“Hapet” Arifi, sqaron situatën në Komunë të Bujanocit
Intervista

“Hapet” Arifi, sqaron situatën në Komunë të Bujanocit

05.Aug.2013 21:56
0
Kryetari i komunës së Bujanocit, Dr. Nagip Arifi, në një intervistë të hapur për portalin informativ Titulli.com ka dhënë përgjigje në shumë pyetje për të cilat qytetarët e kësaj komune por edhe më gjerë dëshironin një përgjigje. Arifi në intervistën e mëposhtme ka sqaruar pozitën e palës shqiptare në bisedimet që po zhvillon me Beogradin, raportet me Lëvizjen e Progresit Demokratik (LPD), ndërsa ka folur edhe për qëndrimin që ka ndaj dy subjekteve opozitare Partisë për Veprim Demokratik (PVD) dhe Unionit Demokratik Shqiptar (UDSH). Intervista përfshinë edhe përgjigjet rreth zhvillimit ekonomik, infrastrukturor, bashkëpunimin me faktorin ndërkombëtar dhe kombëtar, gjendjen në arsim dhe ndërmarrje publike, kuadrot e zgjedhura, rreth mërgimtarëve dhe mundësisë së mbajtjes së zgjedhjeve lokale.   Titulli: Përshëndetje z.Arifi, për fillim na thoni se me çka Bujanoci dallohet për momentin nga komunat dhe rajonet tjera ? Nagip Arifi: Në radhë të parë mund të dallohet për nga pozita e volitshme gjeografike që ka. Bujanoci është një komunë e cila ndodhet në trekëndëshin me Kosovën-Maqedoninë-Bullgarinë. Përmes Bujanocit kalon Korridori 10 i cili lidhë Evropën me Azinë dhe pastaj përmes deteve edhe me pjesët tjera të botës. Poashtu edhe hekurudha paraqet përparësitë e veta dhe me modernizimin e saj do t’i kthehet nami i dikurshëm. Por, komuna jonë ka edhe specifikat tjera të veçanta. Ka karakterin e saj multietnik ku gërshetohen shumë gjuhë dhe shumë kultura. Specifikë tjetër është se Bujanoci është i njohur edhe për Bashkësinë Ndërkombëtare si rrjedhojë e konfliktit të vitit 2000-2001.   Titulli: A do të thotë kjo se pikërisht për shkak të këtyre specifikave kemi edhe vizita të shumta të diplomatëve perëndimorë në Bujanoc ?  Nagip Arifi: Mund të jetë edhe kjo. Që nga viti 2002 Bujanoci ka qenë oazë e qëndrimit të shumë delegacioneve nga vise të ndryshme të botës. Këtu do t’i kisha veçuar ambasadorët e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Zvicrës, Holandës, Belgjikës, Suedisë etj. Njëkohësisht nuk duhet harruar as përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, OSBE-së, Këshillit të Evropës dhe OKB-së, të cilët na bëjnë vizita të shpeshta dhe shpesh ftohemi për t’i vizituar ata. Këtu nuk e përmenda Ambasadën e Shqipërisë ngase me përfaqësuesit e saj gjithmonë ndihemi si në shtëpinë tonë dhe ata si në shtëpinë e tyre. Por tek ne qëndrojnë edhe përfaqësues të Stejt Departamentit Amerikan, të NATO-s, e shumë e shumë aktivistë të organizatave të ndryshme ndërkombëtare. Me të gjithë këta kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm dhe nuk ka festë kombëtare të shteteve të cilat ne i konsiderojmë si mike e të mos jemi të ftuar.   Titulli: Sa ka arritur Bujanoci të përfitojë nga e gjithë kjo miqësi ?  Nagip Arifi: Më lejoni pak të kthehem në të kaluarën. Të kujtojmë pak vitin 2002 e këndej, sa e sa rrugë, shkolla, ambulanca, kanalizime, ujësjellës, ndriçime publike, furnizime shtesë me energji, etj. janë ndërtuar apo riparuar falë ndihmës së miqve tanë ndërkombëtarë. Këto ndihma po vazhdojnë edhe në ditët tona. Edhe më tej kemi programin e BE-së, Progres, i cili funksionon falë ndihmës edhe të qeverive të Zvicrës dhe Suedisë, organizatën amerikanë USAID, atë gjermane HELP dhe disa organizata të tjera me të cilat po vazhdojmë bashkëpunimin.   Titulli: Po me përfaqësuesit mbarëkombëtarë si qëndron puna ?  Nagip Arifi: Në realacione mjaft korrekte dhe vëllazërore. Më herët përmenda raportet me Ambasadën e Shqipërisë se si janë, ne gjithmonë i kemi dyert e hapura në Tiranë ku kemi pasur takime me presidentin Nishani, kryeministrin Berisha dhe shumë ministra të ministrive përkatëse. Ngjashëm është edhe me Prishtinën. Shumë herë jemi takuar dhe konsultuar me kryeministrin Thaçi, presidenten Jahjaga, zv/kryeministrin Kuçi, me shumë ministra dhe zyrtarë të tjerë. Bashkëpunim mjaft i mirë është edhe me faktorin shqiptarë në Maqedoni, si atë në qeveri ashtu edhe atë në opozitë. Nëse më pyetni se sa kemi arritur të përfitojmë nga këto bashkëpunime do t’ju kisha përgjigjur sinqerisht, shumë pak. Pas Marrëveshjes për bashkëpunim midis komunës sonë dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Republikës së Shqipërisë fituam një donacion prej dhjetëra kompjutorëve dhe bursave studentore. Të gjitha këto i ofruam për shoqërinë civile dhe mediat. Edhe pse donacion i vogël, kishte vlerën e vet simbolike ngase ishte i pari nga shteti shqiptarë. Ndihma tjera kemi në kuotat e parapara për regjistrimin e studentëve tanë në universitetet e Shqipërisë dhe Kosovës. Nga Kosova akoma nuk kemi pasur ndonjë ndihmë konkrete materiale, por ne e kuptojmë situatën në cilën ndodhet Prishtina për shkak të agjendës së bisedimeve që akoma ka në raport me Serbinë dhe Bashkësinë Ndërkombëtare. Por ne duhet të jemi optimist se edhe Shqipëria edhe Kosova do të shtojnë përkujdesjen për Luginën.   Titulli: Po i kthehemi pak zhvillimeve brenda komunës. Si është duke funksionuar koalicioni lokal?  Nagip Arifi: Është mjaft stabil dhe transparent midis subjekteve që e përbëjnë atë.   Titulli: Pse keni vendosur që edhe LPD të jetë pjesë e koalicionit, a do të thotë kjo se nuk keni pasur stabilitet politik?  Nagip Arifi: Absolutisht nuk do të thotë kështu. Kemi pasur edhe stabilitet e edhe kuadro të mjaftueshme për të udhëhequr Bujanocin gjatë tërë mandatit edhe pa LPD-në. Por ne i’u kemi përmbajtur fjalës së dhënë se të gjitha subjektet shqiptare i kanë dyert e hapura në pozitë. PVD dhe UDSH kanë vazhduar t’i mbajnë inatet e tyre personale ndërsa LPD ka vlerësuar se është në të mirën e qytetarëve të Bujanocit për t’u kyçur në koalicion, dhe kjo është për t’u përshëndetur.   Titulli: z.Kryetar, programi i juaj zgjedhor është bazuar kryesisht në zhvillimin ekonomik. Sa po arrini të realizoni këtë program ?  Nagip Arifi: Fillimisht duhet potencuar se ne sapo kemi përfunduar vitin e parë të qeverisjes në këtë përbërje dhe se i kemi edhe tre vite tjera mandatare, dhe atëherë mund të bëjmë një përmbledhje të përgjithshëm të të arriturave apo të dështimeve. Duke pasur parasysh gjendjen e përgjithshme në vend dhe në rajon, mund të them se jam i kënaqur me të arriturat në këtë drejtim, pa përjashtuar mundësinë se ka mundur të behet edhe më tepër. Kemi realizuar disa projekte ku kanë gjetur angazhim me dhjetëra individë. Disa me punë të përhershme, disa me kontrata, por në përgjithësi ka lëvizur diçka. Do t’i veçoja projektet me USAID-in amerikan, me Help-in gjerman, me Trupin Koordinues, Me Aliancën Nacionale për Punësim, etj. Në të gjitha këto projekte kemi me dhjetëra të angazhuar, e që nuk është pak nëse krahasojmë me të kaluarën. Në drejtim të zhvillimit ekonomik janë edhe subvencionet e ndryshme që janë bërë për bizneset, për prodhuesit e duhanit, por janë edhe kuadrot e reja që kanë gjetur punësim në administratën komunale. Ne kemi