Kadriu: Kosova duhet ta kërkojë rikthimin e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në trungun e saj (video)
Kryetari i Lëvizjes Qytetare “Vatra”, Kushtrim Kadriu, ka folur për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Medvegjë e Bujanoc.
Ai ka thënë se nga spektri politik në Kosovë e Shqipëri nuk është bërë asgjë në këtë drejtim.
“Nuk është ngritur kurrë kjo çështje në bisedime Kosovë – Serbi në Bruksel. Nuk jemi ndihmuar fare në këtë relacion. Me iniciativa personale, private e shoqata, kemi grumbulluar dosje, me z. Muharrem Salihu nga Medvegja, kemi mbushur një formular në Gjilan e përmes tij e kemi dërguar në Parlamentin Evropian dhe Komitetin e Helsinkit, ku është dal me një raport pas pak ditëve. Komiteti i Helsinkit ka thënë se e njeh diskriminimin administrativ që po i bëhet shqiptarëve në Kosovë Lindore nga regjimi serb. Institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë marrë direkt me këtë rast, e nuk kemi pasur përkrahje në çfarëdo forme”, ka thënë Kadriu në Interaktiv të KTV-së.
Kadriu ka thënë se kanë kërkuar vazhdimisht që të përfshihet në bisedime çështja e pazgjidhur e shqiptarëve të Kosovës Lindore. Ai insiston se duhet të jetë kërkesë bazike e Kosovës kthimi i tri komunave në trungun e saj.
“Bujanoci, Presheva e Medvegja gjithmonë kanë qenë pjesë e Kosovës, botërisht njihet kjo dhe faktikisht. Kur në vitet e 50-ta me shkëmbime territoriale që bëri Jugosllavia, këto komuna u shpërndan dhe mbetën nën juridiksionin e Republikës së Serbisë. Shembull në fshatin ku ka lindur babai im e gjyshi im, kemi parcela kadastrale që kanë qenë në Komunën e Kamenicës. Janë gjëra faktike, nuk është histori e para 200 a 500 vjet, por e para 50 e 60 gjet. Këtë padrejtësi duhet ta përmirësojë Kosova apo duhet ta kërkojë në relacion me Serbinë, kthimin e këtyre komunave. Tri qytete të Kosovës kanë shkuar në Serbi dhe janë në Serbi. Duhet kërkuar kthimi i tyre gjithmonë. Duhet luftuar që të bashkëngjiten këto tri komuna në Kosovë, nëse nuk ndodh kjo atëherë qytetarët në Bujanoc, Preshevë e Medvegjë, kurrë nuk do të kenë rahatllak. Shqiptarët nuk mund të pranojnë gjithmonë të jetojnë nën rrobëri dhe me probleme që shkakton Serbia çdo muaj”, tha Kadriu.
Sa i përket pasivizimit të adresave ai ka thënë se nduhet ndalur kjo.
“Gjer në vitin 2000 Medvegja ishte me shumicë shqiptare, tash kemi vetëm 403 banorë. Bujanoci është me një shumicë solide shqiptare, por me pasivizimin e adresave që po bën Serbia çdo ditë, nuk do të jetë kohë e largët kur Bujanoci do të kalojë në duar të serbëve. Pasi serbët atje pak migrojnë, e shqiptarët e Kosovës Lindore migrojnë në Perëndim apo vijnë në Kosovë të jetojnë. Duhet intervenuar, e të veprojë faktori politik shqiptar në Kosovë e Shqipëri”, tha Kadriu.
Sa i përket angazhimit të Shqipërisë ai ka thënë se ka ndihmuar në aspekte kulturore e edukative, por jo edhe në atë politik.
Ai ka treguar se Shqipëria luan më tepër rolin e një sanuesi kur ka probleme atje.
Kadriu ka përmendur edhe çështjen e pasivizimit të dokumenteve.
“Kemi shembull eklatant të pasivizimit të dokumenteve që bën Serbia. E bënë në një formë shumë interesante, i shpall të humbura pasaportat e shqiptarëve të Kosovës Lindore. Në këtë rast këto pasaporta nuk janë të humbura, por të banorëve të Kosovës Lindore që jetojnë në Gjilan apo vende tjera të Kosovës. Serbia i fut ato në Interpol. E pastaj kemi raste kur këto pasaporta kalojnë kufirin nëpër vende të ndryshme konfiskohen. Nuk është befasi kjo, pasi ato shtete nuk e dinë rrethanën. Por këto konfiskohen edhe në Shqipëri dhe kthehen në Beograd. Kemi reaguar në Ambasadën e Shqipërisë në Kosovë e po ashtu atë në Beograd. Kemi alarmuar për këto telashe por nuk është ndërmarrë asgjë”, ka thënë Kadriu.