"Gjilani" kërkon sulmuesin Bujamin Xhemaili nga "Dinamo" e Vranjës
Sulmuesi i skuadrës serbe të Dinamos së Vranjës, shqiptari Bujamin Xhemaili, mund të bëhet lojtari i radhës që përforcon skuadrën e Gjilanit.K.F. Gjilani e cila stinorin vjeshtor e ka mbyll në pozitën e dytë në Ligën e Parë, tashmë është në vlugun e përpjekjeve për të përforcuar radhët për stinorin pranveror.
Pas rikthimit të Arbër Shalës nga Hajvalia, sulmuesi shqiptar i ekipit serb të Dinamos së Vranjës, Bujamin Xhemaili, nga Bilaçi i Komunës së Bujanocit, është cak i radhës i ekipit gjilanas.
Lajmin për gazetën "Sport Plus" e konfirmon tekniku i ekipit të Gjilanit, Musa Selimi.
“Tashmë jemi në fazën kur po punojmë intensivisht në kompletimin e skuadrës për pranverë. Jemi të interesuar që ta sjellim një sulmues nga skuadra e Dinamos së Vranjës, ekip ky që bën gara në Ligën regjionale të Nishit. Fjala është për Bujamin Xhemailin, një lojtar i talentuar, i cili është 22-vjeçar e nga i cili pritet shumë në të ardhmen. Ditët në vijim do të takohemi dhe pres ta definojmë çështjen e kalimit të tij te Gjilani”, deklaroi trajneri Selimi për "Sport Plus", transmeton Titulli.
Në vazhdim, trajneri gjilanas tha se shumë shpejt pritet finalizimi i marrëveshjeve edhe me disa lojtarë.
“Ditëve në vijim pritet të ketë risi në klubin tonë për sa i përket përforcimeve, pasi tashmë me disa lojtarë kemi arritur marrëveshje në parim. Mirëpo, po presim që këta futbollistë të marrin pëlqimin nga skuadrat e tyre. Po ashtu, po synojmë të vazhdojmë bashkëpunimin me të gjithë lojtarët kryesorë, të cilët janë pa kontrata”, përfundoi Musa Selimi. Objektivi kryesor i Gjilanit është rikthimi në Superligë. /Titulli.com/