Halimi: Emërimi i Shqiprim Arifit i pritshëm, nevojitet mobilizim i partive shqiptare
Lokale

Halimi: Emërimi i Shqiprim Arifit i pritshëm, nevojitet mobilizim i partive shqiptare

23.Sep.2017 09:16
0
Riza Halimi, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik duke analizuar situatën e fundit në komunën e Preshevës theksoi se emërimi i organit të përkohshëm i shërben destabilizimit të strukturave të pushtetit lokal.

Ai përmes një deklaratë për media është shprehur se ky vendim ishte krejtësisht i pritur kur dihen deklaratat e kryetarit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

 

Halimi deklaron se në këtë situatë të rëndë janë të domosdoshme kontaktet me partitë tjera Shqiptare për koordinimin e qëndrimeve dhe modaliteteve të veprimit në mbrojtjen e interesave vitale të popullatës Shqiptare që janë të rrezikuara nga veprimet diskriminuese të Qeverisë serbe. 

Kjo është deklarata e plotë: 

Deklaratë e kryetarit të Partisë për Veprim Demokratik, Riza Halimi nga konferenca për media e 21 shtatorit 2017 

Pas vendimit diskriminues të Qeverisë serbe në të cilin u shkarkua Kuvendi Komunal i Preshevës dhe u caktua organi i përkohshëm joligjorë, kryetarja e Qeverisë, Ana Brnabiq u mundua t'a relativizojë këtë vendim të dëmshëm duke deklaruar se "në Preshevë kishte probleme pasi ishte ndërruar kryetari i komunës dhe nuk kishte funksionuar Kuvendi", duke shtuar më tej se "Qeveria e Serbisë nuk përzihet në këto çështje".

Në fakt me këtë rast Qeveria serbe dhe kryetari i Republikës së Serbisë kanë ndërhyrë në formën më të vrazhdë në destabilizimin e strukturave të pushtetit lokal në Preshevë.

Për hir të së vërtetës duhet të theksohet se pas seancës së 10 marsit, kur u shkarkua ish kryetari i komunës, Kuvendi i komunës së Preshevës i ka mbajtur edhe 4 seanca tjera. Ndërsa në momentin kur u aplikuan masat e përkohshme Ardita Sinani ishte në këtë funksion më shumë se 6 muaj, dhe gjatë kësaj kohe kishte edhe takim pune me Ana Brnabiq, sa ishte ministre e pushtetit lokal. Andaj është krejtësisht tendencioze kur kryetarja e Qeverisë në deklaratën e saj ende merret me kryetarin e shkarkuar e jo me Ardita Sinanin që ishte duke e ushtruar funksionin e kryetarit të komunës së Preshevës gjer në momentin kur u vendosën masat e përkohshme.

            Vendimi diskriminues i Qeverisë serbe ishte krejtësisht i pritur kur dihen deklaratat e kryetarit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që i kishte dhënë në Leskovc më 25 prill të këtij viti. Atëherë kryeministri Vuçiq, pas kritikave të ashpra drejtuar kryeministrit të Shqipërisë dhe kryetarit të Kosovës, kishte deklaruar se "kryetari i komunës ishte ndrruar sipas porosisë politike nga ndonjë anë tjetër" dhe se "EU është duke i nënçmuar zhvillimet në pushtetin lokal të Bujanocit" (lexo Preshevës).

Me këtë rast Aleksandar Vuçiq kishte deklaruar se "në Preshevë janë ndërruar njerëzit e mirë të cilët kanë punuar mirë me ne".

Është krejtësisht e qartë se ky vendim diskriminues i Qeverisë serbe nuk ka të bëjë fare me vlerat evropiane, por në realitet paraqet një kthim prapa katastrofal në praktikat e dështuara politike serbe që manipulonin me modelin e shqiptarëve të ndershëm.

Pra, kemi të bëjmë me orientim anticivilizues të Qeverisë serbe e cila kurrsesi nuk është duke pranuar që për zgjidhjen e çështjes së Shqiptarëve në Serbi e posaçërisht në Luginë të Preshevës, të sigurojë qasje serioze, transparente e demokratike, por me kokëfortësi po vazhdon avazin e vjetër të imponimit të metodave nënçmuese, klandestine dhe korruptive.

Pikërisht me këtë logjikë anticivilizuese Qeveria serbe duke i thyer rëndë normat ligjore imponoi në formën autokrati organin e përkohshëm për komunë të Preshevës, në të cilin e instaloi për kryetar Shqiprim Arifin duke i siguruar monopol absolut me anë të dy anëtarëve tjerë, njëri nga partia e tij e tjetrin nga SNS i Vuçiqit edhe pse të gjithë këta kishin 11 nga 38 këshilltarë në Kuvendin komunal të shkarkuar. Ndërsa, shumë rëndë u margjinalizuan të gjitha partitë tjera politike shqiptare të cilat në këtë Kuvend kishin 27  këshilltarë apo 71.1% të forcës zgjedhore nga zgjedhjet e fundit lokale në Preshevë.

Ky monopol absolut që po i sigurohet kryetarit të shkarkuar në seancën e 10 marsit të vitit 2017 po vjen pikërisht në kohën kur Institucioni shtetërorë i revizionit ka paraqitur raport në bazë të cilit të gjitha prokurimet që i udhëhoqi ai janë në kundërshtim flagrant me Ligjin për prokurime publike.

Me këtë rast është e domosdoshme të theksohet se në Bujanoc me anë të iniciativave për formim të strukturave paralele të mbështetura nga deputeti i SNS - it, gjithashtu po tentohet të destabilizohen strukturat e pushtetit lokal.

Këto veprime antiligjore dhe diskriminuese me të cilat po cenohen rëndë të drejtat politike dhe të drejtat elementare të njeriut në Luginë të Preshevës, po zhvillohen pikërisht në kohën kur serbët e Kosovës pos të drejtave substanciale që i kanë të siguruara me Kushtetutën e Kosovës, po sigurojnë edhe forcë shumë të rëndësishme politike në kuadër të Qeverisë së re të Kosovës.

Në këtë situatë të rëndë janë të domosdoshme kontaktet me partitë tjera Shqiptare për koordinimin e qëndrimeve dhe modaliteteve të veprimit në mbrojtjen e interesave vitale të popullatës Shqiptare që janë të rrezikuara nga veprimet diskriminuese të Qeverisë serbe.

Për situatën aktuale dhe për këto probleme të rënda do të njoftohen OSBE, EU, Ambasadorët e grupit të miqve të Luginës së Preshevës, natyrisht edhe Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës.

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik Riza HALIMI

 

Kamberi: Beogradi dëshiron bashkëpunim-kontrabandë me shqiptarët e Luginës
Komuna e Bujanocit ndan 500 mijë dinarë për shkollën e mesme, dëmet kalojnë mbi 5 milion dinarë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration