, meqë Australia është shumë larg Kosovës, e ju ishit ambasador edhe në Austri, a mund të na bëni një krahasim ndërmjet Diasporës shqiptare në Australi dhe asaj në Austri?

Po, ka disa dallime esenciale. Në Australi, ndryshe nga Austria, për nga numri dominojnë shqiptarët nga Shqipëria dhe Maqedonia. Sistemi i organizimit këtu ka natyrë më familjare. Përderisa në Austri ka pasur edhe një nivel organizimi partiak, pothuajse të gjitha partitë politike i kanë pasur degët e tyre, këtu në Australi nuk ekzistojnë fare ato, as edhe për formë. E përbashkët në të dyja shtetet, të cilën gjë e çmoj shumë personalisht, është fakti se organizimi si në Austri, ashtu edhe në Australi, ka natyrë kombëtare tejregjionale. Momentet më të shpeshta që i mbledhin bashkatdhetarët tanë nga të gjitha trevat shqiptare janë Dita e Flamurit Kombëtar dhe Dita e Pavarësisë së Kosovës. Dhe, në këto dy ditë, bashkatdhetarët tanë në Australi, njësoj si ata në Austri, mblidhen të gjithë së bashku nga Shqipëria, nga Kosova, nga viset shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi, nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja. Festojnë, këndojnë, vallëzojnë dhe recitojnë së bashku. Në këto manifestime unë e ndiej veten shumë afër Kosovës, Shqipërisë dhe viseve tjera shqiptare.

Si e le Diasporën shqiptare në Austri?

Për më shumë se pesë vjet të shërbimit tim në Austri unë kam pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me të gjitha subjektet e organizuara të bashkatdhetarëve tanë. E kam lënë me një nivel solid organizimi në formë shoqatash, me një këshill koordinues të të gjitha shoqatave, me një ekip futbolli shumë të suksesshëm me emrin simbolik “Albania”, me një ligë shqiptare të futbollit të konsoliduar, më një ofertë vjetore për ta nga Ambasada nëpërmjet një jave kulture etj. Të gjitha këto nuk ishin në këtë nivel para se të shkoja.

Cili është bashkëpunimi juaj me ambasadorin e Shqipërisë në këtë shtet? 

Në Austri kam bashkëpunuar në mënyrë të shkëlqyeshme me ambasadorët e Shqipërisë, Valter Ibrahimin, Gilbert Galanxhin, Vili Minarollin dhe Spiro Koçin. Bashkëpunimi ynë me të katër kolegët e mi të respektuar nëpër kohë i ka kaluar kufijtë vetëm zyrtarë. Ne kemi pasur edhe një raport të shkëlqyeshëm personal dhe e ndiej veten shumë të nderuar që e kam pasur rastin të bashkëpunoj me ta. E njëjta gjë vlen me diplomatët shqiptarë nga Maqedonia dhe nga Mali i Zi. Këtu në Australi do ta bëjmë një hap tjetër edhe më të avancuar. Meqë Republika e Shqipërisë nuk ka ambasadë, MPJ e Shqipërisë do ta dërgojë një konsull në Ambasadën e Republikës së Kosovës dhe ai do të akomodohet në ambientet tona. E quaj për nder të jem shefi i parë i misionit diplomatik, në të cilin do të ketë këtë nivel bashkëpunimi me diplomacinë e Shqipërisë. Diplomati shqiptar është shumë i mirëseardhur.

Keni pas rast të takoheni me ndonjë student shqiptar në Australi? 

Kam takuar një numër studentësh në Australi. I gëzohem shumë faktit se një numër i studentëve tanë po zhvillohen intelektualisht në këtë vend me nivel kaq solid edukimi. Shpresoj se disa prej tyre do të kthehen në atdhe dhe t’i ndihmojnë proceset shoqërore atje.

A është e integruar rinia jonë në shoqërinë australiane, fjala bie, sikur në Evropë?

