Kamberi: Pjesëmarrja e Luginës në zgjedhjet parlamentare e lidhur me Bashkimin Evropian (video)
Nënkryetari i PVD-së, Shaip Kamberi, ka deklaruar që qëllimi i pjesëmarrjes në zgjedhjet parlamentare të Serbisë është specifik, pasi që Serbia gjendet para fillimit të bisedimeve me BE-në për të drejtat e pakicave.“Kësaj here qëllimi është specifik për arsye se Serbia gjendet në fazën para fillimit të bisedave për kapitullin 23 dhe 24 për anëtarësim në Bashkimin Evropian, që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me të drejtat e pakicave, me sundimin e ligjit, me të drejtat e njeriut”, ka deklaruar Kamberi, i cili ishte mysafir në studion e lajmeve të Radiotelevizionit të Kosovës, transmeton Titulli.com.
Ai ka rikujtuar se PVD është pjesë e zgjedhjeve parlamentare që nga viti 2007 kur ndryshuan kushtet ligjore, që mundësuan që edhe pakicat të kenë mundësi të paraqiten me listat e tyre për të arritur që të sigurojnë përfaqësuesit e tyre në institucionit më të lartë të shtetit.
“Në këtë aspekt ekzistimi i përfaqësuesve legjitim të dal nga zgjedhjet në institucionin më të lartë të shtetit do të jetë një avantazh për të ndikuar në proceset në të cilat Serbia do të nis bisedat me BE-në, në mënyrë që pozita e shqiptarëve në Luginë të Preshevës të avancohet në krahasim me pozitën që e kemi sot”, ka shtuar Kamberi.
Sipas fjalëve të tij, nuk është e mjaftueshme pjesëmarrja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës vetëm në nivelin lokal dhe në Këshillin Nacional, por është e domosdoshme që të kenë përfaqësuesit edhe në nivelin parlamentar.
“Për këtë arsye ne mendojmë që më mirë është që të jetë së paku një deputet nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, që të flasë për situatën atje. Në të kundërtën rajoni do të përfaqësohej nga deputetët serbë që vijnë nga partitë qendrore”, ka theksuar nënkryetari i PVD-së, Shaip Kamberi./Titulli.com/