Hasta La Vista: RTV "Bujanoci" dhe RTV "Presheva"!
Me takimin e fundit, në Bujanoc, të institucioneve komunale e shtetërore, rreth privatizimit të medieve në Serbi, frika nga këto procese ka filluar të normalizohet. Ligji për privatizimin e medieve është i qartë dhe nuk ka lëshime për dikë "nënë" e për dikë "njerkë".Deri në qershor të vitit 2015, do të privatizohen RTV „Bujanoci” dhe RTV „Presheva”, në përputhje me ligjin për mediet dhe ligjin për privatizim.
Këtë proces të pashmangshëm të privatizimit të medieve e dinë shumë mirë kryetarët e Komunave të Bujanocit dhe Preshevës: dr. Nagip Arfi dhe dr. Ragmi Mustafa, të cilat edhe ashtu gjatë aprovimit të buxhetit komunal për vitin 2015, e kishin paraparë financimin për deri në qershor për mediumet që kanë për themelues. Por, politikë është ajo, që ata bëjnë për t’i mbajtur gjallë shpresat e punëtorëve të shumtë të këtyre shtëpive informative me premtimet se do të bëjnë të pamundurën për shpëtimin e tyre nga privatizimi i sigurt.
Derisa kryetarët e komunave Bujanoc – Preshevë dhe, ai, i Trupit Koordinues për këtë rajon, para disa muajve, trumbetonin se do të gjendet një „modus vivendi”, për këto shtëpi televizive, që të mos privatizohen, po mbetet vetëm një premtim me vello mashtrimi.
Serbia është shtet juridik e cila i bie ligjet në gjithë territorin e saj pa dallim, të cilat i zbatojnë edhe kryetarët e komunave shqiptare në jug të vendit.
Për t’i relaksuar nga këto siklete të procesit të privatizimit kryetari i Këshillit Nacional Jonuz Musliu, karron për një çast premtimet e kryetarëve të komunave për tejkalimin e privatizimit të medieve lokale dhe thotë se do ta themeloj një televizion rajonal, në të cilin do të kyçeshin gazetarët e televizioneve në privatizim.
Këto dallime në mendime edhe më shumë e mjegulluan procesin e privatizimit të medieve shtetërore, duke e bërë atë “lesh arapi”. Por, ja më në fund doli në shesh e vërteta. Nuk ka kthim parapa të privatizimit të medieve shtetërore.
“Të gjitha ligjet janë në përputhje me strategjinë mediale. Ato janë miratuar nën monitorimin e Bashkimit Evropian, ndërsa janë punuar në procesin transparent, që kanë marrë pjesë, brenda grupeve punuese dhe si vëzhgues, përfaqësues të OSBE-së, me ndihmën e ekspertëve që ka angazhuar delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi, dhe që të tre ligjet janë miratuar edhe në Brukselin”, doli porosia e qartë rreth privatizimit të medieve.
Pas këtij mesazhi nuk u mbetet tjetër kryetarëve të komunave në Bujanoc dhe Preshevë, veç të mendojnë më prajshëm rreth këtij procesi, të veprojnë me mend se si t’i radhisin nëpër ndërmarrjet e tjera këta punëtorë televizionesh dhe si t’i ndajnë paratë me konkurs publik për mediet lokale, pa anime e ngjyra partiake.
Sa i përket drejtorëve të këtyre ndërmarrjeve publike RTV “Bujanoci” dhe RTV “Presheva”, nuk paraqesin ndonjë problem serioz. Për Preshevën nuk dihet se ku do ta qojnë drejtorin, ndërsa për në Bujanoc, është e qartë si në ditë të pazarit.
Drejtori i RTV “Bujanoci”, Hajredin Ademi, do të shkoj drejtor në Ndërmarrjen Publike “Komunalia”, për t’i dhënë fund masave të dhunshme pa kufij në këtë shtëpi komunalie. Do të shkoj drejtor pa problem ngase, ai, është mësuar të kaloj nga një drejtorat në tjetrin, duke hyrë në historinë e kësaj komune, me mandate më të shkurta të udhëheqësisë. Ja statistika: më pak se një vit drejtor në Agjencinë Turistike në Bujanoc, një vit në RTV “Bujanoci” dhe me tamam edhe një vit në NP “Komunalia”, deri në zgjedhjet e ardhshme lokale, nëse nuk mbahen brenda këtij viti.
Edhe këto janë procese nëpër të cilat po kalon shoqëria jonë me drejtorë vikendi nëpër shkolla dhe me drejtorë mandatesh nëpër ndërmarrjet publike, apo jo?!
Shoqata “Perspektiva”, Sevdail Hyseni Bujanoc (ish drejtor i RTV "Bujanoci")
Opinioni i autorit është personal (organizatës) dhe nuk paraqet mendimin e Portalit Informativ-TITULLI