Feniks shënoi ditën botërore të librit dhe nderoi Demush Berishën (video)
Në ambientin e Shtëpisë së Kulturës në Preshevë, Shoqata e Shkrimtarëve "Feniks" (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë), shënoi "23 Prillin-Ditën Botërore të Librit" dhe 20-të vjetorin e krijimtarisë letrare të poetit Demush Berisha dhe mbajtën orë letrare.Në këtë Manifestim morën pjesë krijues, dashamirë të artit dhe të letërsisë, përfaqësues të organizatave joqeveritare si dhe mysafir nga Kosova.
Bilall Maliqi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve "Feniks", foli për historikun e kësaj date me rëndësi për librin dhe për biografinë e poetit Demush Berisha.
Për krijimtarinë letrare të Demush Berishës elaboroi shkrimtari Jonuz Fetahaj, ndërsa tubimin e përshëndetën Rexhep Abazi, Xhemaledin Salihu, Xhemajl Berisha, Zeqirja Fazliu e Hysen Këqiku.
Për 20-të vjetorin e krijimtarisë letrare, Shoqata e Shkrimtarëve "Feniks" e nderoi me mirënjohje poetin Berisha, ndërsa shkrimtari Jonuz Fetahaj ia dhuroi kompletin e librave të tij.
Gjatë manifestimit u mbajt edhe një orë letrare në të cilën lexuan Jonuz Fetahaj, Hysen Këqiku, Luan Maloku, Avni Shaqiri, Rexhep Abazi, Xhahit Ramadani, Ramize Halimi dhe Herolinda Salihu./BM-Titulli.com/