Deklarata e Avni Arifit ngjallë reagime në Luginë të Preshevës
Deklarata e anëtarit të Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Avni Arifi, se nëse Boiken Abazi do të ishte nga Leskoci mbiemri i tij do të ishte Abazoviq dhe se nuk do të ekstradohej nga Kosova, ka mllefosur intelektualët e Luginës së Preshevës, duke e quajtur si deklaratë diskriminuese për shqiptarët e Luginës së Preshevës .Ferid Selimi nga Lugina e Preshevës, ka reaguar ashpër ndaj Avni Arifit, duke thënë se një mbiemër të tillë nuk e zgjedhin vetë shqiptarët, por është shteti i Serbisë ai që ia imponon këtë, transmeton zeri.info.
“Thua se shqiptari i Medvegjës e ka zgjedhur prapashtesën "viç". Tek e fundit mbiemri pa "viç" nuk e bën më shqiptar se që është. Keq! Shumë keq, që dëgjojmë deklarata të tilla diskriminuese”, ka shkruar Selimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”, përcjell zeri.info.
Reagimi i plotë i Selimit:
Kujdes kur krahasoni
Një zyrtar i AAK-së deklaron diçka, që një politikan i mirëfilltë nuk do ta bënte atë. Pavarësisht, mllefit. Pavarësisht pezmit të mbledhur, nuk merret krahasim i tillë. Edhe ne indinjohemi kur dëgjojmë për arrestime të aktivistëve të një subjekti politik, por me ato arrestime merret drejtësia.
Nuk merret krahasim i tillë, sepse krijon indinjatë në publik.
E pse, çfarë faji ka shqiptari, që jeton në Leskoc, përkatësisht në Medvegjë, ose që mund të ketë origjinën nga atje, e që mund të ketë ardhur, ose mund të ketë lindur në Prishtinë, e për fatin e tij të keq, pushteti i Serbisë ia ka imponuar, që mbiemrit të tij t'i shtohet një prapashtesë "viç" dhe nga mbiemri Abazi, në dokumentacione të figurojë mbiemri "Abazoviç".
Thua se shqiptari i Medvegjës e ka zgjedhur prapashtesën "viç".
Tek e fundit mbiemri pa "viç" nuk e bën më shqiptar se që është.
Keq!
Shumë keq, që dëgjojmë deklarata të tilla diskriminuese.