Lokale
Inspektori kërkon shkarkimin e drejtorit të shkollës “Sezai Surroi”
Inspektori republikan i arsimit nga Leskoci, Dragan Mitroviq, përmes një shkrese dërguar shkollës së mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, ka kërkuar shkarkimin e ushtruesit të detyrës së drejtorit, Zejni Fejzullahut.
“Inspektori republikan i arsimit e ka kryer mbikëqyrjen në shkollën “Sezai Surroi” dhe në bazë të gjendjes së vërtetuar ka urdhëruar Këshillin e shkollës që të zbatojë masën e shkarkimit të drejtorit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit të cilin e ka kërkuar portali i pavarur informativ Titulli.com.
Për të parë se a ka zbatu këtë masë Këshilli i shkollës, gazetari i Titullit ka kontaktuar edhe njërin nga anëtarët e Këshillit, i cili ka sqaruar se dokumentin me vërejtjen e inspektorit republikan e ka pranuar udhëheqësia e shkollës, përderisa nuk ka mund të japë detaje se a kërkohet shkarkimi i drejtorit Zejni Fejzullahu.
“Është një shkresë nga inspektori republikan Dragan Mitroviq për disa vërejtje lidhur me shkollën duke kërkuar marrjen e disa masave ndaj shkollës, siç ishte shkeljet në hapjen e konkursit për pranim të punëtorëve”, thotë me anonimitet anëtari i Këshillit të shkollës.
Ai shpjegoi për Titullin se shkolla ka bërë ankesën dhe ia ka dërguar inspektorit.
“Ne e kemi bërë aneksin e konkursit, ia kemi dërgu ankesën inspektorit republikan. Me ligj është ashtu që nëse inspektori nuk i përgjigjet kësaj ankese brenda tri ditëve, donë të thotë se ai është pajtuar me masat e që i kemi përmirësuar ato vërejtje”, thotë bashkëbiseduesi, anëtarë i Këshillit të shkollës.
Titulli ka provuar disa herë ta kontaktojë edhe inspektorin republikan Dragan Mitroviq në Leskocë, mirëpo ishte e pamundur të arrihej në telefon.
Sipas informacioneve zyrtare të marra nga Ministria e Arsimit e Serbisë, Dragica Gavrilovic nga shërbimi për marrëdhënie me mediat, shkruan se inspektori republikan arsimor ka kërkuar shkarkimin e ushtruesit të detyrës nga Këshilli i shkollës, gjë e cila deri më sot nuk ka ndodhur.
U.D. Zejni Fejzullahut, mandati i skadon gjatë javës së ardhshme kur edhe pritet mbajtja e mbledhjes së Këshillit të shkollës për të caktuar një ushtrues detyre.
Vlen theksuar se shkolla e mesme “Sezai Surroi” të enjten (12 dhjetor) ka mbyllur konkursin për aplikim për drejtorë të këtij institucioni të mesëm arsimor./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!