Erdogani thotë se Turqia dhe Serbia do ta zhvillojnë bashkërisht industrinë e mbrojtjes
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë të premten se Turqia dhe Serbia kanë vendosur të punojnë së bashku për t’i zhvilluar industritë e veta të mbrojtjes.
Gjatë vizitës së tij në Beograd, lideri turk njoftoi gjithashtu se pjesë e bashkëpunimit të tyre do të jenë edhe dronët turq që do t’i dhurohen Serbisë.
“Turqia dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapa së bashku, por këta hapa janë formimi i përbashkët i një industrie të mbrojtjes, për të garantuar paqe”, tha Erdogan në një konferencë të përbashkët me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.
Kërkesat ndërkombëtare për dronët turq, kryesisht dronë TB2 Bayraktar, janë rritur shumë pas ndikimit të tyre në konfliktet në Siri, Libi, Azerbajxhan dhe Ukrainë. Kompania turke Baykar thënë se ka nënshkruar marrëveshje eksportimi me 30 vende, përfshirë, Arabinë Saudite, Ukrainën, Etiopinë, Kosovën dhe Poloninë.
Erdogani tha se Ankaraja dhe Beogradi do t’i përdorin resurset e tyre “si dy vende mike” për ta rritur bashkëpunimin, duke paralajmëruar se asnjë vend nuk duhet të përpiqet të ndërhyjë, edhe nëse nuk i pëlqen kjo.
Erdogani i premtoi një numër të paspecifikuar dronësh edhe Shqipërisë, gjatë vizitës së tij në Tiranë një ditë më parë.
Më herët, Erdogani tha se marrëdhëniet në mes të Turqisë dhe Serbisë janë në “kohë të artë”.
Vuçiq ka thënë se dy liderët kanë diskutuar për tema të rëndësishme gjeopolitike, si dhe për problemet me të cilat përballen dy vendet.
“Turqia dhe Serbia kanë marrëdhënie të mia ekonomike. Ne kemi trefishuar këmbimin tregtar, në krahasim me pak vjet më parë”, ka thënë Vuçiq.
Presidenti serb ka thënë se është arritur pajtueshmëri për t’i përmirësuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe atë ushtarake.
Erdogan është takuar me Vuçiqin në Beograd, në kuadër të vizitës së tij dyditore në Serbi.
Në ditën e mbërritjes së presidentit turk në Serbi, më 10 tetor, Qeveria e Serbisë i ka miratuar disa memorandume mirëkuptimi në mes të Serbisë dhe Turqisë, në fusha si punësimi, siguria sociale, ekonomia, industria dhe teknologjia, media dhe informacioni, rinia dhe sporti, dhe si menaxhimi i emergjencave.
Kjo është vizita e katërt e presidentit turk në Serbi, prej vitit 2017.
Në vizitën paraprake të Erdoganit në Beograd, në shtator të vitit 2022, Serbia ka thënë se dëshiron të blejë dronët Bayraktar, por blerja e tyre nuk është realizuar kurrë.
Atëbotë ishte arritur një protokoll që u ka mundësuar shtetasve të Serbisë dhe Turqisë që të udhëtojnë në dy vendet vetëm me letërnjoftime.
Turqia është e katërta në listën e shteteve prej ku ka importuar më së shumti Serbia më 2023.
Kompanitë turke janë prezente në Serbi në tekstil, ndërtimtari, industri mekanike, banka dhe turizëm.
Dy vendet kanë marrëdhënie të mira, por nuk pajtohen në çështjen e Kosovës.
Ankaraja e njeh pavarësinë e këtij shteti, ndërsa Serbia jo.