Diplomat nga Kosova nuk po nostrifikohen, po shkelen mësimdhënësit në shkollat shqipe të Luginës
Shqiptarët e Luginës së Preshevës kërkojnë reciprocitet të marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.Marrëveshja për Diploma sipas përfaqësuesve të Luginës nuk po zbatohet.
Ndonëse, nga Qeveria e Kosovës konfirmojnë se procesi i aplikimit të njohjes së diplomave tashmë ka filluar, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë ka bërë të ditur se asnjë diplomë nga Kosova nuk është nostrifikuar.
Madje, sipas të dhënave të këtij këshilli të diplomuarit në Kosovë që punojnë në sektorin e arsimit, nuk paguhen me pagën që duhet të marrë një mësimdhënës, sipas thirrjes që posedojnë, por paguhen shumë më pak.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Jonuz Musliu ka thënë për “Zërin” se nuk po zbatohet Marrëveshja për Diplomat.
“Nuk është nostrifkuar ende ndonjë diplomë nga Kosova. Ndërsa diplomat e marra në Republikën e Shqipërisë në momentin që dorëzon kërkesën për nostfirikim brenda 60 por edhe deri në 90 ditë të japin një përgjigje. Kurse nga Republika e Kosovës, të gjithë të diplomuarit, që janë me qindra, duke përfshirë mjekë, inxhinierë, profesorë të fushave të ndryshme…nuk hyjnë në proces të njohjes”, ka thënë Musliu duke u shprehur skeptik nëse ndonjëherë do të zbatohet Marrëveshja për Diploma me Serbinë.
Musliu ka kërkuar kushtëzim të Serbisë.
Sipas tij, kuadrot e diplomuara në Luginë me diploma të Kosovës nuk i kanë të nostrifikuara. “Ka diploma që rrinë nëpër shtëpi e nuk mund t’i nostrifikojnë që të hyjnë në punë, kurse ata që punojnë në shkolla të mesme ose fillore paguhen jo si profesorë adekuat që kanë diplomën, por shumë më pak”./zeri/