Der Standard: Ideja për korrigjim të kufijve varroset në Berlin më 29 prill
Sipas gazetës prestigjioze austriake, ‘Der Standard’, ideja për korrigjim të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të varroset në Berlin më 29 prill, në takimin që do të mbahet në mes të presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, kryeministres serbe Ana Brnabiq, presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, me ftesë të kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez, Emanuel Macron.
Këtë tashmë e pohon edhe një përkrahës i kësaj ideje, këshilltari politik, Ivan Krastev. Sipas tij, negociatat për diçka të tillë e kanë humbur sensin, dhe nuk do të ketë shkëmbim të territoreve.
“Përshtypja ime është që negociatat e kanë humbur momentumin. Në këtë frymë nuk do të ketë shkëmbim të territoreve”, ka thënë ai, shkruan Der Standard, transmeton Gazeta Express.
Ndërkohë edhe shumë diplomatë të tjerë thonë që qëllimi i këtij takimi në Berlin është për të “varrosur planin për shkëmbim të territoreve”.
Në anën tjetër, diplomati austriak, Albert Rohan, thotë se ka pritur që në shekullin 21 shqiptarët do të kapërcejnë të menduarit fisnor e mesjetar dhe të jetojnë në një shoqëri multietnike.
“Kjo me gjasë ka të bëjë me faktin se tashmë është një administratë e re Amerikës, që një ide e tillë është marrë në konsideratë. Nëse plani i Ahtisarit shkatërrohet nga një shkëmbim territoresh, atëherë të gjitha të drejtat e minoriteteve do të vihen në pikëpyetje”, ka thënë Rohan.
Edhe eurodeputeti gjerman, Manuel Sarazzin, nga partia e të gjelbërve thotë se kufijtë e Ballkanit Perëndimor janë të paprekshëm.
Sarazzin thotë se ajo që i ndodhi Karaxhiqit, mund t’i ndodhë secilit politikan që ka etje për territore e shtete etnikisht të pastra.
Ai ndër të tjera thotë se një ide e tillë është tallje me të gjitha viktimat e luftës dhe e rrezikshme për paqen në Evropë.