Halimi: Të ruhet tërësia territoriale e Luginës me çfarëdo marrëveshjeje mes Kosovës e Serbisë
Veterani i skenës politike të Luginës së Preshevës, Riza Halimi, bashkimin e mundshëm të këtij territori me Kosovën e konsideron përmbushje të ambicieve të kahershme të shqiptarëve të kësaj ane, porse shfaq skepticizëm për kohën kur është shfaqur ky propozim.Në vend se nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ky propozim, sipas kryetarit të Partisë për Veprim Demokratik, do të duhej të ishte bërë nga Parlamenti i Kosovës, si organ me legjitimitet të plotë demokratik.
Propozimin aktual Halimi e sheh të mjegullt, të paprecizuar dhe të pakonkretizuar në hapat dhe mënyrën e zbatimit.
Insiston që në fazën finale të dialogut Prishtinë-Beograd, ku supozohet se do të diskutohet fati i Luginës, pjesë e negociatave të jetë një përfaqësues i saj.
Sheh paradokse në propozimin aktual, shkaku i parimeve të Grupit të Kontaktit për mosndryshim kufijsh. E lë të hapur rrezikun që nëse Kosova i shkel këto parime, precedenti të shfrytëzohet nga Republika Serbe, e cila prej kohësh synon shkëputjen nga Bosnjë-Hercegovina.
Por, insiston të qartësohet propozimi aktual dhe thotë se janë të palëkundur që të ruhet tërësia territoriale e Luginës me çfarëdo marrëveshjeje që arrihet ndërmjet Kosovës e Serbisë.