Escobar e Lajcak pritet që modelin e ‘Belgjikës Lindore’ t’ia propozojnë Kosovës për komunat me shumicë serbe
Përfaqësuesi i Qeverisë Amerikane për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pritet të qëndrojnë në Kosovë nga 31 janari deri më 2 shkurt. Deri më tani është bërë e ditur se dy emisarët do të zbarkojnë në Kosovë me modele të reja për Asociacionin e Komunave Serbe (AKS).
Demokracia.com ekskluzivisht ka mësuar se një prej modeleve që pritet t’i prezantohet lidershipit kosovar është i ngjashëm me atë të komunitetit gjermanofolës në Belgjikë, i ashtuquajturi model i “Belgjikës Lindore”.
BE-ja dhe SHBA-ja duket se janë të vendosura që çështjen Asociacionit të Komunave Serbe ta zgjidhin brenda këtij viti.
Dy emisarët ndërkombëtarë, Gabriel Escobar dhe Mirsolav Lajçak, do të vijnë në Kosovë më 31 janar, ku pritet të takohen me liderët e vendit, duke përfshirë këtu edhe kryeministrin Albin Kurti. Këtij të fundit, pritet që t’ia paraqesin edhe disa modele të mundshme për Asociacionin e Komunave Serbe.
Demokracia.com ka mësuar ekskluzivisht se një prej modeleve para të cilës do të gjendet Kurti është i ngjashëm me atë të komunitetit gjermanofolës në Belgjikë, që si rajon njihet edhe si “Belgjika Lindore”.
Model i ngjashëm me atë që do t’i prezantohet së shpejti Kosovës është ky i komunitetit gjermanofolës (DG = Deutschsprachige Gemeinschaft), si një nga entitetet e federuara të Belgjikës. Gjuha gjermane përdoret në shërbimin civil, në shkolla dhe në gjykata. DG shtrihet në pjesën lindore të Belgjikës, duke mbuluar një sipërfaqe prej 854 kilometra katrorë përgjatë kufijve të vendit me Gjermaninë, Holandën dhe Luksemburgun.
Rreth 77,000 njerëz jetojnë në nëntë komunat e DG-së, në kryqëzimin e dy kulturave, gjermane dhe latine.
Ky model kompetencat politike në masë të madhe i zhvendosë në sektorë të tjerë, siç janë sistemi arsimor, sistemi i drejtësisë, siguria, etj. Megjithatë, modeli belg ka edhe kompetenca politike, ku krejt së bashku i bëjnë të domosdoshme edhe ndryshimet kushtetuese, pasi që si rajon ka fuqi legjislative dhe e ruan një autonomi të gjerë me një parlament, një qeveri dhe një shërbim civil.
Drejtoria e Përgjithshme atje është përgjegjëse kryesisht për çështjet kulturore, arsimin, formimin profesional, punësimin, familjen dhe mirëqenien sociale, si dhe mbikëqyrë autoritetet lokale.
Po ashtu, Kushtetuta e Belgjikës perfshinë krijimin e zonave gjuhësore, te cilat kanë kompetenca në shumë fusha.
Neni 4 i Kushtetutës së Belgjikës thotë: “Belgjika përbëhet nga katër zona gjuhësore: zona e gjuhës gjermane, zona e gjuhës frënge, zona e gjuhës holandeze dhe zona dygjuhëshe Bruksel – Kryeqytet”.
Sa i përket Asociacionit të Komunave Serbe, ashtu siç është prezantuar deri më tani në Kosovë, çështja kryesore në lidhje me themelimin e tij është ajo e kompetencave.
Në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se këto parime për asociacionin nuk ishin plotësisht në harmoni me frymën e Kushtetutës të përmendur në nenin 3, për “barazinë para ligjit” dhe kapitujt “të drejtat dhe liritë themelore”, si dhe “të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre”.
Me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese ishte përcaktuar se Asociacioni i Komunave Serbe duhej të themelohej ashtu siç e parasheh Marrëveshja e Parë e Brukselit, e ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës.
Vlen të përmendet se Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Albin Kurti është shprehur vazhdimisht kundër krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe, të cilin gjithmonë e quanin Zajednicë.
Vetë kryeministri Kurti disa herë është shprehur se nuk do ta zbatojë këtë kërkesë të BE-së, i cili nga blloku evropian vazhdimisht ka marrë reagime se një gjë e tillë duhet të ndodhë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në mënyrë që të shkohet drejt një marrëveshje finale, që përfundon me njohje reciproke mes dy vendeve.