Dimitrov, Rama dhe Vuçiç: "Ballkani i Hapur", mënyrë për të zhvilluar tregjet dhe ekonomitë (video)
Në takimin e radhës në kuadër të iniciativës "Ballkani i Hapur" sërish u bë ftesë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që t'i bashkohen kësaj nisme
Në takimin trepalësh të mbajtur në Beograd në kuadër të iniciativës "Ballkani i Hapur" u dakordua formimi i një këshilli zbatues i cili do të koordinojë atë që u ra dakord në kuadër të nismës, raporton Anadolu Agency (AA).
Në takimin në të cilin morën pjesë kryeministri shqiptar Edi Rama, presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, sërish u bë ftesë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që t'i bashkohen kësaj nisme.
Këshilli zbatues është formuar sepse është konstatuar se shumë gjëra që janë arritur në nivel politik, nuk janë zbatuar gjithmonë në terren.
Rama: "Ballkani i Hapur" është një nismë në shërbim të njerëzve dhe mirëqenies ekonomike
Në konferencën për mediat pas takimeve dhe diskutimeve të mbajtura në kuadër të kësaj nisme, kryeministri Rama tha se sot ndryshe nga takimet e tjera i gjithë fokusi ka qenë tek njerëzit, kompanitë, fermerët, distributorët, punëtorët, anemikët dhe studentët, që sipas tij, janë edhe përfituesit real të "Ballkanit të Hapur".
Kryeministri i Shqipërisë theksoi në fjalën e tij se "Ballkani i Hapur" është pa asnjë diskutim një nismë në shërbim të njerëzve, në shërbim të mirëqenies ekonomike dhe të mirëqenies shoqërore, sipas tij, për popujt që përtej problematikave meritojnë të jetojnë më mirë.
"Mua më vjen shumë mirë që jemi fokusuar aty ku është edhe thelbi i kësaj nisme. Thelbi i kësaj nisme është se si të zgjerojmë ekonomitë tona, si të zgjerojmë tregjet tona që mbeten tregje të vogla në vetvete, por që nëse integrohen me njëri-tjetrin atëherë kthehen në një treg të rëndësishëm jo vetëm për aktorët tanë të tregut, por edhe për investimet e huaja direkte në këtë zonë", u shpreh Rama.
Ai tha se që të përfitojnë më shumë investime të huaja direkte që sipas kryeministrit Rama sjellin shumë më tepër punësim cilësor, duhet të ofrojnë një hapësirë më të gjerë.
Duke folur për takimet në Beograd në kuadër të nismës, Rama tha se iu është dhënë mundësia të ballafaqohen direkt me sipërmarrësit, kompanitë dhe distributorët nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe me problemet e tyre reale, duke shtuar se "të gjithë njëzëri, në mbështetje të ‘Ballkanit të Hapur’ ata kërkuan që çka ne nënshkruajmë në nivelin politik dhe qeveritar të përkthehet në një realitet të prekshëm për ta në kufi, aty ku fillojnë problemet".
"Nga ana tjetër kemi rënë dakord për një qëndrim të përbashkët adresuar Bashkimit Evropian duke e kuptuar situatën fare mirë në BE me bllokimin absurd që i është bërë procesit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por njëkohësisht duke nënvizuar se ndërkohë ne nuk kemi asnjë lëkundje në rrugën për të ndërtuar vende me standardet e Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër kemi bindjen se Bashkimi Evropian ndërkohë që është i zhytur në dilemat e veta, mund të konsiderojë disa hapa të rëndësishëm për të ardhur më pranë rajonit", tha Rama.
Duke iu referuar edhe vendeve të tjera të rajonit që ende nuk janë pjesë e kësaj nisme, Rama tha se "'Ballkani i Hapur' nuk është për tre vendet, është për të gjashta dhe ndryshe nga Procesi i Berlinit nuk merret dot peng nga asnjë vend. ‘Ballkani i Hapur’ është i hapur, është gjithëpërfshirës dhe është i të gjithëve, nuk është vetëm i Shqipërisë, i Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Të tre vendet pa dallim janë të ftuara që të vijnë dhe të ulen dhe të punojnë bashkë me ne për njerëzit e tyre".
