Gazetari i Luginës: Autonomia e madhe e politikanëve ka shkatërruar vlerat
Festa e 28 Nëntorit shqiptarët e Luginës i gjeti edhe këtë vit njëjtë, madje në disa fusha edhe më keq. Kjo datë, e cila u karakterizua me festime të ndryshme në gjithë trojet shqiptare, në Luginën nuk pati shumë atmosferë festive, sepse, shqiptarët e kësaj ane edhe sot nuk gëzojnë të drejtat elementare, madje edhe atë të përdorimit të simboleve kombëtare.Preshevën e Bujanocin, aq më shumë edhe Medvegjën, kjo datë i gjeti zbehtë e më zbehtë, pasi që mungesa e të drejtave elementare dhe e diskriminimit shtetëror që vjen nga Beogradi zyrtar po ia mohon të drejtat më elementare, e të cilat janë të garantuara nga konventa të shumta për të drejtat e njeriut, ku Serbia është nënshkruese e tyre.
Deputeti në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi shprehet se shqiptarët e Luginës janë shumë larg objektivave për realizimin e të drejtave kolektive.
“Ngjashëm si vitin e kaluar edhe në këtë festë të Flamurit, shqiptarët e Luginës së Preshevës mbeten larg realizimit të objektivave të veta për realizimin e të drejtave kolektive. Nuk ka asnjë lëvizje pozitive në krahasim me festën e shkuar, në aspektin e integrimit të shqiptarëve nëpër institucione, realizimit të të drejtave nga korpusi i atyre kolektive. E drejta në përdorim zyrtar të simbolit kombëtar, mohohet edhe më tej, që do të thotë se me këtë mohohet një ndër elementet e identitetit tonë kombëtarë.
Ndërsa, Baki Rexhepi, njohës i problemeve shqiptare në Luginë, mendon se shqiptaret e kësaj ane janë të diskriminuar nga pushteti qendror. “Mendoj se shqiptaret e Luginës së Preshevës vazhdojnë të jenë të diskriminuar edhe më tej nga Serbia. Aktualisht po shfrytëzohen metodat më të sofistikuara për një gjë të tillë”, thotë Baki Rexhepi.
Por, në të njëjtën kohë nuk i lë pa faj edhe udhëheqësit politikë lokalë të Luginës.
“Divergjencat mes grupeve, partive dhe përfaqësuesve institucionalë të shqiptarëve mbeten më të theksuara se kurrë më parë. Uroj në një vetëdijesim të atyre që thirren në politikëbërjen e shqiptarëve të këtushëm. Edhe pse, jam pesimist në aftësinë e kësaj klase politike për përmirësimin e gjendjes së shqiptareve në këtë krahinë etnike. Autonomia e madhe e politikanëve të këtushëm mund të them se jo vetëm ka shkatërruar vlerat e dikurshme, por ka arrit të kontribuojë në zbrazjen e këtyre viseve nga shqiptarët, të cilët edhe në periudha më të rënda kanë qenë të bashkuar dhe me xhelozi i kanë ruajtur vatrat shekullore”, thotë Rexhepi.
Po ashtu, Belgzim Kamberi kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut (KDNj), shprehet se ky vit është edhe më regresiv sa i përket të drejtave të shqiptarëve të Luginës.
“Ky vit simbolizon regresin edhe më të thellë të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Jo vetëm që nuk ka asnjë progres drejt përmirësimit të të drejtave të tyre krahasuar me vitin e kaluar, por për aq me keq, kemi përkeqësimin e tyre, si pasojë e diskriminimit shtetëror te Serbisë së Vuciqit dhe te paaftësisë së politikanëve vendor shqiptarë”, nënvizoi Belgzim Kamberi.
Kështu, pra, edhe kjo festë gjeti pakicën shqiptare brenda Serbisë me një regres më të madh, pa ndonjë ndryshim thelbësor dhe si rezultat shqiptarët e Luginës, nuk po munden që të drejtat elementare t’i jetësojnë. Dhe, në këtë mënyrë mbesin pakica më e diskriminuar në Ballkan e Evropë/ea-sk.com/