Integrimi Evropian i Serbisë, shpresë edhe për arsimin shqip
Mungesa e teksteve shkollore është një nga problemet më të mëdha që po përballet arsimi shqip në komunat Bujanoc, Preshevë e Medvegjë dhe deri më tani qeveria e Serbisë ka financuar përkthimin e disa teksteve shkollore.Zejni Fejzullahu, kryetar i komisionit për arsim parashkollor, fillorë e të mesëm pranë Këshillit Kombëtar Shqiptar thotë se është bërë përparim i pjesshëm në përkthimin dhe përpilimin e disa teksteve.
“Deri më tani për shkollat fillore janë përkthyer e përpiluar 54 tekste shkollore dhe për kompletim duhet edhe 39 të tjerë, ndërsa për shkollat e mesme është siguruar nga Shqipëria vetëm libri i gjuhës shqipe për të gjitha vitet”, është shprehur për Titulli.com Fejzullahu.
Sipas të dhënave nga Këshilli Kombëtar Shqiptar në komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë mësimet në gjuhën shqipe i vijojnë afro 6500 nxënës në shkollimin fillorë dhe të mesëm.
Në muajin Gusht të vitit 2016, Srgjan Verbiq ministër i atëhershëm në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit të Teknologjisë së Serbisë ka nënshkruar marrëveshje me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Junuz Musliu për financimin e teksteve shkollore që mungojnë për mësim në gjuhën shqipe.
Udhëheqësit e Këshillit Kombëtar Shqiptar kanë marrë vendim që tekstet shkollore të mos përkthehen më por të importohen nga Kosova apo Shqipëria dhe ky vendim ka ndikuar që procesi i përkthimit të ndalet.
Me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Zhvillimit të Teknologjisë së Serbisë, shtëpia botuese “Albas” nga Presheva ka botuar disa libra të caktuar shkollorë.
“Kemi arritur të sjellim shumë tekste shkollore. Nxënësit e Luginës së Preshevës kanë në dorë tani më të gjitha tekstet e gjuhës shqipe nga klasa e dytë fillore e deri në klasën e tetë. Po ashtu, kjo shtëpi botuese ka sjellë edhe librin artistik, i cili ka munguar shumë kohë këtu”, ka deklaruar Qenan Etemi përfaqësuesi i kësaj shtëpie botuese.
Me vetë iniciativë kanë përgatitur tekste për shkollat e mesme Hysamedin Ahmeti nga Presheva në fushën e elektroteknikës dhe Shefket Jakupi nga Bujanoci për lëndët e ekonomisë për të cilët janë duke pritur miratimin nga ministria e arsimit të Serbisë për futjen në përdorim.
Për mungesë të teksteve shkollorë përfaqësuesit politik shqiptar lokal, mësimdhënës dhe nxënës shpeshherë kanë protestuar në forma të ndryshme por prapë nuk është arritur niveli i kënaqshëm i pajisjeve më libra në shkollat shqipe.
Integrimi i Serbisë në BE mundë të përmirësojë gjendjen arsimit shqip
Procesi i integrimit evropian të Serbisë shihet një mundësi shtesë tek pakica shqiptare në përmirësimin e kushteve në fushën e arsimit.
Fatmir Hasani, deputet popullorë në parlamentin e Serbisë njëherë edhe anëtarë në këshillin për arsim pran kuvendit shprehet i zhgënjyer për mungesën e vullnetit të qeverisë për zgjidhjen e problemeve të arsimit shqip në përgjithësi.
“Mundë të avancohet arsimi shqip me procesin e integrimit evropian duke pasur parasysh plotësimin e kushteve të Serbisë ndaj pakicave por tani për tani shihet se nuk ka vullnet të madh politik qeveria për zgjidhjen e këtyre problemeve dhe ngritjen e cilësisë së arsimit shqip”, deklaroi për Titulli.com deputeti Hasani.
Sipas tij pakica shqiptare është lënë anash nga procesi i integrimit evropian në përgjithësi dhe se bashkësia ndërkombëtare duhet më shumë të bëjë presion në të këtë drejtim.
Ndërsa Belgzim Kamberi, kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Preshevë mendon se ekziston rreziku që Serbia të ec drejt integrimit në BE pa zgjidhur problemet kryesore të arsimit shqip në Luginën e Preshevës.
“Serbia duhet të zgjidh çështjen e sigurimit të plotë të teksteve mësimore për nxënësit shqiptarë dhe ndryshimin e planprogrameve, përkatësisht përputhshmërinë e tyre edhe me veçoritë kombëtare, kulturore, historike etj të komuniteteve joserbe, përfshirë edhe shqiptarëve”, ka thënë Kamberi.
Gani Rashiti nga Qendra për Avokim dhe Zhvillim të Demokracisë në Preshevë mendon se integrimi i Serbisë në Bashkimin Evropian do të jetë një proces shume i vështirë por nuk presim se do të sjellë risi për pakicën shqiptare e veçanërisht në fushën e arsimit duke pasur parasysh gatishmërinë e plotë nga ana e qeverisë.
“Ne është dashur që gjatë këtij procesit të integrimit evropian të Serbisë të jemi më aktiv në grupet punuese për pakicat por realisht jemi lënë jashtë që paraqet pengesë serioze për zhvillimet e përgjithshme por edhe të arsimit shqip”, theksoi Rashiti.
Përdorimi i formës së diktimit në orët e mësimit në mungesë të teksteve shkollore në shkollat shqipe është një metodë e vjetër dhe nuk i kontribuon avancimit të shkollimit e sidomos në kohën e integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian ku metodat e shkollimit janë më të përparuara./Titulli.com/