Mundësitë integrative në Australi janë më të larta se në Evropë. Australia është ndërtuar si vend dhe si shtet nga të ardhurit. Këtu nuk ka fare hipoteka për prejardhjen dhe as për gjuhën, përkatësinë etnike, religjioze ose racore të tjetrit. Kjo krijon mundësi për ata të rinj e të moshuar që janë të shkathët për të depërtuar në kuadër të sistemit. Kam takuar p.sh. gjykatës të suksesshëm shqiptarë, ose më kanë folur për një kryetar që i fiton zgjedhjet i ka disa mandate etj. Në mënyrë të veçantë, Australia është atraktive për të rinjtë, meqë konsiderohet vend i mundësive dhe shanseve të barabarta. Madje, shumë analistë e konsiderojnë si vendin më egalitarist në botë.

Si mund të bëhet më e afërt Kosova për mërgimtarët tanë që jetojnë në Australinë e largët?

Duhet bërë oferta më konkrete për bashkatdhetarët tanë. Ta zëmë, ofertë për t’i përcjellë programet tona televizive. Po punojmë që në kuadër të programeve të televizionit shtetëror australian SBS ta integrojmë një orë program nga RTK-ja. Pastaj duhet të ketë prani më të madhe të institucioneve tona kulturore këtu: një koncert me artistë nga Kosova, hapjen e një qendre, hapjen e bibliotekave në gjuhën shqipe etj.

Pritet ndonjë vizitë e rëndësishme e Qeverisë australiane drejt Kosovës?

Po punojmë në këtë drejtim së bashku me ambasadorin e Australisë në Vjenë, i cili është akredituar për Kosovën. Do të takohemi me ambasadorin Stuart dhe do t’i koordinojmë veprimet në javët e ardhshme, kur ai do të qëndrojë në Canberra. Personalisht jam i angazhuar edhe për një vizitë të kryeministrit në Australi.

Si është gjendja e mediave shqiptare në këtë shtet?

Ka disa medie lokale, të cilat e përcjellin punën e komunitetit shqiptar nëpër qytete, por ajo që përcillet më së shumti është programi shqip i Radios SBS, e cila e ka një strukturë informacioni shumë të mirë dhe përcillet nga një pjesë e mirë e bashkatdhetarëve tanë. Përpos informacioneve nga Australia, Radio SBS i ka tre korrespondentë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, të cilët informojnë në baza të rregullta për zhvillimet atje.

Sa ishit në Austri, kur dihet se Vjena është qendra e shumë selive të organizatave të ndryshme të botës, gjatë takimeve që mund të keni pasur si ambasador, çfarë mendimi kanë diplomatët e huaj për Kosovën?

Diplomatët e njohin Kosovën si subjekt shoqëror dhe shtetëror. Shumica e tyre e njohin historinë e saj, i kanë përcjellë zhvillimet historike të kohës sonë dhe e respektojnë shtetin dhe qytetarët e Kosovës. Madje, shumë prej tyre solidarizohen me qytetarët e Kosovës dhe nënvizojnë bashkëdhimbjen që kanë ndarë me ta gjatë luftës. Kjo e lehtëson shumë punën tonë si diplomatë. Më ka rënë të takoj shumë diplomatë të vendeve që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Kam shumë miq, edhe nga ato vende dhe mund t’ju konfirmoj se shumica e tyre, po ashtu, janë të vetëdijshëm se Republika e Kosovës është një fakt historik dhe se vendi i tyre në një moment të caktuar do ta njohë Republikën e Kosovës. Por, ka edhe një grup fare i vogël i diplomatëve, të cilët ende kanë paragjykime për Kosovën. Me ta jam munduar të jem i kujdesshëm dhe, në secilin rast që më është dhënë mundësia, u kam shpjeguar me shumë durim se paragjykimet e tyre nuk qëndrojnë.

Sa është e vështirë puna e një ambasadori?

Puna e një ambasadori nuk është e lehtë. Së pari nga vetë natyra e profesionit: vetë fakti që ju vendoseni në një ambient të huaj shoqëror dhe keni për detyrë t’i përfaqësoni interesat e shtetit tuaj në një shtet tjetër bart me vete vështirësi. Së dyti, sistemi i mandateve të precizuara kohore katërvjeçare dhe akomodimi edhe i familjes shkaktojnë vështirësi serioze deri në ambientimin e të gjithë anëtarëve të familjes (në vendbanim, shkolla, universitete). Së treti, është e domosdoshmë të jeni kreativ: të imponoheni në ambientin diplomatik, pa u dukur se po synoni të imponoheni. Ky është një art në vete. Shumë kolegë nga vendet e ndryshme dështojnë në këtë dimension: duke u munduar të imponojnë, me çdo kusht dhe pa sens, mendimin e Qeverisë ose shtetit të tyre, arrijnë efekt të kundërt. Një sjellje e kulturuar, një peshim i mendimit, një prani intensive në ambientet politike, diplomatike dhe shoqërore të sjellin shumë më shumë simpati se sa tentimi për ta imponuar mendimin.

Ambasador, sa jeni i kënaqur me bashkëpunimin ndërmjet Kosovës e Austrisë dhe tashmë edhe të Kosovës me Australinë?

Austria dhe Australia kanë interesa të ndryshme për rajonin tonë. Mbështetja e Austrisë për Kosovën është intensive. Gjatë detyrës sime në Vjenë ne kemi nënshkruar 10 marrëveshje ndërshtetërore bashkëpunimi. Shkalla e investimeve austriake ka qenë ndër më të lartat nga vendet e BE-së, shumë nga diplomatët austriakë kanë qenë dhe janë ende të implikuar drejtpërdrejt në zhvillimet në Kosovë, i njohin dhe i vlerësojnë ato. Australia po ashtu ndjek një linjë mbështetëse për Kosovën. Detyra ime në Australi është ta intensifikojmë bashkëpunimin. Australia është në mesin e vendeve të para që e kanë njohur Republikën e Kosovës, vetëm dy ditë pas shpalljes së pavarësisë; gjatë luftës kanë pranuar rreth 4 000 qytetarë të Kosovës në një program ndihme; kanë marrë pjesë në programe të veçanta ndihme për evitimin e pasojave të luftës etj.

A pritet ndonjë investim i shtetit australian drejt Kosovës?

Tani po punojmë për të iniciuar investime australiane në Kosovë dhe do të shohim cilat janë mundësitë. Për këtë, gjatë këtij viti do t’i vizitoj rajonet e ndryshme të Australisë për t’i parë mundësitë direkte në terren.

Sa ishit në Austri, keni pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm edhe me diplomatët, si ambasadorin Volfgang Petriç dhe ambasadorin Albert Rohan?

Ambasadorët austriak Albert Rohan dhe Volfgang Petriç janë dy personalitete të rëndësishme të politikës ndërkombëtare. I kam njohur të dy në vitet e ‘90-ta dhe me kohë kam krijuar raport miqësor edhe personal. Ata kanë luajtur rol të rëndësishëm në mbështetjen ndërkombëtare për Kosovën dhe në pavarësinë e Kosovës. Ka qenë nder dhe privilegj për mua të bashkëpunoja me ta. Ambasadori Rohan dhe zonja Rohan na bënë një nderim të veçantë me rastin e përfundimit të mandatit tim në Vjenë, duke shtruar një drekë lamtumirëse për nder timin dhe të bashkëshortes sime, në të cilin kishin ftuar miq nga diplomacia, mediet dhe politika. Edhe ambasadorin Petriç e takova në Vjenë pak ditë para se ai të shkonte në Uashington si ligjërues në Universitetin e Harvardit, e unë në Canberra. Edhe sot, nga Canberra, komunikoj me ta, qoftë në fushën profesionale, qoftë edhe në atë shkencore. Kosova duhet të krenohet që ka miq të tillë.

Ambasada ka ndërmjetësuar edhe bashkëpunimin e shtatë komunave të Kosovës me qytetet e Austrisë: Prizreni me Gracin, Gjilani me Linzin, Ferizaj me ST. Pöltenin, Gjakova me Insbruckun, Dardana me Eisenstadtin, Dragashi me Bregenzin dhe Klina me Klagenfurtin. Edhe për dy komuna të tjera janë gjetur qytetet e bashkëpunimit dhe janë në procedurë të vënies së kontakteve mes tyre. Do të mundoheni që ta bëni këtë edhe në Australi?

Një nga angazhimet e mia intensive në Vjenë ka qenë lidhja e niveleve lokale ndërmjet tyre. Siç e përmendët ju, kemi arritur ta krijojmë një kontakt dhe shkallë bashkëpunimi ndërmjet komunave të Kosovës me qytete të Austrisë. I falënderoj sinqerisht kryetarët e komunave të Kosovës dhe qyteteve të Austrisë për gatishmërinë për të bashkëpunuar. Gjatë vizitave nëpër rajonet e ndryshme të Australisë do t’i shoh mundësitë e krijimit të kontakteve dhe bashkëpunimit ndërmjet komunave të Republikës së Kosovës dhe qyteteve të Australisë. Për shkak të distancës së madhe gjeografike, ka vështirësi më të mëdha, por besoj se disa prej qyteteve të Australisë do ta shprehin gatishmërinë e tillë të bashkëpunimit.

A ka interesim nga bizneset australiane për investime në Kosovë?

Ka disa fusha, në të cilat ndërmarrjet australiane po shfaqin interesim për të investuar. Aktualisht janë tri fusha në të cilat po angazhohemi për t’i tërhequr investimet: në fushën e industrisë së minierave, atë të bujqësisë dhe në fushën e mbrojtjes së ambientit. Australia është mjaft e njohur në këto tri fusha me ekspertizë.

Sa ishit në Austri, keni organizuar edhe forume dhe konferenca ekonomike. E keni ndërmend ta bëni këtë edhe në Australi?

Sigurisht që do ta bëjmë këtë gjë. Po punojmë në funksionalizimin e një ode ekonomike me ndërmarrës shqiptarë, e cila do t’i mblidhte ndërmarrësit shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare dhe së bashku me ta do të organizojmë edhe konferenca për promovimin e investimeve.

Ambasador, cili është komenti juaj për diplomacinë e Kosovës në përgjithësi për këto gjashtë vjet?

Diplomacia e Kosovës është shumë e re në rrafshin institucional. Ajo po zhvillohet me kujdes. Krijimi i një shërbimi diplomatik nga fillimi i ka të metat dhe përparësitë e veta. Përparësi është fakti se nuk kemi trashëguar shërbim nga sistemi njëpartiak me një mentalitet ndryshe nga diplomacia bashkëkohore, por problem është fakti se duhet filluar gjithçka nga e para. Disa nga ne kemi pasur fatin dhe nderin të përfaqësonim interesat e qytetarëve dhe të komunikonim intensivisht me diplomacinë ndërkombëtare, edhe para se Kosova të bëhej shtet dhe po mundohemi që ta përcjellim tek gjeneratat e reja përvojën tonë edhe në rrethanat e reja. Mendoj se diplomacia e Kosovës e ka dhënë provimin e parë të lindjes së saj. Ajo do të zhvillohet në kuadër të rrethanave që do të vijnë në të ardhmen. Diplomacia e Kosovës do të jetë në krah të diplomacive simotra nga e gjithë bota.

Keni bërë ndonjë plan si Ambasadë që të ketë më shumë aktivitete për qytetarët e Kosovës, qoftë edhe për mësim plotësues?

Në pritjen që kisha për Korin Diplomatik me rastin e 6-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës morën pjesë një numër i konsiderueshëm i përfaqësuesve të shoqatave shqiptare nga të gjitha viset e Australisë. E kam ndier veten shumë mirë për praninë e tyre dhe mbështetjen për Ambasadën. Do të pasojnë aktivitete tjera të Ambasadës në promovimin e kulturës sonë kombëtare. I kam vizituar disa nga shoqatat tona në Melbourne dhe Sydney dhe jam duke u informuar për mundësitë e rritjes së numrit të nxënësve në shkollat shqipe.

Po sa u përket aktiviteteve sportive?

