Hill ndau me kryetarin e Parlamentit serb shqetësimin e SHBA-së për Rusinë
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se i ka ndarë shqetësimet e tij me kryetarin e Parlamentit serb, Vladimir Orliq, për situatën në këtë shtet lidhur me Rusinë.
“Unë e kam shprehur qëndrimin e Shteteve të Bashkuara në shumë tema, sa i përket Kosovës, situatës me Rusinë, dhe shqetësimet tona për Rusinë në përgjithësi”, ka thënë Hill, kur është pyetur nga Radio Evropa e Lirë për vizitën e deputetëve rusë në Parlamentin e Serbisë.
Tre deputetë rusë, të cilët janë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian - për mbështetjen e luftës së Rusisë në Ukrainë - e kanë vizituar Parlamentin e Serbisë më 19 prill.
Deputetët e Këshillit Federal të Rusisë, Elena Afanasjeva, Andrej Chernishev dhe Vladimir Krugli, janë takuar me kryetarin e Parlamentit të Serbisë, Vladimir Orliq dhe disa deputetë tjerë.
Ambasadori amerikan ka shtuar se i ka treguar kryetarit të Parlamentit të Serbisë se është i kënaqur me bashkëpunimin bilateral në mes të Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Deputetët rusë në ditën e dytë të vizitës në Beograd
Në ditën e dytë të vizitës së tyre në Beograd, deputetët rusë kanë vazhduar takimet me zyrtarë qeveritarë.
Ministri për Administrim dhe Qeverisje Lokale, Aleksandar Martinoviq, ka thënë se me deputetët rusë është diskutuar për forcim të bashkëpunimit mes Serbisë dhe Rusisë.
Sipas tij, dy shtetet kanë nënshkruar 40 marrëveshje për bashkëpunim në fusha të ndryshme.
Serbia është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka vënë sanksione ndaj Rusisë, për luftën e nisur në Ukrainë.
Megjithatë, Serbia ka thënë se e respekton integritetin territorial të Ukrainës dhe në Kombet e Bashkuara i ka mbështetur disa rezoluta që e kanë dënuar luftën e Rusisë./REL/