Fillojnë provimet për regjistrim në shkollat e mesme në Bujanoc
Në shkollat fillore të komunës së Bujanocit kanë filluar të mbahen provimet përfundimtare në lëndën e gjuhës shqipe për regjistrim në shkollën e mesme.
Drejtori i shkollës fillore “Naim Frashëri” në Bujanoc, Vesel Sejdiu tha për Titulli.com provimi në ditën e parë ka ecur mirë dhe testit u janë nënshtruar 49 nxënës.
Lirika Asani e përzgjedhur si nxënësja e gjeneratës të kësaj shkolle rreth provimit të gjuhës shqipe tha se ishte një provim jo edhe aq i vështirë.
“Pyetjet kanë qenë nga materiali që edhe kemi mësuar dhe jemi përgatitur për provim dhe se shpresoj shumë ta kaloj provimin dhe të regjistrohem në degën e gjimnazit të përgjithshëm”, është shprehur nxënësja Asani.
Pas provimit të gjuhës shqipe të mbajtur sot, gjatë ditës së nesërme do të zhvillohet provimi në lëndën e matematikës, ndërsa më 16 qershor provimi në lëndën e kombinuar.
Rezultatet preliminare do të shpallen gjatë javës së ardhshme dhe do të dihet numri i saktë i atyre që do të regjistrohen ne shkollën e mesme./Titulli.com/