Dukagjin Gorani propozon hapjen e Zyrës për Luginën në Qeverinë e Kosovës
Deputeti Dukagjin Gorani nga radhët e PSD-së, ka dhënë një propozim lidhur me çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për këtë, Gorani tha se ka nevojë për themelimin e një Zyre për Luginën e Preshevës.
“Kosova dhe ky kuvend nuk mund të bëjnë shumë për qytetarët shqiptarë në Republikën e Serbisë, por nuk do të thotë të mos bëjnë asgjë”.
“Duhet se paku të hapet një Zyrë për Luginën e Preshevës në Qeverinë e Kosovës. Kjo do të vendoste një adresë të përhershme për banorët e Luginës, për të nisur një bashkëpunim kuptimplotë”.
Gorani shtoi se krahas hapjes së zyrës duhet të hartohet një plan shtetëror për Luginën e Preshevës si dhe të ndërmerren masa për hapjen e një linje buxhetore financimi për shqiptarët e kësaj zone.