E kam gjetur një organizim mjaft të mirë në fushën e sportit në Melbourne. Klubi futbollistik “Prishtina” bën pjesë në Ligën e Parë të Viktorias, madje ka qenë edhe kampion i ligës. Edhe klubi i futbollit “Shqiponja” është mjaft i suksesshëm. Pastaj ka futbollistë shqiptarë që luajnë në Ligën e Parë të futbollit australian, në boks, në hendboll etj. Pres t’i takoj secilin prej tyre dhe të njihem me ta. Mbështetja ime nuk do të mungojë në kuadrin e mundësive tona.

Kur do të kemi deputetë në Parlamentin e Kosovës nga Diaspora jonë?

Kjo është temë për të cilën vendos politika në Kosovë. Si diplomat, nuk mund ta jap një përgjigje konkrete. Nga përvoja ime e gjatë në mërgim, si edhe nga përvoja ime disavjeçare në shërbimin diplomatik, mendoj se është me shumë interes që Kosova t’i ketë përfaqësuesit e saj nga Diaspora në Parlament. Roli që kanë luajtur bashkatdhetarët tanë për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë dhe potencialet e tyre për të ardhmen shtrojnë si imperativ përfaqësimin e tyre institucional.

Zoti ambasador, keni shkruar edhe disa libra. Sipas teje, kush është në krizë, libri apo lexuesi?

Të dyja janë në krizë. Libri është në krizë për shkak se është sfiduar seriozisht nga mediet elektronike. Edhe komercializimi dhe publikimet e shumta pa nivel e kanë ulur dëshirën për lexim. Por, edhe lexuesi bashkëkohor në Kosovë nuk po e gjen rehatinë që e ka lexuesi perëndimor për të lexuar. Ka një mësymje marramendëse drejt internetit, facebookut, twitterit dhe medieve tjera elektronike dhe një lënie anash e librit. Megjithatë, unë jam ithtar i librit. Libri nuk mund të zëvendësohet nga mediet elektronike. Ato janë të rëndësishme për marrje të shpejtë të informatave, por libri është ai që të pajisë me dije të qëndrueshme, ide dhe qetësi shpirtërore. Nuk mund ta paramendoj ditën pa lexim libri, ani që i përcjell edhe mediet tjera elektronike.

Ishit edhe profesor universiteti. Ju mungojnë studentët?

E kam kryer me shumë dëshirë detyrën e ligjëruesit në Universitet, ashtu siç e kryej me të njëjtën dëshirë edhe detyrën e ambasadorit. Po! Më mungojnë studentët. Më mungon debati shkencor me ta, mendimi i tyre i çiltër për jetën, shkencën, politikën, diplomacinë. Më merr malli shpesh t’i dëgjoj mendimet e tyre të zjarrta për tema shkencore dhe dëgjimi me vëmendje i argumenteve ose kundërargumenteve të mia. E përcillja me kujdes evolumin e mendimit të tyre shkencor dhe zhvillimin intelektual nëpër vite. Vinin plot vrull dhe energji në vitin e parë, me bindjen se i dinë të gjitha, dhe diplomonin e magjistronin duke më falënderuar miqësisht, duke më thënë se tek tani e kanë kuptuar sa e madhe është hapësira e dijes shkencore.

Keni provuar që në stafin tuaj të keni ndonjërin nga ish-studentët tuaj?

Personeli diplomatik rekrutohet nga Ministria e Jashtme. Unë nuk marr pjesë në proceset e rekrutimit të diplomatëve. Shumë nga studentët e mi do të ishin diplomatë të shkëlqyeshëm. Jam i gëzuar se disa nga ata kanë arritur suksese të shkëlqyeshme profesionale: janë bërë pedagogë, këshilltarë, zyrtarë shteti.

A po mbeten në hije intelektualët e rinj?

Intelektualët e rinj duhet ta pushtojnë hapësirën me dije, me punë dhe me përkushtim. Është në natyrën e gjërave që e vjetra e pranon me vështirësi të renë. E reja duhet të dëshmohet se është më progresive se e vjetra. E njëjta gjë vlen për intelektualët. Ata duhet të dëshmojnë me dijen e tyre, me punën, me përkushtimin, me publikimet e tyre. Unë jam shumë optimist se në Kosovë po krijohet një gjeneratë e intelektualëve të rinj, disa prej tyre të shkolluar edhe jashtë, të cilët mendojnë përgjegjshëm për shtetin dhe shoqërinë. Ata nuk duhet të druajnë t’i implementojnë idetë e tyre në cilindo institucion që angazhohen.

Pas kryerjes së mandatit tuaj në Australi, a do të Ju shohim duke e drejtuar ndonjërën nga ministritë e Kosovës?

Unë jam në mandatin e dytë si ambasador dhe e kryej me shumë dëshirë këtë detyrë. E ndiej veten të nderuar që e kam mundësinë t’i shërbej vendit tim dhe qytetarëve të Kosovës, duke i përfaqësuar interesat e tyre. Për pozitën e ministrit vendos politika. Këtë pyetje do të duhej drejtuar politikanëve.

Cilën ministri nuk do të kishe dashur ta drejtosh?

Si profesionist i politikës së jashtme, si diplomat i përgjegjshëm ndaj shtetit dhe qytetarëve të tij, si studiues dhe si veprimtar, që është angazhuar me decenie për krijimin e Republikës së Kosovës, nuk mund të deklaroj se cilën ministri nuk do ta drejtoja me dëshirë. Shteti duhet të funksionojë në të gjitha dimensionet e tij. Dhe, të gjitha fushat janë të rëndësishme, prandaj kjo gjë vlen edhe për ministritë. Deklarimi se nuk do ta drejtoja këtë ministri mund të keqkuptohet se unë nuk e çmoj atë fushë të veprimit shtetëror, prandaj me lejoni të rezervohem në lidhje me këtë.

Sipas mendimit tuaj, kur do të jetë Kosova në BE?

Varet shumë nga zhvillimet në Kosovë dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në qoftë se zhvillimet e ardhshme do të lëvizin me trendin e tanishëm, Kosova do të anëtarësohet deri në vitin 2020 në Bashkimin Evropian.

Profesor, si i shihni shqiptarët në Maqedoni?

Shqiptarët në Maqedoni janë pjesë e pandashme e kombit shqiptar. Zhvillimi i tyre duhet avancuar. Edhe pse gjendja ka ndryshuar për të mirë viteve të fundit, janë hapur universitetet shqiptare, shumë shqiptarë janë integruar në institucionet shtetërore, ende duhet bërë shumë.

Po në Luginën e Preshevës?

Gjendja e shqiptarëve në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë nuk është e mirë. Kosova dhe Shqipëria duhet të investojnë shumë më shumë atje. Ka nevojë për një avancim të mënyrës së mbrojtjes së të drejtave të tyre të ligjshme.

Si e fillon ditën ambasadori Kiçmari?

Ditën e filloj me leximin e shtypit australian dhe më pas atij nga Kosova dhe Shqipëria. Në një takim të shkurtër pune me personelin e Ambasadës në mëngjes më raportojnë për punët e kryera gjatë ditës së kaluar dhe ua ndaj punët ditore. Pasojnë takimet zyrtare me nivele qeveritare australiane ose diplomatë të vendeve të ndryshme. Pasdite merrem me komunikim me vendet që nuk na kanë njohur dhe me vendet tjera të Oqeanisë, të cilat janë pjesë e obligimeve të mia zyrtare. Shumë nga mbrëmjet më kalojnë duke marrë pjesë në pritjet me rastin e ditës nacionale të vendeve të ndryshme. Kur unë ta kem përfunduar ditën e punës, jo rrallë pas orës 20:00, për shkak të distancës së madhe në kohë (në Canberra ka një distancë kohe prej 10 orësh para), më duhet të merrem edhe me aspekte të ndryshme administrative për të komunikuar dhe koordinuar veprimet me zyrtarët tanë shtetërorë.

Ju falënderojmë shumë zoti ambasador për këtë bashkëbisedim! 

Ju uroj Ju dhe stafit tuaj punë të mbarë! /dialogplus.ch/

Intervistoi: Dashnim HEBIBI

 
Rama në Serbi, në tryezë të bisedimeve edhe Presheva
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration