Erdogan e përuron xhaminë në Tiranë dhe i premton dronë Shqipërisë (video)
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e ka përuruar një xhami të financuar nga Turqia në Tiranë gjatë një vizite më 10 tetor në Shqipëri për rritjen e bashkëpunimit me aleatin e vet në NATO.
Lideri turk Erdogan gjithashtu i premtoi Shqipërisë një numër të paspecifikuar dronësh kamikazë për ta ndihmuar rritjen e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Erdogan u takua fillimisht me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, në kryeqytetin shqiptar, dhe pastaj me kryeministrin Edi Rama. Pas takimeve të zyrtarëve të lartë të të dy vendeve, palët nënshkruan tri marrëveshje në fushën e arsimit dhe atë bujqësisë.
Erdogani tha se synon që vëllimin tregtar vjetor me Shqipërinë ta rrisë në 2 miliardë dollarë.
“I shohim nismat në fushën e tregtisë dhe investimeve si hapa që do ta rrisin mirëqenien e popujve. Ramë dakord të diversifikojmë investimet e ndërsjella duke përfshirë sektorë novatorë”, tha Erdogan në një konferencë të përbashkët me Ramën.
Turqia është ndër investitorët më të mëdhenj në Shqipëri me rreth 3.7 miliardë euro, ndërsa më shumë se 15 mijë shqiptarë janë të punësuar nga 830 kompanitë turke që operojnë në Shqipëri.
Rama deklaroi se u pajtua me Erdoganin për më shumë investime të drejtëpërdrejta nga ana turke në sektorin e turizmit në Shqipëri.
"Sot firmosëm disa marrëveshje. Më e mirëpritura është firmosja e marrëveshjes për Universitetin Teknik të Stambollit në Tiranë. Jemi shumë të interesesuar dhe shumë të përmbushur sot në fuqizimin e ushtrisë së Shqipërisë dhe fuqizimin e kësaj marrëdhënieje në aspektin ushtarak", tha Rama.
Prej ardhjes në pushtet të partisë Socialiste, kryeministri Rama e ka cilësuar Turqinë partner strategjik dhe ka deklaruar se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve do të arrijë në nivele të panjohura më parë.
Xhamia e Namazgjasë
Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Erdogani mori pjesë edhe në përurimin e xhamisë së Namazgjasë, e cila është ndër më të mëdhat në Ballkan.
Në lidhje me përurimin e saj, Erdogan se xhamia "është dhuratë e popullit turk për vëllezërit dhe motrat shqiptare".
“Ajo është xhamia më e madhe në Ballkan dhe do të jetë vendi ku do të lulëzojë ndenja e paqes dhe solidaritetit”, tha Erdogan.
Në këtë ceremoni të rëndësishme për besimtarët myslimanë, nuk do të marrë pjesë kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu, dhe as drejtues të tjerë. Komuniteti do të përfaqësohet nga myftiu i Tiranës, Gazmend Teqja, i cili do të jetë edhe drejtues i xhamisë së Namazgjasë.
Në shtator të këtij viti u bë publike në media një letër e KMSH-së, ku theksohej se ky institucion jep pajtimin që Xhamia e Namazgjasë të administrohet nëpërmjet një fondacioni, i cili do të jetë “autoriteti i vetëm në këtë aspekt” dhe do të ketë si qëllim të veçantë të tij “marrjen përsipër të menaxhimit, administrimit, funksionimit dhe përdorimit pa afat të xhamisë, si dhe të kompleksit përreth saj”.
Ndërtimi i xhamisë nisi në vitin 2015 dhe themeli u vendos nga Erdogan, i cili pati thënë aso kohë se organizata FETO ka strukturat e saj edhe në Shqipëri, dhe se u kishte kërkuar krerëve të institucioneve “eliminimin” e tyre.
Të enjten, ai tha se me Ramën diskutoi edhe çështjen e luftës së përbashkët kundër organizatave terroriste “veçanërisht kundër FETO-s”.
“Shpresojmë që ta vazhdojmë luftën tonë kundër organizatave terroriste në mënyrë efektive përmes vendimeve që ne kemi marrë sot”, tha Erdogan.
Xhamia e Namazgjasë ka një sipërfaqe prej 10.000 metrash katrorë dhe ka kapacitet për 5.000 besimtarë.
Pjesë e saj janë edhe bibliotekat, qendra kulturore, parkingu, kursi i librit të shenjtë, Kuranit, salla e ekspozitave, mensa, salla e konferencave etj./REL/