Deputetët e Luginës: Fondet e BE-së për bashkëpunim ndërkufitar, çështja e diplomave dhe tekstet shkollore ndihmojnë zhvillimin
Deputeti popullor, Riza Halimi në seancën e parë të sesionit vjetor në parlamentin e Serbisë ka potencuar vështirësitë e zhvillimit ekonomik të komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.Me këtë rast deputeti Halimi ka potencuar rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik me Maqedoninë për shkak të rëndësisë që ka Korridori 10, dhe traditës së zhvilluar të bashkëpunimit ekonomik me komunat fqinje në Maqedoni nga koha e ekzistencës së shtetit të përbashkët.
Halimi ka potencuar se zvogëlimi i bashkëpunimit ekonomik me këto komuna në Maqedoni, ka sjellë pasojat e drejtpërdrejta në ngushtimin e hapësirës për zhvillim dhe jetesë edhe të popullatës së komunave Preshevë e Bujanoc. Zvogëlimi i lirisë së qarkullimit, falimentimi i ndërmarrjeve shoqërore dhe ngushtimi i hapësirës për biznes, mungesa e vendkalimeve kufitare të vogla janë shkaktarët e gjendjes së rëndë ekonomike në rajon theksoi Halimi.
Me këtë rast, deputeti Halimi ka ripërsëritur pyetjen e vet se cila është arsyeja që Serbia nuk ka IPA Fonde të BE-së për bashkëpunim ndërkufitar me Maqedoninë.
Ai ka shprehur keqardhjen për mungesën e fondeve të këtilla dhe projekteve të bashkëpunimit ndërkufitar, përkundër faktit se në të kaluarën projekte të ngjashme të sponzoruara nga Këshilli Evropës kanë ekzistuar.
Mikroregjioni Gjilan – Kumanovë – Preshevë është shembull i mirë i këtyre projekteve ka potencuar Halimi, duke kërkuar angazhim më të madh të Qeverisë për zhvillim ekonomik të këtyre komunave, për të krijuar perspektivë për banorët e tyre.
Halimi poashtu ka potencuar se normalizimi i raporteve me Kosovën do të ndikojë në krijimin e atmosferës për biznes, në radhë të parë në Medvegjë, resursi kryesor i të cilës është Banja e Sijarinës.
Deputetet Riza Halimi dhe Shaip Kamberi gjithashtu kanë marrë pjesë në tryezën “ Dialogu i Brukselit dhe normalizimi i raporteve Kosove Serbi”, në Beograd për të cilin foli edhe Blerim Shala, koordinator i Kosovës për dialog dhe në mesin e shumë diplomatëve ishte i pranishëm edhe ambasadori shqiptar në Beograd Ilir Boçka.
Shala nënvizoi rëndësinë e madhe që ka dialogu për stabilitetin rajonal të Ballkanit Perëndimorë dhe njëkohësisht potencoi realitetin e pakthyeshëm në Kosovë me të cilin Serbia duhet të pajtohet.
Ne mesin e shume pyetjeve për Blerim Shalën, deputeti Halimi shtroi domosdoshmërinë e trajtimit emergjent dhe serioz të çështjes së nostrifikimit të diplomave të Kosovës, por edhe zgjidhjen e problemit të teksteve shkollore që kanë mbetur në terminalin doganor në Preshevë./Titulli.com/