Futbollisti preshevar, Atdhe Nuhiu shpreson të debutojë me Kosovën
Sulmuesi shtatlartë i skuadrës angleze Sheffield Wednesday, Atdhe Nuhiu, shpreson të debutojë në muajin mars me fanellën e Përfaqësueses së Kosovës.Nuhiu ka thënë se për të mirën e tij dhe të Kosovës është që leja prej FIFA-s të vijë sa më shpejt. Ish-reprezentuesi i ekipit Shpresa të Austrisë është duke pritur lejen nga FIFA për të ndërruar përfaqësuesen.
“Kosova ka bërë një numër të madh të lojtarëve dhe nuk e di se si janë planet e trajnerit. Por shpresoj që së pari të vijë leja për mua në fillim të vitit të ardhshëm. Por se a ndodh apo nuk ndodh, këtë nuk mund ta them. Nuk varet më asgjë prej meje. Unë kam shprehur gatishmërinë t’i bashkohem Kosovës. Sa më shpejt që vjen leja, aq më mirë si për mua ashtu edhe për Kosovën. Pritja nuk është në favorin e askujt. Unë shpresoj të paraqitem në mars me Kosovën”, ka thënë Nuhiu për gazetën Koha Ditore.