Gjuha shqipe sfidon institucionet në Luginë (Video)
Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë të drejtë të përdorin gjuhën dhe shkrimin shqip në të gjitha organet, si ato lokale dhe ato republikane. Këtë të drejtë pakica shqiptare në Serbi e ka të garantuar me konventa ndërkombëtare sikurse edhe me ligjet dhe kushtetutën e Serbisë. Gjithashtu, gjuha shqipe është zyrtare edhe me statut në komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë.Përdorimi i gjuhës dhe shkrimit shqip është edhe njëra prej kompetencave të Këshillit Kombëtar Shqiptar - KKSH, organ i cili është themeluar në vitin 2010, në bazë të ligjeve mbi këshillat nacionale në Serbi.
Kryetari i komisionit për përdorim zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip pranë KKSH-së, Riza Fetahu, thotë se komisioni që drejton ai është pjesërisht i kënaqur me përdorimin e gjuhës në pushtetet lokale, por aspak i kënaqur me përdorimin e gjuhës shqipe në organet republikane.
“Ka probleme edhe në disa ndërmarrje, ku themeluese janë komunat, siç është “Komunalia” në Bujanoc, prandaj ne kemi kërkuar që komunat të sigurojnë për secilën organizatë nga një përkthyes profesional”, thotë Fetahu.
“Nuk jemi fare të kënaqur me përdorimin e gjuhës dhe shkrimit shqip në institucionet republikane, si në gjyqësi, kadastër dhe polici, edhe pse kemi bërë ankesa si ne ashtu edhe përbërja e kaluar e KKSH-së”, thotë Fetahu, duke theksuar problemet, respektivisht mungesën e përdorimit të shkrimit shqip në dokumentet personale, si në letërnjoftim e pasaportë.
Sipas fjalëve të Fetahut, KKSH ka kërkuar që shkollat shqipe vendimet dhe raportet e inspeksionit republikan të arsimit t’i marrin në gjuhën shqipe, e gjithashtu që punëtorët arsimor provimet për licencë t’i mbajnë në gjuhën shqipe.
Mbrojtësi i qytetarëve të Serbisë, Sasha Jankoviq, lidhur me këtë temë thotë se në disa organe nuk përdoret gjuha shqipe, prandaj fton qytetarët e sidomos organizatat joqeveritare të dërgojnë ankesa në adresë të këtij institucioni në rastet ku mendojnë se i cenohen të drejtat e tyre.
“Në disa organe nuk përdoret gjuha shqipe, sikur në disa organe ku përdoret vetëm gjuha shqipe. Puna jonë është të shohim se cila është arsyeja e vërtetë, a po pengon dikush me qëllim apo është në pyetje ndonjë problem administrativ”, thotë Jankoviq.
Mbrojtësi i qytetarëve kërkon nga qytetarët ankesa praktike e konkrete, sepse sipas fjalëve të tij, nuk mund të pritni që gjykatësi të sjell një vendim nëse nuk kemi ankesë.
“Me të gjithë që jam takuar, duke përfshirë edhe KKSH-në, i kam thënë se nëse keni problem me zbatimin e dygjuhësisë na shkruani ankesë dhe na dërgoni, bashkëpunëtorët e mi janë të gatshëm që të shqyrtojnë arsyet juridike dhe në mënyrë efikase të veprojnë. Nëse nuk ka gatishmëri që fëmijët e posalindur të regjistrohen në maternitet në gjuhë dhe shkrim amtar mbrojtësi i qytetarëve nuk mund të veprojë nëse nuk ka ankesë lidhur me këtë”, tha Jankoviq.
Me rastin e vizitës së mbrojtësit të qytetarëve në Bujanoc e Preshevë, me të ishte edhe zëvendësi i tij Robert Sepi, i cili në takimin me kryetarin e KKSH-së, Jonuz Musliun dhe kryeshefin e Administratës komunale në Bujanoc, Nasim Rexhepin, kanë diskutuar, përveç tjerash, edhe për përdorimin e gjuhës shqipe në komunën e Bujanocit.
Ata kanë vlerësuar se nuk ka përkthyes të mjaftueshëm për gjuhën shqipe, e që gjithashtu gjuha e pakicave nuk është e aplikuar as në regjistrat e librave amëz.
