KDNJ: Gjendje e brisht e të drejtave të njeriut në Luginë të Preshevës
Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Luginën e Preshevës konsideron se gjatë vitit 2018, nuk ka pasur asnjë përmirësim thelbësor të gjendjes të të drejtave të njeriut në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Me rastin e 10 dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut KUMTESË :
Qeveria e Republikës së Serbisë nuk ka bërë pothuajse asnjë veprim për ta përmirësuar përfaqësimin e qytetarëve të përkatësisë etnike shqiptare në organet shtetërore, sidomos të nivelit rajonal dhe republikan, ku ata mbeten skajshmërisht të nënpërfaqësuar, në shpërputhje jo vetëm me standardet e Bashkimit Evropian, por edhe të vetë Kushtetutës së Republikës së Serbisë dhe legjislacionit përcjellës.
Mungesa e vullnetit politik për ta zgjidhur çështjen e mosnjohjes së diplomave të Kosovës për shtetasit e Republikës së Serbisë dhe sidomos çështjen e teksteve e planprogrameve mësimore për nxënësit shqiptarë mbetet probleme urgjente të pazgjidhura edhe gjatë këtij viti. Në 2018 nuk është ndërmarrë asnjë veprim afirmativ lidhur me garantimin e teksteve shkollore për nxënësit shqiptarë.
“Në sferën e gjyqësorit, nuk pati as iniciativë për ta realizuar të drejtën e kthimit të Gjykatës themelore në Preshevë. Ndërkohë, në tërë sistemin e drejtësisë, përfaqësimi i qytetarëve të përkatësisë etnike shqiptare mbetet tejet i ultë. Asnjë rast i vrasjeve enigmatike ose i zhdukjes së civilëve gjatë njëzetvjeçarit të fundit nuk është zgjidhur në organet e drejtësisë gjatë këtij viti.
Në fushën e sigurisë, edhe gjatë këtij viti nuk janë mënjanuar praktikat dhe presionet e thirrjeve – edhe joligjore - në biseda informative, nga ana e organeve policore, kundrejt qytetarëve kryesisht të komuniteteve pakicë. Bisedat informative dyshohet se kanë për qëllim krijimin e pasigurisë së përgjithshme te qytetarët, që përballen edhe me problemet e tjera, e rrjedhimisht detyrohen të largohen në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër, strukturat komanduese të Stacioneve lokale policore në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, nuk janë akoma në përputhje me strukturën etnike të popullatës.
Shlyerja nga evidenca e vendbanimeve të qytetarëve shqiptarë të këtyre komunave ka vazhduar edhe gjatë këtij viti. Veçanërisht kjo dukuri është e theksuar në Medvegjë dhe vendbanimet shqiptare të Malësisë së Bujanocit.
Mediumet qendrore në Serbi edhe gjatë vitit 2018 kanë vazhduar me praktikën e vjetër të gjuhës së urrejtjes për shqiptarët. Stereotipet e zakonshme për shqiparët ishin pjesë përbërëse e informimit gjatë tërë vitit.
Vazhdimi i gjendjes militarizuese në rajon me njësi të jashtëzakonshme të forcave speciale të policisë dhe me pjesëtarë të ushtrisë; sidomos pjesa e Malësisë së Bujanocit, Karadakut të Preshevës dhe e brezit kufitar në Medvegjë; vazhdon ta vështirësoi qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, si dhe krijon një frymë të pasigurisë në mesin e popullatës vendore.
Pavarësisht kësaj gjendje të pakënaqshme e cila ndaj shqiptarëve vazhdon në kontinuitet, e përkundër faktit se Serbia ka hapur shumë kapituj për bisedime me BE-në, bengosëse paraqitet neglizhenca gjithnjë e në rritje e mekanizmave ndërkombëtare kundrejt këtij diskriminimi sistematik shtetëror.
Rajoni po hyn në një fazë tejet të ndieshme politike edhe si rezultat i marrëveshjes së paralajmëruar mes Prishtinës dhe Beogradit, andaj mbetet jetik kontributi më dinamik i bashkësisë ndërkombëtare në këto komuna.
Bujanoc, 10.12.2018
Shërbimi për informim i Këshillit për të Drejtat e Njeriut