Incident në Preshevë, përshkallëzon situata në seancën e Kuvendit komunal
Në seancën e djeshme të Kuvendit komunal të Preshevës situata ka përshkallëzuar edhe në konfrontime fizike mes këshilltarëve opozitarë dhe atyre të pozitës. Ngjarja ka ndodhur kur një nga këshilltarët e PVD-së ka marrë mikrofonin e foltores dhe rrëzoi atë, më pas kryetari i kuvendit ka suspenduar këshilltarin e PVD-së, Rinor Krasniqin, por këshilltari në fjalë e kundërshtoi duke mos lëvizur nga salla.
Më pas kryetari i Kuvendit komunal të Preshevës, Sami Salihu i ka thirrur këshilltarët që seanca të vazhdohej në sallën e konferenca dhe në momentin që këshilltari i PVD-së, Rinor Krasniqi ka tentuar të hyjë në sallë dhe është ndalur nga sigurimi, por që personi në fjalë ka tentuar me çdo kusht të futet në mbledhje duke mos lënë anash as konfrontimet fizike. Por vlen të theksohet se pas sigurimit të komunës të pranishëm ishin edhe policia ku sipas këshilltarëve të PVD-së kjo gjë nuk duhej të ndodhte.
Pas incidentit në fjalë kanë publikuar PVD dhe APN komunikata për shtyp. Në komunikatën e PVD-së në Preshevë shkruhej se kryetari i komunës krijoi një atmosferë jo të mirë pasi sipas tyre “Prezenca e “njësiteve” speciale të Shqiprim Arifit dhe sekuritaset e tij, sikurse edhe efektivet e policisë, krijuan atmosferë shtetërrethimi policorë dhe gjëndje të jashtëzakonshme në Kuvendin e Preshevës” – shkruhej në komunikatën e PVD-së.
Ndërsa në komunikatën e lëshuar nga APN ka akuzuar për qasje jo të hishme të këshilltarëve të PDSH-së dhe PVD-së. Ndër të tjera thuhet se violenca gojore dhe fizike kalon interesat politiko – ekonomike. “Violenca gojore dhe fizike në mungesë të argumentit dhe arsyes ka shpërfillur interesat e politikës së momentit të kësaj konjukture politiko-ekonomike që tani më po përjeton ditët më të vështira të saj në fundim e sipër” – shkruhet në komunikatën e APN-së në Preshevë.
Komunikata e PVD-së
Me metodat më primitive, denigruese politike të shpifjeve, fyerjeve, manipulimeve dhe nxitjeve të konflikteve i pari Preshevës, po përgatitë destabilizim të komunës së Preshevës dhe Luginës së Preshevës, pikërisht tash, kur pas përfundimit të zgjedhjeve në Kosovë pritet të rinisë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë i cili duhet të përfshijë edhe Luginën e Preshevës.
Debatet denigruese të diktatorit provincial preshevarë, sot, gjatë seancës së Kuvendit komunal, sollën situatën më të palakmueshme me të cilën është mbajtur ndonjëherë një seancë e këtij institucioni komunal në Preshevë. Prezenca e “njësiteve” speciale të Shqiprim Arifit dhe sekuritaset e tij, sikurse edhe efektivet e policisë, krijuan atmosferë shtetërrethimi policorë dhe gjëndje të jashtëzakonshme në Kuvendin e Preshevës.
Gjatë seancës së sotme, e cila prapë u thirr në limitet e afatit të shpërbërjes dhe përsëri me pikë kryesore Rebalansin e buxhetit komunal si rezultat i keq planifikimit të tij, këshilltari nga rradhët e PVD, Rinor Krasniqi reagoi duke larguar mikrofonin e foltores së Kuvendit si protestë ndaj fjalëve denigruese, fyese të kryetarit të komunës, Shqiprim Arifit, i cili në çdo fjalim të tij në foltore merret me fyerje dhe linçime personale edhe ndaj njerëzve dhe individëve që nuk janë prezent, e që me këto sjellje po shkakton debate të panevojshme dhe po nxitë situata të tendosura.
Pas pauzës së caktuar nga Kryetar i Kuvendit, Sami Salihu, shumica parlamentare tentuan që me metodë mbivotimi të largojnë nga seanca këshilltarin Rinor Krasniqi, të cilën masë këshilltarët e opozitës nuk lejuan të realizohet.
Eskalimi i situatës erdhi edhe më tepër pas vendimit të kryetarit të Kuvendit që seanca të mbahet në sallën e konferencave, në të cilën ishin ftuar pjesëtarët e sigurimit të objektit të komunës për të pamundësuar hyrjen në seancë të këshilltarit të PVD, Rinor Krasniqi.