Lidhur me zbatimin e dygjuhësisë apo përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në komunën e Preshevës biseduam më zëvendës kryeshefin e administratën komunale, Behlul Selimin, i cili tha se dygjuhësia në këtë administratë lokale përdoret përafërsisht rreth 70 për qind.
“Probleme kemi tek shtesat fëmijërore dhe shërbimi tatimor lokal, sepse vendimet këtu sillen nga ministritë në Beograd. Tek shtesat fëmijërore ministria e punës na dërgon modelin e aktvendimeve ndërsa tek shërbimi tatimor ministria e financave”, thotë Selimi.
Sipar tij, tek shërbimi tatimor është kërkuar që të bëhet një model i aktvendimeve në gjuhën shqipe. “Në fillim na kërkuan një shumë të konsiderueshme të hollave e më vonë e kanë refuzuar në tërësi kërkesën tonë”, shton Selimi.
Në këtë komunë në administratë lokale është i punësuar vetëm një përkthyes, i cili përkthen edhe materialet e kuvendit komunal.
Në Preshevë seancat e kuvendit zhvillohen vetëm në gjuhën shqipe, pasi në përbërjen aktuale të kuvendit nuk ka asnjë këshilltar serbe, ndërsa në Bujanoc mbledhjet e kuvendit zhvillohen me përkthim simultant, përkthyesi përkthen shqip kur flasin këshilltarët serb, dhe përkthen serbisht kur flasin këshilltarët shqiptar.
“Sa i përket kuvendit komunal të Preshevës të gjithë dokumentet që i publikojmë janë në dy gjuhë. Çdo dokument i publikuar ka paralel të dyja gjuhët, kurse materiali dhe seancat janë vetëm në gjuhën shqipe, pasi kuvendi aktualisht nuk ka këshilltarë serbë”, thotë kryetari i asamblesë komunale të Preshevës, Ramiz Latifi.
Shkodran Ismaili, jurist nga organizata joqeveritare Qendra për Avokim dhe Zhvillim të Demokracisë, me seli në Preshevë, thotë se dugjyhësia në radhë të parë duhet të ketë një traditë në këto komuna.
“Konsiderojmë se dygjuhësia në Luginën e Preshevës zbatohet aspak apo shumë pak, sidomos në organet republikane ku gjuha shqipe nuk përdoret fare. Nganjëherë gjuha shqipe nuk përdoret për shkak të ngutjes së procedurave administrative dhe problemeve tjera”, thotë Ismaili.
Edhe në komunën e Medvegjës, ku gjuha shqipe është gjuhë zyrtare, është gjendja e njëjtë. Në përjashtim të komunës dhe administratës lokale, nëpër institucionet tjera ku edhe komuna është themeluese, siç janë ndërmarrjet publike nuk aplikohet edhe aq gjuha shqipe.
“Me këto pengesa jemi ballafaqur dhe do të ballafaqohemi edhe në të ardhmen derisa të vijmë tek situata kur gjuha shqipe të përdoret në tërë territorin e komunës së Medvegjës, ashtu siç është e parapare me statut”, thotë kryetari i Partisë për Veprim Demokratik në Medvegjë, Fehmi Beha.
Kryetari i Unionit Demokratik në Medvegjë, Rexhep Abazi, thotë se juridikisht kjo çështje është mirë e rregulluar, por në praktikë kjo nuk realizohet.
“Nuk realizohet për arsye se komuna si organ kompetent nuk dëshiron të bëjë këtë, prandaj njerëzit pjesën më të madhe të kërkesave e bëjnë në gjuhën serbe. Kjo ka mbetur edhe si trashëgimi nga koha e rëndë kur nuk kanë guxuar as ta përmendin gjuhën shqipe duke menduar se do të kenë pasoja, e që edhe nuk kanë kaluar pa pasoja. Dokumentet këtu janë vetëm në gjuhën serbe, evidenca mbahet vetëm në gjuhën serbe, e në gjuhën shqipe vetëm në raste të kërkesave individuale”, thotë Abazi.
Duhet theksuar se përveç problemeve të cekura mësipër, në planin strategjik të KKSH-së janë identifikuar edhe probleme tjera në këtë fushë, siç janë problemi i certifikatave në dy gjuhë, mungesa e formularëve në dy gjuhë që përdoren në procedurat administrative e gjuhësore, si dhe probleme tjera të kësaj natyre. /Titulli.com/