Deputetët në Medvegjë, takim me kryetarin e sulmuar Florim Sahiti
Dy deputetët shqiptarë nga Lugina e Preshevës sot po qëndrojnë në Medvegjë, pas sulmit fizik që u ushtrua të hënën ndaj kryetarit Florim Sahiti.
Riza Halimi dhe Shaip Kamberi, deputetë në Parlamentin e Serbisë, sot (e martë) po qëndrojnë në Medvegjë për t’u njohur për së afërmi me situatën e krijuar pas sulmit ndaj kryetarit shqiptar të kësaj komune.
Siç ka mësuar Titulli.com, delegacioni po takohet me kryetarin Florim Sahiti, ndërsa një takim do të ketë edhe me grupin e këshilltarëve të Partisë për Veprim Demokratik në Kuvendin Komunal të Medvegjës, të kryesuar nga Fehmi Beha.
Kujtojmë se ditën e hënë, gjatë mbledhjes në të cilën ishte paraparë rizgjedhja e strukturave udhëheqëse të Komunës së Medvegjës, një grup i qytetarëve serb kanë hyrë në ambientet ku po mbahej seanca dhe kanë sulmuar fizikisht kryetarin aktual të kësaj komune Florim Sahitin. /Titulli.com/
****************************************************************************************************************************
Një grup i serbëve sulmojnë fizikisht kryetarin shqiptar të Medvegjës
Kryetari i Komunës së Medvegjës, Florim Sahiti, gjatë seancës së Kuvedit Komunal është sulmuar nga një grup serbësh.
Sot, kur duhej të rizgjidheshin drejtuesit në strukturat udhëheqëse të Komunës së Medvegjës, kryetari i ri i komunës, zëvendëskryetari, kryetari i Kuvendit dhe anëtarët e Këshillit Komunal, ka ardh deri te një incident, kur një grup i qytetarëve serb kanë sulmuar fizikisht kryetarin e kësaj komune, Florim Sahitin.
“Një grup i serbëve nga rruga kanë hy dhe na kanë sulmu edhe fizikisht. Tash jam në polici duke e dhënë një deklaratë, ndërsa do të paraqitem edhe te mjeku për trajtim”, i ka thënë Sahiti përmes linjës telefonike portalit informativ Titulli.com.
Kryetari i Medvegjës ka arrit t’i identifikojë sulmuesit si simpatizantë të Partisë Përparimtare Serbe të kryeministrit Aleksandar Vuçiq. Gjatë sulmit, grupi i serbëve, Sahitin me bashkëpunëtor e kanë akuzuar për shitje të Medvegjës, Kosovës.
“Arsyeja e sulmit sipas sulmuesve ishte se gjëja se ne me bashkëpunëtorët po dojm me e shitë ose me ia falë Medvegjën Kosovës. Grupi që na sulmuan ishin simpatizantë të Partisë Përparimtare Serbe”, i tha Titullit, Florim Sahiti.
Gjatë kohës së prononcimit kryetari i Medvegjës ishte në stacionin policor ku po jepte deklaratën, ndërsa tha se ka kërkuar nga policia të ketë mbrojtje për veten, familjen si dhe të vendit të punës.
Mbledhja e sotme ku ishin paraparë të zgjidhen strukturat e reja udhëheqëse të kësaj komune, pas sulmit u ndërpre dhe si pasojë nuk u arrit zgjedhja e drejtuesve të rinj.
Vlen theksuar se Florim Sahiti mori drejtimin e Komunës së Medvegjës pas vdekjes së papritur të kryetarit Sllobodan Drashkoviq, më 23 nëntor. Deri në atë kohë, Sahiti ishte zëvendëskryetar, që pas vdekjes së Drashkoviqit me automatizëm mori drejtimin e Medvegjës, deri në rizgjedhjen e drejtuesve të rinj për udhëheqjen e kësaj komune.
Jonuz Musliu: Sulmi është ndaj të gjithë shqiptarëve
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSh) Jonuz Musliu, sulmin e së hënës ndaj kryetarit të Medvegjës Florim Sahiti, e ka vlerësuar si sulm ndaj të gjithë shqiptarëve.
“Edhe ata pak shqiptarë që kanë mbet në Komunë të Medvegjës dëshirojnë t’i shpërngulin. Kjo qartë po shihet se është dorë e zgjatur e Qeverisë së Serbisë”, ka deklaruar për portalin informativ Titulli.com, kryetari i KKSh-së, Jonuz Musliu.
Tentimet e tilla për të shpërngulur shqiptarët, sipas Musliut, do të detyrojnë bashkëkombësit për reagim më ndryshe se deri më tash.
Musliu thotë se ky sulm ndaj kryetarit të Medvegjës nuk ka ardh spontanisht, por ka qenë i organizuar mirë. /Titulli.com/