Lokale
Hiqet taksa, polica me procedurat mbetet (video)
Ashtu siç ishte premtuar edhe ndodhi. Qytetarët e Luginës nga dita e sotme mund të udhëtojnë drejt Kosovës pa paguar taksën e policës së sigurimit.
Rreth dy vite pas vendosjes së taksës për policë sigurimi të veturave, shqiptarët e Luginës hyjnë në Kosovë pa paguar 20 euro për qëndrim 7 ditorë në territorin e Kosovës.
“Hymë në Kosovë pa paguar taksën për policë sigurimi, ndërsa procedura ishte e njëjta, vetëm se nuk dhamë 20 euro”, u shprehën kalimtarët e rastit nga komuna e Bujanocit, raporton Titulli.
“Kjo taksë është dashtë të hiqet më herët mirëpo edhe tani falënderojmë për këtë hap të ndërmarrë”, u shpreh një kalimtarë tjetër, ndërsa pat edhe nga ata që thanë se tani Kosova duhet të investojnë në Luginë nga 13 milion eurot e grumbulluara nga policat e sigurimit.
Qytetarët e Luginës që kalojnë pikat kufitare që lidhen me Kosovën duhet të pajisen me policën e sigurimit që vlen maksimum për 15 ditë.
Për këtë sigurim drejtuesit e makinave nuk do të paguajnë, mirëpo përveç nënshkrimit të policës, kësaj here duhet t’i nënshtrohen procedurës së kopjimit të letërnjoftimit si dhe librezës së veturës. Kjo procedurë e shtuar pritet të krijojë radhë të gjata të makinave me udhëtarë.
Sido që të jetë, mbajtjen e premtimit për heqjen e taksës së policës së sigurimit për vetura e ka përshëndetur kryetari i Lëvizjes “Vatra”, Sejdullah Kadriu, i cili me anëtarë të kësaj lëvizje në mesnatë qëndroi në pikën kufitare Dheu i Bardhë – Konçul.
“Qytetarët i pamë se ishin të gëzuar me që kjo taksë nuk është dashtë të futet, por ja që tash është hjek. Pos kësaj ne kërkojmë që edhe qytetarët e Kosovës të udhëtojnë lirshëm në pikat kufitare të Serbisë dhe më gjerë në Evropë”, u shpreh Kadriu me rastin e vizitës gjatë hyrjes në fuqi të vendimit të Qeverisë së Kosovës.
Paralajmërimin për heqjen e policës së sigurimit, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi e bëri më 9 tetor, pas takimit që pati me liderët shqiptarë të Luginës./Titulli.com/
http://youtu.be/fiv4hLSL0rA
--------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!