Lokale
"Gjendjen e paligjshme nëpër shkolla po e shkakton komuna"
Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH) përmes një kumtese ka reaguar ndaj sulmeve ndaj këtij institucioni, sulme këto të cilat e etiketojnë këtë organ si shkaktarë të shkarkimeve të drejtorëve dhe gjendjes së krijuar nëpër institucionet arsimore në gjuhën shqipe në Luginë.
Në këtë kumtesë, të cilën të plot mund ta lexoni më poshtë, KKSH për tollovinë në shkolla e fajëson partinë në pushtet, e cila që nga marrja në drejtim të komunës ka filluar me shkarkimin e e organeve arsimore, që sipas KKSH janë bërë në mënyrë të paligjshme./Titulli.com/
**********************************************************************************************************************************************************
Ditët e fundit nga mediat e kontrolluara nga pushteti lokal i Bujanocit janë intensifikuar sulmet ndaj Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Pretekst i këtyre sulmeve po merret vendimi i fundit i Ministrisë së arsimit të Republikës së Serbisë e cila emërtoi këshillin e përkohshëm të Shkollës fillore “Muharrem Kadriu” në Tërnoc, si dhe caktimi i ushtruesit të detyrës së drejtorit në këtë shkollë.
Lidhur me këto sulme, për hir të së vërtetës, KKSH ndien obligim ndaj opinionit publik që të sqarohet rreth kësaj problematike e cila zanafillën e saj e ka rreth dy vite më parë.
Në të vërtet, pas marrjes së pushtetit lokal, Partia Demokratike e kryetarit aktual të komunës së Bujanocit, e cila në atë kohë ishte partia e vetme shqiptare në koalicion me partitë serbe në pushtet, pati marrë vendime të kundërligjshme në Kuvendin komunal të Bujanocit, duke shkarkuar anëtarë nëpër të gjitha shkollat shqipe, edhe pse për këtë gjë nuk kishte kurrfarë baze ligjore. Ndaj një veprimi të këtillë të pushtetit reagoi edhe partia e kryetarit të tashëm të KK të Bujanocit – LPD (në atë kohë ishte në opozitë), si dhe PVD dhe UDSH.
KKSH si institucion të cilit ligji i njeh kompetenca, ndër të tjera, edhe në fushën arsimit iu pat drejtuar gjykatës kompetente dhe ministrisë së arsimit me kërkesë që këto veprime të paligjshme të anulohen. Ndaj kërkesës legjitime dhe të drejtë të KKSH-së organet përkatëse iu përgjigjën pozitivisht me çka u dëshmua paligjshmëria e veprimeve të pushtetit lokal me ndërhyrjet brutale politike në shkollat shqipe – Ministria e arsimit i caktoi këshillat e përkohshme.
Por, në vend se këto vendime të organeve legjitime gjyqësore dhe administrative të shërbejnë si mësim për pushtetin lokal të Bujanocit, ndodhi e kundërta – ky pushtet filloi të zhytej edhe më shumë në veprime të paligjshme duke emëruar këshillat e shkollave edhe më tej plotësisht në mënyrë të parregullt dhe antiligjore dhe duke caktuar vikend – drejtorë!- diçka të paparë në praktikën e deritanishme në Luginë të Preshevës.
Kjo lojë dy vjeçare nuk ka të ndalur as deri më sot. Në këtë luftë të padrejtë, të dhimbshme dhe tragjike për shkollat shqipe, pushteti lokal i cili emëron këshilla të paligjshëm me votat e partive serbe me të cilat është në koalicion, ditët e fundit ka filluar të derdhë lot krokodili për gjoja mbrojtjen e shkollave shqipe – duke harruar se pikërisht ky pushtet e katandisi arsimin shqip si mos ma keq.
Rasti i fundit në shkollën e Tërnocit është rasti kur Ministria e arsimit duke parë këmbëngulësinë e paparë që vendimet e ministrisë të anashkalohen dhe të trajtohen sikur fare të mos ekzistonin vendosi që kësaj gjendje ti thotë stop.
Në rastin konkret pushteti lokal duke dashur që të arsyetojë sjelljen e tij po përdorë sulmin si armë për t’u mbrojtur sa më mirë. Në këtë drejtim po përdorë edhe metoda të ulëta duke manipuluar me nxënësit e kësaj shkolle, siç ishte rasti para disa ditësh duke i futur ata në protestë.
Sulmet ndaj KKSH-së janë shprehje e frustrimit të pushtetit lokal për dështimet e tija, çmimin e të cilit fatkeqësisht po e paguajnë ndër të tjera edhe shkollat shqipe.
Bujanoc: 16.04.2014 Shërbimi për informim i KKSH-së
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!