Lokale
Inaugurohet rruga e “Bashkimit” të shqiptarëve (foto&video)
“Nuk e di se si mund të bashkohen shqiptarët ndryshe përveç se në këtë mënyrë”, u shpreh para të pranishmëve Shpend Xhelili, këshilltar pranë asamblesë komunale në Bujanoc, si dhe banor i fshatit Breznicë, me rastin e inaugurimit të rrugës që lidhë qytetin me Malësinë e Bujanocit.
Gjatë inaugurimit të kësaj rruge ishin mbledhur shumë qytetarë të komunës së Bujanocit, ndërsa këtë ngjarje e quajtën historike, për faktin se në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, ndërtimi i kësaj rrugë është mënyra më e mirë për ti bashkuar shqiptarët.
Të pranishmëve iu drejtua edhe kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi, ku ka thënë se shqiptarët kanë me të vërtet festë, duke përmendur edhe tre gëzimet më të mëdha që ka përjetuar që nga viti 2002 e këndej.
“ Gjatë tre mandateve si kryetar i komunës së Bujanocit kam përjetuar tre gëzime shumë të mëdha: Gëzimi i parë ka qenë momenti kur librat në gjuhën shqipe i kam nxjerrë nga bodrumi i Shtëpisë së Kulturës dhe i kam vënë në raft që shqiptarët të kenë mundësi të lexojnë shqip. Gëzimi i dytë ka qenë kur kam filluar ndërtimin e shkollës së mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, vatër e diturisë për shqiptarët, dhe gëzimi i tretë është me të vërtet sot që po e bëjmë këtë rrugë me standarde Evropiane, e gjithë kjo rrumbullakon se shqiptarët kanë festë me të vërtetë, festa e 100 vjetorit të Pavarësisë të shtetit tonë Shqiptar”, ka thënë Arifi.
Arifi ka shtuar se për të arritur deri këtu është dashur një punë shumë e madhe. Dhe kjo rrugë është arterie që e lidh qytetin e Bujanocit me Malësinë, gjegjësisht bashkon shqiptarët.
Ndërkaq, fjalën përshëndetëse e mori edhe babai i komandant LLeshit, Haxhi Hyseni, duke thënë se kjo rrugë e ka marrë emrin e “Bashkimit” qysh para 12 viteve atëherë kur është ndërtuar ura te “Madeni” nga ish ushtarët e UÇPMB-së dhe Komandant Lleshit (Ridvan Qazimi). Është bërë ura e “Bashkimit” , por tani është ndërtuar edhe rruga dhe do të bëhet me të vërtet “Bashkim”.
Drejtori i Drejtoratit për Ndërtim Agim Haliti, thotë se “ne punuam, vepruam, sfiduam qysh para 12 viteve me ndërtimin e rrugës në mënyrë shumë simbolike, urën e ‘Bashkimit’, ajo urë tash do të zgjerohet, siç është zgjeruar edhe kjo rrugë dhe prapë do ta mbajë emrin rruga e ‘Bashkimit’”.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe disa përfaqësues të lartë si dhe këshilltarë të LPD-së dhe UDSH-së, ndërsa përfaqësues të PVD-së nuk kanë marrë pjesë në këtë ngjarje.
Punimet e kësaj rruge kanë filluar një muaj më parë, ndërkaq tani janë asfaltuar tre kilometrat e para. Rruga në fjalë do të ketë një distancë afro 6 kilometra dhe do të kushtojë 105 milionë dinarë përfshirë edhe TVSH-në , punë kryerës është kompania “Saba Bellca”./Titulli.com/
http://www.youtube.com/watch?v=5XD4zpSNTXc
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!