Festa në Bujanoc mund të përfundojë me të arrestuar?
Shënimi i fitores së kombëtares së Shqipërisë në sheshin e Bujanocit si duket do të përfundojë me arrestimin e disa prej pjesëmarrësve.Siç raportojnë mediat serbe, në tubimin spontan në mbrëmjen e së dielës, janë dëgjuar thirrje që nxisin urrejtje.
Duke u bazuar në burimet e mediave serbe, Titulli.com transmeton informacionin se tashmë kanë nisur hetimet për festën në Bujanoc, e zhvilluar në sheshin Karagjorgje Petroviq.
Sipas këtyre burimeve Zyra e Prokurorisë së Lart ka lëshuar urdhëresë për Policinë në Vranjë për ngritjen e akuzës penale ndaj disa personave të cilët të dielën në mbrëmje kanë marrë pjesë në festimin me rastin e kualifikimit të Shqipërisë në kampionatin Evropian të futbollit.
Ndër brohoritjet, që dyshohet se kanë nxitur nisjen e hetimeve të organeve të rendit, është ajo “Ubij, zakolji, da Srbin ne postoji” (Vrite, there, që serbi të mos ekzistojë), por edhe brohoritje tjera të masës, që sipas Prokurorisë përbëjnë shkelje, pasi nxisin urrejtje racore, kombëtare dhe fetare.
Situatën e krijuar mbrëmë e ka gjykuar deputeti popullar nga Bujanoci, Nenad Mitroviq. Ai i ka thënë për FoNet-it se ka kërkuar nga organet përgjegjëse ta verifikojnë se reagimi në fjalë i tifozëve ishte spontan apo i organizuar.
“Duhet të pyesim veten se a është ky mesazhi që i dërgohet serbëve në këtë bashkësi dhe bashkëjetesë në Bujanoc? Me këtë a po i dërgohet një mesazh serbëve, pasi ne kemi një stabilitet politik në jug të Serbisë?”, ka pyetur Mitroviq.
Duhet theksuar se fitoren e Shqipërisë ndaj Armenisë e kanë shënuar edhe shqiptarët në Preshevë. /Titulli.com/