Gjina Zeqiri e larguar nga drejtësia e Kosovës gjen strehim në Bujanoc
Serbia dhe Kosova janë bërë strehë për kriminelët dhe të arratisurit e njërit vend dhe tjetrit, duke u mundësuar të dyshuarve për vrasje, dilerëve për drogë dhe trafikim të organeve që t'i shmangen drejtësisë duke kaluar kufirin.Një mjeke tjetër e cila përfitoi nga shtigjet ligjore për t’iu shmangur autoriteteve të Kosovës është Gjina Zeqiri, një gjinekologe dhe themeluese e Global Hospital, një klinikë në Prishtinë e specializuar për trajtim me IVF.
Në nëntor të vitit 2014, klinika e saj ishte bastisur nga Policia e Kosovës e cila dyshonte në Zeqirin për një numër veprash, përfshirë lejimin e prindërve për ta zgjedhur gjininë e fëmijëve në këmbim të pagesës, blerjen e spermës dhe vezorëve nga njerëz të cenueshëm dhe punësimin e embrionologëve të pa licencuar, sipas një aktakuze të ngritur nga prokurorët në janar të vitit 2016 të cilën e ka siguruar BIRN.
Përkundër që ishte e kërkuar nga Policia e Kosovës, Gjina Zeqiri u arratis në Serbi, nga ku ajo kishte mundësinë të ofrojë shërbime të ngjashme përmes një uebsajti në gjuhët shqipe e serbe, edhe pse ajo mohon të ketë pasur ndonjë klient.
Në shkurt 2014, Zeqiri kishte regjistruar kompaninë e quajtur Global IVF në Bujanovc, një komunë afër kufirit me Kosovën popullata shumicë e të cilit janë shqiptarë, dhe një muaj më vonë ajo filloi të kërkojë zyrë me qira në këtë qytet. Zeqiri është me prejardhje nga kjo zonë.
Nexhat Behluli, pronar i objektit të marrë me qira nga Zeqiri, tha se ajo fillimisht kishte filluar të shesë pajisje mjekësore por në maj të atij viti, ajo e kishte transformuar zyrën në një klinikë për IVF.
“Unë e paralajmërova atë që nuk doja që aty ta bënte këtë [IVF], dhe në marrëveshjen tonë thamë që ajo do të shiste pajisje mjekësore dhe nuk do të ishte klinikë”, tha ai.
Pasi ajo kishte refuzuar ta ndryshojë kontratën, ai i vendosi një dry të ri derës. Zeqiri më pas, pasuksesshëm e kishte paditur Behlulin për t’i marrë paratë të cilat i kishte investuar.
Sipas dokumenteve të gjykatës, të siguruara nga BIRN, Zeqiri po bënte trajtim të IVF dhe aborte në këtë qendër me një licencë të marrë nga Ministria e Shëndetësisë e Serbisë, edhe pse ajo e mohon këtë.
Përkundër këtyre pengesave, në dhjetor, pasi u arratis nga Kosova, sajti globalivf.net ishte regjistruar dhe përmes tij ajo vazhdonte të ofronte shërbimet e infertilitetit në gjuhën shqipe dhe serbe nëpërmes “klinikave rajonale dhe ndërkombëtare” si dhe konsultimeve online.
Zeqiri, e cila insiston se është e pafajshme në akuzat për të cilat ngarkohet, tha për BIRN se planifikon të ofrojë shërbime IVF në një klinikë të re por se ende nuk e ka nisur biznesin. Ajo mohoi versionin e ngjarjeve të përshkruar nga pronari i objektit që e kishte marrë me qira.
Ajo tha se nuk mund të kthehet në Kosovë sepse bespon që nuk do ta ketë një gjykim korrekt.
“Doja ta rihapja klinikën por isha e bllokuar dhe po prisja të shihja çka po ndodh në Kosovë”, tha ajo. “Asnjë shtet nuk është i interesuar të më lejojë të punoj pasi që jam viktimë e një shteti jofunksional si Kosova”.
Gjykata Themelore në Prishtinë urdhëroi lëshimin e një fletë-arresti ndërkombëtar ndaj saj në qershor të vitit 2017, por Ministria e Drejtësisë e Kosovës nëse është lëshuar një ‘lajmërim i kuq’ i Interpol-it.
Institucionet e Kosovës dhe Serbisë refuzuan të komentojnë për këtë rast përderisa Zeqiri tha për BIRN se ajo vazhdon të udhëtojë e lirë./BIRN/