Debatet ne Kuvend, pro dhe kundër rebalancit buxhetit 2019
Në seancën e fundit të Kuvendit Komunal këshilltarët komunal nga opozita kërkuan heqjen nga rendi i ditës pikën e parë dhe të dytë e që ishin: Propozim vendimi mbi rishikimin e Buxhetit të komunës së Bujanocit për vitin 2019-të dhe Propozim vendimi mbi përcaktimin e projekteve të cilat financohen nga buxheti i Trupit Koordinues për vitin 2019.
Ndër të parët që kërkoi heqjen e pikave në rend të ditës ishte kryetari PD-së, Nagip Arifi ku më pas arsyetime kanë dhënë edhe këshilltarët të tjerë të opozitës. Ata kërkonin të hiqej për shkak sipas tyre është duke u bërë investime shumë pak për shqiptarët. Por nga ana tjetër pozita thërriti që të aprovohet kjo pikë sepse është investuar dhe do të investohet në komunitetin shqiptarë.
Kryetari i PD-së, Nagip Arifi tha se “ata të cilët e kanë lexuar shihet se zvogëlohet buxheti me 50 milion dinarë. Kërkohen 30 milion për rrugën Mohoc- Zarbincë, 10 milion për ujin në Tërnoc. 18 rrugë hiqen nga vendbanimet shqiptare. Gjithashtu hiqet një pozicion 20 milion nga bujqësia që pozita e ka reklamuar aq shumë”.
Muhamet Jashari, këshilltarë i PD-së tregoi se “pse nuk duhet përkrahur ky rend dite, sepse nga shuma e përgjithëshme për shqiptarët janë ndarë 20 milion dinarë. Projektet e përbashkëta janë ndarë 32 milion dhe komunitetin serb 57 milionë. Këtë e bënë Shaip Kamberi dhe hajnat e tij”, tha ai.
Ndërsa këshilltari i PVD-së, Ragmi Mustafa theksoi se rrugë do të vazhdohet të asfaltohen në gjithë komunën e Bujanocit, derisa të përfundoj infrastruktura në komunën tonë.
“Ajo që mund të them është ajo që nuk do të mbetet rrugë që nuk do të shtrohet në komunën e Bujanocit. Kjo është pikësynim i kësaj qeverisje që ta përfundoj infrastrukturën në Bujanoc. Duhet të aprovohen pikat” – tha Mustafa.
Këshilltarja e PD-së, Tejhane Latifi Hajredini tha se me rishikimin e buxhetit është paraparë zvoglimi prej miliona dinarëve por ajo thotë se nuk duhet zvogëluar në arsim.
“Nga ky rishikim buxheti planifikohet që për shkolla fillore te ketë zvoglim te shpenzimeve për 8.623.600 din, kurse në shkolla te mesme në shumën prej 894.500 din. Nëse llogarisim në total i bie që 9.518.100 din, do të zvogëlohen mjetet në fushën e arsimit. Duke e ditur që arsimi është baza e një shoqërie të shëndosh, dhe unë si Profesoresh dhe Këshilltare e PD-së nuk mund ta përkrah këtë rend dite, ku parashihet zvogëlimi i mjeteve për shkollat fillore dhe të mesme” – tha Latifi.
Kurse këshilltari i PVD-së, Ekrem Xhelili tha se projektet të cilat janë të parapara në Letovicë do të vazhdojnë ashtu siç janë paraparë. “Këto projekte do të realizohen ashtu siç janë të parapara në fshatin Letovic”, tha Xhelili.
Këshilltari i PD-së, Rahim Rahimi tha se “arsyeja se pse mos të votohen pikat, është se me të vërtet ky buxhet është diskriminues për shqiptarët e komunës së Bujanocit” – tha Rahimi. Ndërsa këshilltari nga fshati Breznicë, Nazmi Duraku deklaroi se pushteti aktual nuk ka bërë asnjë investim në fshatin e tij.
"Si është e mundur ka katër vite që kontrata e nënshkruar dhe akoma nuk janë mbaruar as 50 % e punve në rrugën Muhoc - Zarbincë. Breznica e poshtme qe sa është ky pushtet nuk ka ujë të pishëm. Anashkalimi i malësisë po mundëson shpërnguljen e popullatës së atjeshme:, tha Duraku.