Lokale
Këshilla dhe drejtorë të paligjshëm në shkollat e Bujanocit
Shkarkimi dhe emërimi i anëtarëve të institucioneve arsimore në gjuhën shqipe në komunë të Bujanocit, të bëra që nga ardhja në pushtet në vitin 2012-të e kryetarit të kësaj komune, sipas Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe zhvillimit Teknologjikë të Serbisë janë në kundërshtim me ligjin.
Për shkak të këtyre shkeljeve Ministria në fjalë ka filluar të shkarkojë anëtarët e Këshillave të shkollave.
E para që ka marrë vendimin e Ministrisë është shkolla fillore “Muharrem Kadriu” në Tërnoc. Në këtë institucion me vendim të Ministrisë së Arsimit është emëruar Këshilli i përkohshëm prej nëntë anëtarëve.
Portali Informativ Titulli ka arritur të sigurojë edhe një kopje të këtij vendimi, në të cilin përveç emrave të anëtarëve të rinj thuhet se mandati i tyre vazhdon të vlejë nga 21 marsi i këtij viti.
Fati i njëjtë, për momentin do t’i ndjek edhe tri shkollat tjera si: shkollën e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, shkollën fillore “Naim Frashëri” po ashtu në Bujanoc, si dhe shkollën fillore “Migjeni” në Muhoc.
Sipas raportit të inspektorit të arsimit në Leskoc, Dragan Mitroviq, në të cilën ka pasur qasje gazetari i Titullit, thuhet se në këto tre institucione arsimore shqiptare ka pasur shkelje të mëdha rreth procedurave të shkarkimit dhe emërimit të anëtarëve të Këshillave të shkollave si dhe drejtorëve.
Gjithashtu në këtë raport ndër të tjera thuhet se inspektori për gjendjen në këto shkolla do të njoftojë Ministrinë e Arsimit, e cila pritet që të marrë masat në përputhje me ligjet në fuqi.
Vlen theksuar se Portali Informativ Titulli gjatë muajit dhjetor të viti të kaluar pat raportuar për shkeljet që po bëhen rreth emërimit të drejtorëve në këto shkolla./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!