Drejtuesit e partisë republikane në Bujanoc e Preshevë takohen me përfaqësuesit e OSBE-në për këtë rajon
Në selinë e Degës së Partisë Republikane, në Bujanoc, u zhvillua një takim me shefin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) zyra në Bujanoc, Xhef Billi.Drejtuesit e degëve të Partisë Republikane për Bujanoc dhe Preshevë Avdyl Ramadani dhe Driton Ajeti, e njoftuan për rolin dhe misionin e kësaj partie në zgjidhjen e problemeve të pakicave kombëtare në Serbi, duke llogaritur edhe komunitetin shqiptar.
Gjithashtu, gjatë këtij takimi u diskutua për problemet me të cilat po ballafaqohen qytetarët shqiptarë rreth vazhdimit të dokumenteve të identifikimit, shlyerjes nga regjistrat e votimeve dhe të vendbanimeve, pastaj për krizën ekonomike, moszhvillimin ekonomik, si dhe probleme të tjera në fushën e arsimimit të lartë, nostrifikimin e diplomave dhe qarkullimin e lirë ndërkufitar.
Xhef Billi, u interesua për veprimtarinë e këtij subjekti të ri politik, rreth mbështetjes së qytetarëve dhe angazhimet që do t’i ketë ajo në zhvillimin dhe afirmimin e të drejtave të pakicave kombëtare në Serbi, thuhen në kumtesën e lëshuar nga Partia Republikane dega në Bujanoc.
Avdyl Ramadani nga Bujanoci dhe Driton Ajeti nga Presheva, shpalosën qëllimet programore të Partisë Republikane, prioritetet e saj dhe angazhimet për një jetë më të mirë të qytetarëve të kësaj komune dhe më gjerë, në këto hapësira, duke u nisur nga stabiliteti politik e ekonomik, avancimi i arsimimit të lartë, zbutja e papunësisë dhe integrimi i pakicave kombëtare në organet komunale dhe qendrore.
Drejtuesit e Partisë republikane për Luginë të Preshevës, falënderuan përfaqësuesin e OSBE-së, për këtë vizitë me karakter pune, duke e çmuar lartë misionin e saj, në rrugën e realizimit të ët drejtave të qytetarëve pa dallim etnie, kulturore e fetare, njofton shërbimi për informim i degës së Partisë Republikane për Bujanoc./Titulli.com/