lëshuar me dhjetarë vendime për punë të përhershme dhe kemi angazhuar dhjetëra praktikantë. Kur kemi parasysh kapacitet e Bujanocit besoj se këto nuk janë edhe gjëra të vogla. Në favor të zhvillimit janë edhe bashkëpunimet tona që kemi bërë me Odat Ekonomike në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. Përveç kësaj, komuna jonë do të ricertifikohet sërish në shtator nga NALED-i si komunë me ambient të volitshëm për investime. Në saje të punës së suksesshme dhe efektive të administratës është arritur kjo, ngase shumë më lehtë është të arrihet certifikimi për herë të parë sesa të ruhet ai. Gjithashtu, kohëve të fundit kemi venë një bashkëpunim edhe me Agjencionin Republikan për Privatizim që edhe komuna jonë të jetë partnere në procesin e privatizimit të ndërmarrjeve publike.   Titulli: Po infrastruktura z. Arifi, cfarë po punohet në këtë drejtim ?  Nagip Arifi: Mund të them se po bëhet mjaft. Pak kohë më parë patëm shënimin e njëvjetorit të qeverisjes dhe bëmë një përmbledhje të të arriturave me anë të një projeksioni filmik. Edhe pse në të nuk ishte përfshirë gjithçka, të pranishmit mbetën të habitur se çfarë është punuar brenda 365 ditëve. Po i numërojë vetëm se disa projekte: rruga për Breznicë, ajo e Bilinicës, disa rrugë në Tërnoc, Bujanoc, Bilaç, Samolicë, ujësjellës, kanalizime, objekte shëndetësore, etj. Por këto më së miri i vërejnë qytetarët të cilët i prekin vet gjërat.   Titulli: z.Arifi, megjithë investimet qytetarët ngelin të pakënaqur në disa sfera. Psh. një pjesë e Tërnocit gjatë kësaj vere më tepër është pa ujë të pijshëm sesa me të ?  Nagip Arifi: E di shumë mirë këtë problem. Bëhet fjalë për një resor i cili udhëhiqet nga Ndërmarrja Publike Komunalia. Është kjo ndërmarrje e cila ka trashëguar një situatë të brishtë për vite të tëra. Megjithatë unë nuk do t’i shfajësojë nga përgjegjësia as udhëheqësit e saj të tanishëm. Ne kemi ndërmarrë disa hapa, disa të tjera do të bëhen edhe ditëve të ardhshme në mënyrë që situata të përmirësohet. Nuk mundet që në këtë ndërmarrje të ketë më papërgjegjësi, papunë, të ketë shef mbi shefa. Ose do të përmirësohet gjendja, edhe ate shumë shpejt, ose ndryshe do t’ia bëjmë. Në këtë drejtim edhe qytetarët duhet të jenë paksa më racional në përdorimin apo thënë më mirë në moskeqpërdorimin e ujit të pijshëm dhe në kryerjen e obligimeve financiare pak më me rregull. Sido që të jetë nuk e amnistoj Komunalinë për këtë gjendje dhe jam edhe personalisht i angazhuar që të dilet sa më parë nga kjo situatë.   Titulli: Edhe arsimi shqip nuk është duke lulëzuar, nuk e di nëse e pranoni këtë apo jo ?  Nagip Arifi:  Po, po, natyrisht se e pranoj. Nuk është duke lulëzuar sidomos në disa shkolla shqipe. Kjo është pasojë e përzierjes së politikës së dështuar në shkolla dhe për fat të keq këtu pësojnë nxënësit. Edhe pak kompetenca që i kanë partitë që i humbën zgjedhjet e vitit të kaluar po i keqpërdorin për t’i vënë në lojë inatet dhe teket personale, edhe ate në ato shkolla ku është numri më i lartë i nxënësve. Por edhe kësaj drame do t’i vie fundi dhe do të shihet se kush është fshehur prapa këtyre intrigave dhe kurdisjeve në raport me ministrinë e arsimit. Megjithatë ne do të punojmë. Në fillim të shtatorit do të bëjmë edhe hapjen e shkollës në lagjen e Strukarëve në Tërnoc, dhe me këtë do t’ia mbyllim gojën disave se gjoja pushteti po e politizon arsimin.   Titulli: Sa jeni i kënaqur me kuadrot e emëruara si drejtues institucionesh, sidomos ata të cilët vijnë nga radhët e partisë suaj?  