Lokale
Beogradi të ndahet nga aktet e dhunës ndaj shqiptarëve të Luginës
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka deklaruar sot se qeveria shqiptare është e interesuar për një kapitull të ri marrëdhëniesh pozitive me Serbinë, pasi një zhvillim i tillë, sipas tij, është edhe në interes të rajonit dhe të qëllimit të përbashkët për integrim në Bashkimin Evropian, raporton tch.
Gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm serb, Ivan Mrkiq, Berisha theksoi se dallimet mes të dy vendeve nuk duhet të behën pengesa për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale dhe se pavarësisht të shkuarës, e ardhmja e këtyre marrëdhënieve duhet të jetë ajo e miqësisë dhe bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes reciprok si në edukim, kulturë, turizëm, ekonomi etj.
Në këtë kuadër, Berisha vlerësoi se përmirësimi i lidhjeve infrastrukturore lehtëson shkëmbimet ekonomike, tregtare, kulturore etj.
“Kështu, ndërtimi i autostradës Nish-Merdarë dhe i një hekurudhe që lidh portet e Shqipërisë me Evropën qendrore do të krijojnë hapësirat të mëdha bashkëpunimi në të ardhmen”, tha Berisha.
Nga ana e tij, ministri serb u shpreh se në këtë vizitë ai sillte mesazhin e ndjenjave miqësore të qeverisë së re serbe për popullin shqiptar. Mrkiq u shpreh se dy kombet kanë jetuar pranë njëri – tjetrit ndër shekuj dhe do të ishte në interesin më të mirë të marrëdhënieve dypalëshe që raportet bilaterale të bazohen në pjesën më të mirë të marrëdhënieve shumë shekullore.
Ai theksoi se vërtet ekzistojnë diferenca në marrëdhëniet dypalëshe por këto marrëdhënie në të ardhmen duhet të bazohen në qëllimet e mira të përbashkëta, pavarësisht diferencave.
Të dy bashkëbiseduesit u shprehën për nevojën për të rikapur shanset e humbura në të shkuarën dhe se në këtë kuadër është me rëndësi zhvillimi i takimeve në kuadrin e një komiteti ndërqeveritar, i cili do të identifikojë fushat me interes dypalësh.
Njohja e Kosovës nga Serbia, hap drejt integrimit
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivan Mrkiq deklaroi në Tiranë, se historia nuk ka lejuar që Shqipëria të ketë marrëdhënie të mira me Serbinë. Mrkiq deklaroi se shpreson që në të ardhmen bashkëpunimi mes dy vendeve të vazhdojë dhe të forcohet.
“Ne serbët e kemi provuar gjenocidin dhe e mbajmë mend gjatë këtë. Ne kemi interpretime të ndryshme për historinë prandaj duhet sa më pak t’i referohemi kësaj periudhe. T’ia lënë historianëve dhe njerëzve të shkencës këtë çështje. Ne si politikanë duhet të përpiqemi që të vëmë në pah çdo gjë që na bashkon”, tha Mrkiq, kur u pyet se kur Serbia do të kërkojë falje për gjenocidin ndaj shqiptarëve.
Këto deklarata ministri i Jashtëm serb i dha në një konferencë të përbashkët me homologun e tij shqiptar Edmond Panariti, në kuadër të vizitës së tij në Shqipëri, zhvillim politik që është pritur me reagime nga Aleanca Kuqezi e po ashtu edhe nga PDIU-ja.
Nga ana e tij, kryediplomati shqiptar Panariti u shpreh se Tirana zyrtare është e preokupuar që marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës, dy vende sovrane, të vazhdojnë në rrugë të mbarë, ashtu sikurse po ecin.
Ministri Panariti theksoi se ka biseduar me homologun e tij serb për njohjen reciproke të diplomave, ndërsa theksoi se duhet bërë më shumë për bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar.
“Duhet të përmirësohet jeta e faktorit shqiptar në Luginën e Preshevës. Kërkova që autoritetet serbe të ndahen nga aktet e dhunës ndaj shqiptarëve”, u shpreh Panariti.
Ministri, ndër të tjera u shpreh se njohja e Kosovës do të ndihmonte të dyja vendet drejt të ardhmes evropiane.
Më herët Mrkiq ka thënë se vizita e tij në Tiranë ka një rëndësi të veçantë për ripërtëritjen e marrëdhënieve në rajon.
Mrkiq në Tiranë, komente në mediat serbe
Vizita e ministrit të Jashtëm serb, Ivan Mrkiq, në Tiranë ka zgjuar interes edhe tek mediat serbe.
Shtypi e ka cilësuar këtë vizitë si të rëndësishme dhe të parën prej tetë vjetësh të një ministri të Jashtëm, ndërsa kanë raportuar edhe për takimin me kryeministrin, Sali Berisha. Ndërkaq, nuk ka kaluar pa u përmendur edhe protesta e organizuar nga Aleanca Kuqezi.
“Dhjetëra nacionalistë shqiptarë kanë protestuar në mënyrë të qetë kundër vizitës së ministrit të Jashtëm Mrkiq në Tiranë”, shkruan shtypi.
Gazetat theksojnë se Mrkiq ka deklaruar se është një vizitë e rëndësishme për të krijuar baza bashkëpunimi, ndërsa thonë se nacionalistët shqiptarë nuk duan që Shqipëria të mbajë marrëdhënie me Serbinë për shkak të Kosovës
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!