Ilir Meta priti kryetaren e Preshevës
Presidenti Ilir Meta priti këtë të mërkurë në një takim kortezie kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, transmeton Top Channel.Presidenti Meta theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi mes bashkive të ndryshme të Shqipërisë me Komunën e Preshevës dhe realizimi i projekteve të përbashkëta që kanë të bëjnë me jetën kulturore, arsimore, sportive, por edhe me zhvillimin ekonomik të Preshevës.
Ndër të tjera, kreu i shtetit theksoi rëndësinë e madhe që ka integrimi i shqiptarëve në të gjitha nivelet e administratës vendore dhe qendrore, në interes të garantimit të të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Gjithashtu, Meta priti po sot ministrin e Maqedonisë për Investimet e Huaja, Ramiz Merko, i cili po zhvillon një vizitë pune në Tiranë. Meta vlerësoi qasjen dhe interesin e qeverisë së re maqedonase për të nxitur e rritur bashkëpunimin politik dhe ekonomik mes dy vendeve.