Ishte kjo skena më e turpshme e parë ndonjëherë në seancat e Kuvendit komunal të Preshevës, tentativa e pjesëtarëve të sigurimit që dhunshëm t'a largojnë këshilltarin e PVD.
Është për të ardhur keq që një situatë e këtillë u bë sot edhe me mosreagimin me kohë ndaj fjalimeve fyese e denigruese të Shqiprim Arifit, nga ana e kryetarit të Kuvendit, Sami Salihu. Duke lejuar në vazhdimësi fjalimet fyese të Arifit nga foltorja e Kuvendit, kryetari Sami Salihu po behët edhe vet pjesë e kësaj praktike mesjetare të të parit të komunës së Preshevës.
PVD kërkon nga kryetari i Kuvendit që sa më shpejt, të njoftojë opinionin se me cilin urdhër dhe porosi të kujt u krijua shtetërrethimi në Kuvendin e Preshevës, skena këto të turpshme.
Pamjet të cilat në vazhdim u transmetuan në portalet tona, ku shihen pjesëtarë të sigurimit të objektit duke tërhequr me dhunë këshilltarin e Kuvendit Komunal nga rradhët e PVD ishin pamje të cilat qytetarët e komunës së Preshevës ia kujtojnë kohën e pamjeve nga shtetrrethimet e kohës së kasapit të Ballkanit.PVD do të kërkojë sqarim edhe nga autoritet e policisë se me çfarë mandati futen dhe krijojnë shtetërrethim në Asamblenë preshevare.
Komunikata e APN-së
Seanca e V-të e Kuvendit Komunal në Preshevë ka vërtetuar edhe njëherë qasjen vulgare dhe agresive të PDSH-së dhe veçanërisht të PVD-së ndaj këtij institucioni më të lartë legjislativ të Komunës së Preshevës, ku me metoda të orkestruara uliganeske pengojnë si kurrë më parë mbarëvajtjen e seancave punuese të këtij institucioni. Violenca gojore dhe fizike në mungesë të argumentit dhe arsyes ka shpërfillur interesat e politikës së momentit të kësaj konjukture politiko-ekonomike që tani më po përjeton ditët më të vështira të saj në fundim e sipër. Kryetari i PVD-së, Shaip Kamberi për t`i kamufluar dështimet e njëpasnjëshme në pushtetin e tij, ka inicuar veprime përçarëse dhe antikombëtare për lojën e interesave të tyre klanore që po shfaqen në kontinuitet pas skandaleve të qeverisjes së tij. Prodhuesit historik të zgjënjimit dekador edhe në këtë rast kanë tentuar të justifikojnë veprimet e tyre antinjerëzore duke aktëruar rolin e viktimës.
Pamjet e publikuara vërtetojnë qartë që këshilltari i PVD-së, Rinor Krasniqi që njihet botërisht se ka përdorur dhunën fizike ndaj këshilltarit tonë në punimet e seancës në gusht të vitit 2018, ka demoluar foltoren e Kuvendit Komunal duke kërcënuar dhunë fizike po të përmendet ish-kryetari i PVD-së Riza Halimi. Koncepti konspirativ ka vazhduar edhe më pastaj kur këshilltari i PVD-së, Skender Destani ka tentuar të sulmoj Kryetarin e Kuvendit z. Sami Salihu. Megjithatë komploti dhunues ka pasur tentativë pamundësimin e seancës për t`u ankuar në gjykata për largimin e pushtetit komunal duke arsyetuar se seanca nuk është mbajtur në limitin e afatit sipas dispozitave ligjore. Në videon që po ndajmë me ju, të nderuar qytetarë të Komunës së Preshevës, shihet qartë inskenimi ku kryetarja e PVD-së, dega në Preshevë, Ardita Sinani ka kërkuar nga një bashkëpunëtor i saj të afrohet për t`marrur pamjet dhe në momentin e veçant ku kishte kërkuar intervenimin e policisë lokale.
Gjithashtu në video shihet kryetari i PDSH-së Ragmi Mustafa duke e ftuar Rinor Krasniqin të vazhdoj aksionin në sallën tjetër pasi ai përfundoi aksionin e parë në sallën e Kuvendit Komunal.
Dënojmë ashpër dhunën gojore dhe fizike që ka në agjendë PVDSH-ë në Kuvendin Komunal të Preshevës, ndërkaq ftojmë anëtarët, simpatizantët e APN-së si dhe gjithë qytetarët e Komunës së Preshevës të përmbahen ndaj provokimeve eventuale si dhe rasteve spontane. Janë këta plagët e shoqërisë sonë që me qëndrime antidemokratike synojnë rrëmbimin e lirisë elementare dhe themelore në institucionin më të lartë ligjëvenës në Komunën tonë.