Hazenau takon liderët e Luginës, njoftohet me shqetësimet e shqiptarëve (foto)
Zëvendës ambasadori gjermanë në Beograd Michael Hazenau ka qëndruar sot në Luginë të Preshevës me ç’rast ka zhvilluar takime të ndara me kryetarin e komunës së Preshevës Ragmi Mustafa, deputetët Riza Halimi dhe Shaip Kamberi, kryetarin e KKSH Galip Beqirin, e të komunës së Bujanocit dhe Kuvendit Komunal, Nagip Arifin e Jonuz Musliun.
Pas takimeve i ngarkuari me punë në ambasadën gjermane nuk është prononcuar për media.
Por kryetari komunës së Preshevës Ragmi Mustafa tha se Mihael Hazenau ka qenë shumë i interesuar që të njoftohet me problemet e shqiptarëve në Komunën e Preshevës por duke reflektuar edhe në komunat e Bujanocit dhe Medvegjës.
“Interesimi sidomos se si kanë ndikuar marrëveshjet e arritura në Bruksel në mes të Prishtinës dhe Beogradit tek shqiptarët e Luginës së Preshevës”.
Mustafa tha se disa marrëveshje kanë rënduar edhe më shumë situatën siç është ajo e taksës së sigurimit, e që deri në arritjen e marrëveshjes këtë taksë se kemi pasur.
“Zv/ambasadori është njoftuar se në fushat shoqëroro-ekonomike dhe shoqëroro-politike s’ka pasur përmirësime, por shqiptarët janë të angazhuar se shkalla e të drejtave të serbëve të Kosovës duhet të arrihet edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës”, ka thënë kryetari i Preshevës.
Sipas Mustafës, zv/ambasadori pajtohej se problemet që janë paraqitur janë të tilla dhe premtoi se ato do të përcillen edhe në qeverinë gjermane.
Për të ngarkuarin me punë në ambasadën gjermane problemet do të zgjidhen sepse BE do të jetë “e rreptë” me Serbinë në rrugën e saj të integrimeve evropiane, për këtë tha se shqiptarët do të binden se këto të drejta do të përmirësohen. “Gjermania nuk pranon asnjë shtet që shkel të drejtat e qytetarëve të vet”.
Edhe deputeti Riza Halimi tha se zv/ambasadorit i ka interesuar reflektimi marrëveshjeve të Brukselit tek shqiptarët në Luginë të Preshevës. Nga ambasada gjermane ka pasur interesim edhe rreth njohjes së diplomave, dhe ata u zotuan se ky problem do të zgjidhet.
“Biseduam edhe për raportet tona me qeverinë në Beograd, Trupin Koordinues dhe problemet që i ka Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve. Trupi Koordinues duhet të jetë produktivë dhe nëse vazhdon me këto veprime të deritashme që janë të njëanshme, atëherë më mirë mos të jetë se sa që i pengon zhvillimet”, shtoi Halimi.
Një takim me tema të ngjashme diplomati gjerman ka realizuar edhe me kryetarin e KKSH-së Galip Beqirin, kryetarin e komunës së Bujanocit Nagip Arifin si dhe të Kuvendit Komunal, Jonuz Musliun.
Sipas njoftimit të KKSH-së, kryetari Beqiri e ka njoftuar z. Hazenau për gjendjen e bashkësisë shqiptare në Serbi, me theks të veçantë në fushat për të cilat është kompetent KKSH, kryesisht në lëminë e arsimit për mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe si dhe pranimin e studimeve të arritura në vendet e rajonit.
Beqiri e ka falënderuar për interesimin e vazhdueshëm që po tregon Gjermania lidhur me avancimin e të drejtave të pakicave kombëtare, gjatë procesit të integrimeve evropiane të Republikës së Serbisë.
Pas largimit të ambasadorit të gjermanisë në Beograd Heinz Wilhelm, i ngarkuar me punë në këtë ambasadë mbetet zëvendës ambasadori Michael Hazenau./Titulli.com/