Fluks infektimesh në Serbi, Vuçiç merr masa të tjera
Qeveria e Serbisë do të miratojë të premten masa të reja për Beogradin, në përpjekje për të penguar përhapjen e koronavirusit, paralajmëroi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Duke folur për Radio-Televizionin e Serbisë, ai tha se klubet e natës dhe kafenetë që nuk kanë kopshte do të mbyllen për dy javë, nga ora 23:00 deri në 06:00.
Vuçiq tha se të gjitha konviktet studentore në Beograd do të mbyllen po ashtu. njofton REL.
Ai theksoi se problemi më i madh me koronavirusin aktualisht është në Beograd, ku ndodhen “82.5 për qind e të infektuarve”.
Autoritetet në Serbi njoftuan të enjten se gjashtë pacientë kanë humbur jetën nga koronavirusi në 24 orët paraprake.
Të enjten u konfirmuan edhe 359 raste të reja me koronavirus.
Që nga shpërthimi i pandemisë në mes të marsit, Serbia ka konfirmuar mbi 15,000 raste.
Prej tyre, 287 kanë vdekur, ndërsa aktive janë 1,996.
Për shkak të rritjes së numrit të rasteve të reja në ditët e fundit, disa qytete të Serbisë, përfshirë: Novi Pazarin, Tutinin, Kragujevcin dhe Vranjën, kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme.