Gjuha shqipe (nuk) zbatohet në Luginë!
Përdorimi zyrtar i gjuhës dhe alfabetit shqip për pakicën shqiptare në Serbi, në komunat Bujanoc dhe Preshevë është rregulluar me Statut komune, para rreth 12 viteve. Zbatimi i gjuhës dhe shkrimit shqip në këtë rajon, gjatë kësaj periudhe ka hasur në ngecje nga faktorë të ndryshëm.
Edhe pse këto dy komuna janë me shumicë shqiptare dhe udhëheqësi nga kjo bashkësi etnik, kanë shumë pak përkthyes profesional të angazhuar e asnjë lektor gjuhësor.
Portali informativ Titulli ka kontaktuar zyrtarët komunal në Preshevë e Bujanoc si dhe në Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH), i cili në kompetencat e tij ka edhe përdorimin zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip.
Në pyetjen tonë se si është gjendja e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Kujtim Ismaili, jurist pranë KKSH-së thotë se përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe me shkrimin e saj në këto komuna fare pak aplikohet edhe atë kryesisht në punën e Kuvendeve Komunale.
“Administratat lokale komunikimin zyrtar me qytetarët shqiptar zakonisht e bëjnë në gjuhën serbe, me përjashtim të disa nëpunësve të caktuar të cilët e aplikojnë gjuhën shqipe gjatë punës së tyre. Por, kjo nuk është zgjidhje. Përtej vullnetit të tyre personal komunat tashmë është dashur të themelojnë departamentet për përkthim që do të ishte një mekanizëm efikas institucional për t’u zhvilluar kumunikimi zyrtar në gjuhën shqipe”, thekson Ismaili.
Nga ana tjetër Nasip Rexhepi, kryeshef i administratës komunalë në Bujanoc, thotë se zbatimi i gjuhës shqipe dhe përdorimi në administratë është duke u zbatuar në pjesën më të madhe.
“Sa i përket zbatimit të gjuhës shqipe në adiminstratën komunale, mund të them se është duke u zbatuar në pjesën më të madhe. Çdo akt që merr administrata komunale në rastet më të mëdha janë në gjuhën serbe dhe në gjuhën shqipe. Po këtë të drejtë e kanë njëherit edhe të gjithë qytetarët, respektivisht organet e komunës sonë që çdo kërkesë mund ta bëjnë në gjuhën serbe apo në gjuhën shqipe. Sa i përket administratës komunale lirisht mund të them se nuk kemi ndonjë drejtorat apo ndonjë shërbim i cili nuk e respekton dygjuhësinë sepse kjo është e drejtë e garantuar me Statut të komunës sonë”, përfundon Rexhepi.
Edhe kryeshefi i administratës komunale në Preshevë, Muhamed Abdullahu, thotë për portalin informativ Titulli se dygjuhësia zbatohet në të gjithë sektorët.
Sipas tij, në bazë të kërkesës së palës edhe përgjigje i kthehet, pasi kjo është e paraparë sipas ligjit mbi pakicat.
Megjithatë kryeshefi i drejtoratit për veprimtari shoqërore pranë kësaj komunë Fadil Azizi pranon se ka probleme në shërbimin e përkujdesjes së fëmijëve tek shtesat fëmijërore, pasi siç shprehet ai formularët përpunohen nga ana e ministrisë.
Ai thotë se bashku me homologun e tij nga komuna e Bujanocit, Bajram Fejzullahun, kanë kërkuar nga ministria përkatëse që formularët të përkthehen edhe në gjuhën shqipe, por kanë marrë përgjigje negative.
Ismaili nga KKSH thotë se gjendje jo të mirë ka dhe në ndërmarrjet publike në komunat e Bujanocit, Preshevës e Medvegjës si dhe në qendrat mjekësore në këto komuna, e mos të flasim për raportet mjekësore ku as mbishkrimet nuk janë në gjuhën shqipe.
“Gjithashtu, shërbimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme ofrohen vetëm në gjuhën serbe, po njëjtë edhe në gjykatë, entet republikane dhe shërbimet tjera, përfshirë kadastrin, shërbimin tatimor, postën, entin për punësim, qendrën për sigurime shëndetësore e pensional etj. Në nivelin qendror, ku nxirren aktet më të rëndësishme, mungon publikimi i tyre i rregullt në gjuhën shqipe nga ana e organeve kompetente republikane, ndërsa realisht pa përkthim zyrtar të ligjeve është vështirë të aplikohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe dhe shkrimit të saj”.
Mirëpo cila është ndihma e Këshillit Kombëtar Shqiptar për zgjidhjen e kësaj çështje dhe si mund te zbatohet?
Ismaili potencon se Këshilli i propozon organit kompetent të vetëqeverisjes lokale shënimin e emrit të qytetit dhe vendbanimeve tjera në gjuhën shqipe me shkrimin e saj, si dhe i kërkon institucioneve kompetente të bëjnë mbikëqyrjen e përdorimit zyrtar të gjuhës në komunat e lartshënuara siç janë: Avokati popullit, Komisionerja për barazi dhe Ministria për administrate shtetërore. /Titulli.com/