Këshilli Kombëtar Shqiptar, institucion jetik i pakicës shqiptare në Serbi (foto & video)
Në tribunën e organizuar të mërkurën në Bujanoc, në të cilën morën pjesë liderët politik lokal dhe koordinatori i OSBE-së për Luginë, u diskutua rreth rëndësisë dhe rolit të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) që do të ketë në të ardhmen.
Tribuna e organizuar nga portal informative Titulli.com, nën mbështetjen e Ambasadës së Britanisë së Madhe në Beograd, ka ndihmuar që të dëgjojmë mendimet e liderëve politik shqiptarë të Luginës rreth rolit që ky organ do të ketë në të ardhmen.
Koordinatori i ri i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) zyra në Bujanoc, amerikani Jeffrey Bieley, duke folur rrjedhshëm në gjuhën shqipe dhe me përvojën e tij nga rajoni, tha se vetë pjesëmarrja e subjekteve politike në këto zgjedhje kënaqë organizatën që ai përfaqëson.
“Së pari jemi të kënaqur si OSBE me faktin se partitë politike do të garojnë në këto zgjedhje që Këshilli Nacional Shqiptar është pranuar nga të gjitha subjektet politike. Procesi po ecën mirë, mbledhja e nënshkrimi, përpilimi i listave të posaçme, shpresojmë se edhe organizimi i zgjedhjeve do të shkojë mbarë”, u shpreh Bieley.
Ai theksoi se OSBE do të vëzhgojë procesin, ditën e zgjedhjeve përmes monitoruesve në teren, duke shpresuar se garimi, sikurse më 26 tetor, edhe pas saj, të jetë në frymën e bashkëpunimit.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Galip Beqiri, tha se gjatë mandatit të parë ky organ ka punuar edhe përskaj shkurtimit të fondeve për realizimin e plan-programit.
“ Shkurtimi i mjeteve nga ministria për 30 për qind për shkak të mosregjistrimit të popullsisë, e dyta mosbashkëpunimi me pushtetet lokale Preshevë, Bujanoc dhe nën tre mosgatishmëria e Qeverisë së Serbisë që të gjitha ato kërkesa që i ka Këshilli Nacional, rreth teksteve, informimit, kulturës, zbatimit të gjuhës, nuk ka gjetë mbështetje”, u shpreh Beqiri në tribunën e zhvilluar në Bujanoc.
Ai nuk la pa përmendur edhe zvogëlimin e anëtarëve në këtë organ nga 25 në 15-të sa do të ketë përbërja e ardhshme e KKSH-së.
Kryetari i Partisë Demokratike, njëherit drejtues i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi nënvizoi se dicka është punuar në Këshillë, mirëpo se ka mund të bëhet edhe më shumë.
“Shpresojë se Këshilli i ardhshëm Nacional, pasi është një vullnet i mirë nga të gjitha subjektet politike të marrin pjesë, nuk mund të premtojë se do të bëjë dicka të pamundshmen, do të mundohemi të punojmë në atë drejtim, mirëpo do ta ndalim të keqen që e kishin pushtetet lokale, sepse Këshilli i deritanishëm Nacional, përvec atyre katër fushave kompetente, pat filluar të dalë edhe jashtë kornizave kompetente, duek u marrë me cështjet e urbanizmit dhe të tjerat të cilat nuk i takojnë”, tha Arifi.
Kryetari i komunës së Bujanocit shpreson se koalicionet e ardhshme të cilat do të formojnë Këshillin Nacional do të merren vetëm me ato katër fushat që janë për interesin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës por edhe jashtë saj, në Serbi.
Deputeti popullor Shaip Kamberi, njëherit kryetar i degës së Partisë për Veprim Demokratik (PVD) në Bujanoc, thotë se pjesëmarrja e të gjitha subjekteve politike në këto zgjedhje është konfirmim i përgjithshëm i politikës së PVD-së.
“Përmes pjesëmarrjes në institucione ne duhet të angazhohemi për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Kjo në radhë të parë paraqet një konfirmim të politikës së PVD-së të cilën ajo që nga viti 1990, nga themelimi i vet e ka trasu duke marrë pjesë në zgjedhjet e të gjitha niveleve të organizuara edhe për rajonin tonë”, tha deputeti Kamberi.
Ai shpresonë se, pavarësisht kritikave drejtuar KKSH-së, përmërjen në mandatin e ardhshëm të mos e përcjellin vështirësit e deritanishme.
“Meqenëse të gjithë po marrin pjesë në këto zgjedhje nuk do ta kemi aspektin e bllokut apo bojkotit ndaj institucionit, si institucion, se kjo ka qenë një ndër sfidat që është ballafaquar Këshilli Nacional”, theksoi Kamberi.
Duke folur për rezultatet e arritura të KKSH-së, kryetari i Unionit Demokratik Shqiptar (UDSH), Rahmi Zulfiu, tha se nuk mund të thuhet se deri më tani nuk është bërë asgjë.
“Të thuhet se prej KKSH-së nuk është bërë asgjë atëherë kjo është një e padrejtë që mund të thuhet prej indivodëve të papërgjegjshëm duke mos i ditur të arriturat ose punën e vet Këshillit Kombëtar”, tha drejtuesi i UDSH-së.
Sipas Zulifiut, një nga faktorët që kanë ndikuar në mosarritjen më të madhe është edhe tentimi i degradimit të këtij organi nga subjektet të cilat nuk ishin pjesëmarrëse.
“Ta degradojnë në atë formë se nuk ka prej atij organi asgjë, gjithçka që punon ai organ është ndoshta jo me vlerë, jo në interes të shqiptarëve dhe si i atillë nuk vlen të përkrahet”, nënvizoi kryetari i UDSH-së.
“Ne e provuam gjuhën e bojkotit edhe në zgjedhjet parlamentare edhe më herët, mirëpo kjo është cështje e shqiptarëve, që përmes Këshillit Nacional i cili i tubon shqiptarët dhe i organizon shqiptarët, ta bëjë një sfidë për zgjidhjen e problemeve në të gjitha fushat”, tha kryetari i Lëvizjes së Progresit Demokratik, njëherit kryetar i Kuvendit Komunal në Bujanoc, Jonuz Musliu.
Ai tha se nëse është nevoja për një Këshillë, atëherë duhet të jetë i mirëfillt jo për të kënaqur apetit e ndonjë subjekti.
“Këtu është cështje, nuk është interes”, tha Musliu.
Ndërsa, nënkryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Shukri Ymeri, duke folur në tribunë tha se nuk mund të thuhet se Këshilli Kombëtar Shqiptar nuk ka bërë asgjë, mirëpo ka mund të bëjë më shumë.
“Këshilli Nacional ka bërë dicka, nuk mund të themi se nuk ka bërë fare, atë vetëm ai i verbëri apo i shurdhëri nuk mund ta shohë apo dëgjojë, por ka mund të bëjë më shumë, mirëpo koha dërmuese e KKSH-së bashkë me direktivat që i kanë pasur anash kryesisht janë marrur me ankesa ndaj pushteteve lokale, me bllokime të institucioneve, sidomos atyre shkollore”, u shpreh Ymeri, duke nënvizuar se nuk kanë ndihmuar proceset mirëpo i kanë bllokuar ato.
Në tribunën e mbajtur me temën “Zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar, rëndësia dhe roli i tij në të ardhmen”, është vlerësuar se institucioni që përfaqëson interesat e pakicës shqiptare në Serbi duhet të jetë funksional dhe të punojë në avancimin e pozitës shqiptare./Titulli.com/