Sadije Spahiu, një grua e suksesshme me biznesin e saj në Bujanoc
Të jesh një grua e biznesit në qytetin e Bujanocit nuk është edhe aq e lehtë duke pasur parasysh vështirësitë me të cilat përballet gruaja si në aspektin e pabarazisë gjinore edhe në atë të përkrahjes institucionale komunale.Megjithatë në Bujanoc ka gra të cilat sfidojnë veten dhe vështirësitë e kohës dhe mentalitetit ndër vite dhe kanë vite në funksionimin e bizneseve të tyre.
Sadije Spahiu është pronare e një lokali në qytetin e Bujanocit e cila merret me qepje dhe shitje të fustaneve dhe veshjeve tradicionale shqiptare, rome dhe serbe.
Ajo për portalin Titulli.com tregoi se biznesi i saj ka tashmë 11 vite që funksionon pavarësisht sfidave me të cilat është përballur ajo nuk është ndalur asnjëherë., kurse tashmë biznesi i saj është familjar që i ndihmojnë edhe vajzat e saja.
“Nuk është aspak e lehtë të funksionosh në biznes si grua në Bujanoc, por unë kam sfiduar çdo vështirësi për të arritur aty ku jam sot dhe jam shumë e kënaqur me punën time” tha Spahiu.
E pyetur se sa është e kënaqur me përkrahjen institucionale komunale ajo është shprehur se pavarësisht partive politike të cilat kanë qenë dhe janë në pushtet ndjehet e mirënjohëse.
“Jam shumë e kënaqur me përkrahjen komunale dhe ndihmat tjera të cilat na janë ofruar si në sigurimin e mjeteve të punës si makinat për qepje e hekuri për hekurosjes e të tjera”.
Sadije Spahiu, e rrethuar në dyqanin e saj me punime të ndryshme artizanale mbetet me shpresën se përkrahja komunale do të jetë e vazhdueshme edhe në të ardhmen e afërt./Titulli.com/