Nagip Arifi: Unë jam një person i cili gjithnjë dëshiroj të arrijë më shumë. Këtë i’a përcjell edhe bashkëpunëtorëve të mi dhe kuadrove që i ka deleguar partia. Ka hapësirë për vërejtje, por ka edhe për lëvdata. Në përgjithësi të gjithë së bashku duhet të angazhohemi më tepër, vetëm e vetëm për të mirën e qytetarëve tanë.   Titulli: Kohëve të fundit kanë lindur disa propozime për kthimin e selive të gjykatave dhe të prokurorive. Sa po punohet në këtë drejtim?  Nagip Arifi: Në çdo takim si me ndërkombëtarët si me ministritë përkatëse ne kërkojmë kthimin e Gjykatës dhe Prokurorisë themelore në Bujanoc. Jam optimist se këtë do të arrijmë në një të ardhme të afërt.   Titulli: z. Arifi edhe ju jeni pjesë e delegacionit të përfaqësuesve të shqiptarëve të Luginës në bisedimet me qeverinë serbe. Deri ku është arritur në këtë drejtim?  Nagip Arifi: Kemi pasur dy takime përgatitore në Bujanoc, në selinë e OSBE-së dhe një takim me zv/kryeminstrin, Aleksandar Vuçiq, në Beograd. Bisedimet qe dashur të nisin këtë verë por për shkak të rikonfigurimeve brenda qeverisë serbe me gjasë ato paksa do të shtyhen. Në takimet e deritanishme kemi arritur që zyrtarëve serbë t’ia përcjellim kërkesat tona që burojnë nga Platforma e vitit 2006. Jam i bindur se Serbia medoemos duhet zgjidhur edhe çështjet e pakicave, përfshirë edhe problematikën tonë, ngase vetëm në këtë mënyrë do të jetë kandidate serioze për BE.   Titulli: I përmendët konfiguracionet në skenën politike serbe. Sa mendoni se ndryshimi i relacioneve mund të dërgoj Serbinë në zgjedhjet e parakohshme, përfshirë edhe ato lokale. Dhe në rast të mbajtjes së tyre sa do të jetë e gatshme partia të cilën ju e drejtoni?  Nagip Arifi: PD është një parti serioze dhe si e tillë është e gatshme që gjithnjë t’i përgjigjet ftesës për zgjedhje. Dhe jam i bindur se me këtë rast jo që do të përsëritej rezultati i vitit 2012 por fitorja jonë do të jetë edhe më bindëse.   Titulli: Në këtë periudhë në komunën e Bujanocit po qëndron një numër i madh i mërgimtarëve tanë për pushime. Keni ndonjë porosi për ta?  Nagip Arifi: Mërgimtarët për vitet të tarë kanë qenë shtylla e mbijetesë sonë. Kontributi i tyre për arsimin, kulturën, sportin, infrastrukturën, pozitën sociale, etj,  nuk duhet harruar kurrë. Po mos të ishin bashkatdhetarët tanë, ne si komb do të ishim të përulur para armiqve tanë, por falë ndihmës së tyre ne arritëm t’i mbijetojmë të gjitha sfidave deri në kohën kur erdh momenti të qeverisim me vendin tonë. Tash ne po mundohemi që mërgimtarëve tanë t’ia kthejmë për të mirë kontributin dhe djersën e tyre, duke i ofruar në radhë të parë infrastrukturë të mirë dhe ambient të volitshëm atyre që dëshirojnë të investojnë në vendlindje. Unë të gjithë mërgatës tonë i dëshiroj qëndrim të mirë në vendlindje, pushime të këndshme, i’a uroj edhe festat por edhe gazmendet familjare që i kanë pasur këtyre ditëve.   Titulli: z. Arifi, keni edhe ndonjë porosi për lexuesit e kësaj interviste ?  Nagip Arifi: Patjetër. Meqë jemi në fund të muajit të shenjtë të Ramazanit kisha dashur që të gjithë agjëruesve Zoti t’ua pranoj agjërimin, lutjet dhe adhurimet e kryera gjatë këtij muaji. Poashtu i uroj edhe festën e Fitër Bajramit me shpresë se në familjet tona do të mbretërojë paqja, dashuria, harmonia dhe solidariteti. Me fat të gjithëve, Zoti i bekoftë qytetarët e komunës së Bujanocit dhe shqiptarët në përgjithësi!
Abdulahi: Rinia e Luginës mendjemëdhejë dhe xheloz
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration