Ischinger: Modeli gjermano-gjerman funksionon për Kosovën dhe Serbinë
Diplomati gjerman, Wolfgang Ischinger në një intervistë për Pressing të T7 ka thënë se disa nga parimet e modelit gjermano-gjerman vazhdojnë të jenë të vlefshehme edhe sot.
Ischinger thotë se një ide e tillë ka funksionuar në kontektstin e dy gjermanive dhe s’ka asnjë arsye që të mos funksionoj në kontekstin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ai thotë se draft marrëveshja që është dorëzuar në vitin 2007 vetëm duhet të adoptohet për situatën e 2022-ës. Ndërkohë rithekson se tashmë ka një përfshirje aktive të Qeverisë së Gjermanisë dhe Francës.
Gjithashtu ka shtuar se duhet të njihet fakti që Franca është duke u angazhuar në mënyrë aktive në procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, një gjë e tillë s’ishte parë në të kaluarën, raporton Gazeta Express.
“Shiko, kjo ishte 14 vjet më përpara. Dhe natyrisht që sot është ndryshe nga 14 vjet më herët. Por, disa nga parimet themelore që ishin pas modelit gjermano-gjerman vazhdojnë të jenë të rëndësishme edhe sot. Ideja që nëse s’mund të zgjidhesh çështje shtetërore në këtë moment, çështjen e njohjes formale, të paktën të provosh të zgjidhësh çështje të tjera praktike. Si njerëzit mund të lëvizin nëpër kufij, a janë diplomat e njohura, tabelat e makinave. Çfarë për tregtinë. Dhe kjo funksionoi në kontekstin gjermano-gjerman dhe s’ka arsye që s’mund të funksionojë në kontekstin e raporteve Kosovë-Serbi. Por sigurisht draft-marrëveshja që ne kemi bërë në 2007 duhet të adoptohet për situatën e 2022, në një mënyrë apo tjetër dhe sigurisht tani ka një përpjekje të re të Qeverisë sime dhe Francës për të shtyrë gjërat përpara dhe është shumë e rëndësishme të njihet fakti që Franca po merr pjesë aktive në këto përpjekje. Unë nuk e di që Franca në të kaluarën, vitet dhe dekadat, ka qenë kaq aktivisht dhe në mënyrë proaktive e përfshirë, prandaj është mirë”, ka thënë Ischinger.
Ai thotë se modeli i dy gjermanive ka parim themlor reciprocitetin, pra që secila palë duhet të ketë përgjegjësi sikurse pala tjetër. Ai thotë se kjo është një recetë e vjetër diplomatike, që të gjendet një zgjidhje e balancuar.
Ischinger thotë se modeli i dy gjermanive është shumë i mirë dhe mund të funksionoi mes Kosovës dhe Serbisë. Ischinger thotë se edhe kryeminstri i Kosovës e përmend shpesh reciprocitetin, sipas diplomatit gjerman kjo tregon se Kurti e vlerëson atë si parim themelor në raportin mes Kosovës dhe Serbisë.
“Unë mendoj se disa nga parimet mund të funksionojnë. Një nga parimet e modelit gjermano-gjerman është reciprociteti. Secila anë ka përgjegjësi por edhe pala tjetër ka përgjegjësi. Pra një zgjidhje e balancuar. Ky është një recetë shumë e vjetër për negociata diplomatike. Dhe modeli gjermano-gjerman është një model tepër i mirë për aplikimin e këtyre masave të reciprocitetit. E kam parë që kryeministri Kurti flet shpesh për reciprocitetin. Dhe e kuptoj që ai e vlerëson këtë si një parim themelor për raportin mes Kosovës dhe Serbisë dhe do të pajtohesha me të”, ka thënë Ischinger.