Daçiq: Nëse dialogu Kosovë-Serbi vazhdon, i mundur edhe korigjimi i kufijve?
Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, thotë se për vazhdimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, është e nevojshme që kjo e fundit të heq masat që ka ndërmarrë dhe ka shtuar se këtë e kanë të qartë të gjithë.
“Ne po flasim për diçka për të cilën është e mundur të bisedohet nëse dialogu vazhdon, ndërsa që dialogu të vazhdojë, duhet të vjen deri te heqja e taksës. Dhe këtë e kanë të qartë të gjithë, nga SHBA-ja, e deri te BE-ja”, ka thënë Daçiq, duke u përgjigjur në pyetjen nëse korigjimi i kufijve është ende mbi tavolinë, transmeton Titulli.com.
Ai tha se dy prioritetet më të rëndësishme të Serbisë për vitin 2019 janë ruajtja e interesave në Kosovë dhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
“Nuk do të heqim dorë nga angazhimi ynë për dialog dhe për kompromis në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Serbia mbetet e përkushtuar ndaj parimeve të së drejtës ndërkombëtare” ka thënë Daçiq në një paraqitje para mediave.
“Ne jemi për marrëveshje me Prishtinën mirëpo ndaj çdo veprimi të tyre të njëanshëm ne do të reagojmë me forcë për të mbrojtur interesat tona” tha shefi i diplomacisë serbe.
Daçiq në ministrinë e punëve të jashtme, sot ka bërë një pritje vjetore për shefat e diplomacive dhe organizatave ndërkombëtare në Serbi si dhe kryeredaktorët e mediave./Titulli.com/