Dimitrov: Ballkan stabil dhe fitimtar, kur kufijtë të kenë më pak rëndësi
Nga Maqedonia e Veriut në takim mori pjesë zv/kryeministri Nikolla Dimitrov, pasi kryeministri Zoran Zaev paralajmëroi dorëheqjen e tij.
Në konferencën e përbashkët për media, Dimitrov u shpreh se bashkëpunimi rajonal është një zgjidhje e mençur dhe evropiane.
"Vizioni i vetëm i qëndrueshëm dhe afatgjatë për Ballkan stabil dhe fitimtar është kur kufijtë të kenë më pak rëndësi apo të mos kenë fare rëndësi", tha Dimitrov.
Ai gjithashtu u shpreh se nuk sheh rrezik që Maqedonia e Veriut të largohet nga nisma “Ballkani i Hapur”, edhe nëse në vend ka ndryshim të përbërjes qeveritare.
"Nuk shoh që mund të dalë ndonjë rrezik. Është e rëndësishme që Maqedonia e Veriut të mbetet pjesë e iniciativës për shkak të ekonomive të rajonit dhe të ardhmes evropiane. Në rast ndryshimi të qeverisë, ne jemi demokraci. Shpresojmë që vullneti i qytetarëve të jetë i tillë, kushdo që të vijë në pushtet, vendi do të ecë përpara, që nënkupton evropianizim dhe marrëdhënie të mira me fqinjët", tha Dimitrov.
Ai gjithashtu u shpreh se bashkëpunimi i shtuar rajonal do të ndihmojë në rritje më të shpejtë ekonomike, që është e rëndësishme në zvogëlimin e hendekut me vendet e Bashkimit Evropian (BE).
Duke theksuar se bashkëpunimi rajonal nuk është alternativë e integrimeve evropiane, Dimitrov u shpreh se për vendet e Ballkanit nuk do të ishte e kuptueshme që të mos ndërmarrin asgjë në kohën kur "po lëkundet ideja evropiane".
Vuçiç: Biznesmenët nga të tre vendet mbështesin projektin "Ballkani i Hapur"
Vuçiq në konferencën për media pas takimit tha se të gjithë biznesmenët nga të tre vendet e kanë mbështetur projektin “Ballkani i Hapur”, por se janë ankuar se disa gjëra në kufij nuk janë shndërruar në realitet.
Ai shtoi se biznesmenët kërkojnë vetëm rezultate dhe aktivitet më të shpejtë dhe se “nuk duhet të ndalemi vetëm në deklaratat politike”.
Ai tha se përbërja e këshillit zbatues do të miratohet së shpejti, ndërsa shtoi se është rënë dakord për tranzit të papenguar ndërmjet vendeve, në mënyrë që të mundësohet rritje më e shpejtë dhe ritëm më të lartë të zhvillimit, sepse të tre vendet mbeten prapa vendeve të zhvilluara.
Vuçiç shtoi se për herë të parë është biseduar për qarkullimin e lirë të shërbimeve, në të cilin kanë marrë pjesë edhe ekspertë nga Sarajeva dhe Prishtina, të cilët kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në transformimin digjital të të gjithë rajonit.
Presidenti serb bëri të ditur se mbledhja e radhës do të mbahet në Tiranë në fund të dhjetorit, në të cilën do të nënshkruhet një memorandum mirëkuptimi për çështjen e lejeve të punës, sepse siç theksoi si, vetëm kështu mund të mbahen punëtorët në rajon.
Kujtojmë se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia emërtuan nismën për bashkëpunim midis vendeve të Ballkanit Perëndimor nisma “Ballkani i Hapur”, ndërsa janë ftuar që pjesë e saj të bëhen edhe Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovina.