Çka nënkupton koncepti i ripërcaktimit të kufijve Kosovë-Serbi
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka folur për konceptin e ripërcaktimit të kufijve. Ai tha se ky koncept është i ndryshëm me atë të shkëmbimit të territoreve dhe ndryshimit të kufijve.
Ai, në Rubikon në Klan Kosova, ka deklaruar se ripërcaktimi i kufijve është një e drejtë që e mundëson bashkimin e popujve aty ku kanë vazhdimësi territoriale.
“Ne si Lëvizje për Bashkim e kemi një platformë politike që nga viti 2010 të cilën e kemi publikuar, e kemi shpërndarë dhe e kemi diskutuar shpeshherë edhe në Rubikon, edhe para se kjo temë të hapej nga Hashim Thaçi”.
“Kjo ka qenë e shkruar si platformë në vitin 2010, ndërsa ne si qëndrim e kemi nga viti 2007-2008. E kemi të elaboruar si koncept. Ne kemi qenë radikalë dhe nuk i kemi thënë asnjëherë ‘shkëmbim i territoreve’ dhe ndarje jo se jo. Ne e kemi konsideruar se këto janë terminologji të gabuara për këtë koncept”.
“Por, kështu në opinion dhezën dhe kështu e morën dhenë dhe është e vështirë që kjo të luftohet. Nganjëherë e gjej edhe veten duke i thënë ‘shkëmbim i territoreve’. Ne kemi qenë dhe vazhdojmë të besojmë në konceptin e ripërcaktimit të kufijve duke u bazuar në vullnetin e popujve shqiptar dhe serb. Aty ku ka shumicë shqiptare – në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc – dhe kanë vazhdimësi territoriale me Kosovën dhe aty ku janë shumicë serbe – në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – që kanë vazhdimësi territoriale me Serbinë”.
Sipas tij, dallimi mes konceptit të Lëvizjes për Bashkim të ripërcaktimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve është populli i cili nuk merret parasysh tek kjo e dyta.
“Shkëmbimi i territoreve mund të mos e marrë parasysh popullatën. Shkëmbimi i territoreve mund të jetë i rëndësishëm për arsye politike, strategjike, për arsye të pasurisë, ose të tjera dhe ti mund ta shkëmbesh pa e marrë parasysh popullin. Ndërsa, ne e kemi resurs njeriun. Pra, aty ku shqiptarët janë shumicë dhe kanë vazhdimësi territoriale të kenë të drejtë të bashkohen me Kosovën edhe kjo e njëjta të vlejë edhe për serbët. Kjo e rrëzon Kosovën Ahtisaariane, kundër së cilës kemi qenë gjithmonë, sepse ne jemi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”.
“Ne deri tek ky koncept kemi ardhur duke analizuar si mund ta ndryshojmë Kushtetutën e Kosovës. Kushtetuta e Kosovës për të gjithë ata që kanë folur me populizëm për bashkimin kombëtar duhet ta dinë se nuk mund të ndryshohet pa votën e serbëve”.
Valon Murati thekson se me zhvillimin e këtij koncepti mundësohet edhe ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës. Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje që e ka proklamuar bashkimin kombëtar ka bërë veprime populiste duke i mashtruar njerëzit.
“Ne e kemi një Kushtetutë që e ndalon bashkimin. Dhe ndryshimi i Kushtetutës nënkupton edhe 2/3-at e votave nga serbët. Pra, subjekte të caktuara kanë thënë se si t’i fitojmë zgjedhjet e qesim në referendum. Por, nuk mundesh me qit në referendum, sepse e ke të ndaluar me Kushtetutë”.
“Kemi ardhur në përfundim që për ta ndryshuar Kushtetutën neve na nevojitet marrëveshje e re me Serbinë. Përmes marrëveshjes e ndryshon Kushtetutën edhe bien bazat e Pakos së Ahtisaarit në këto pika. Ai që thotë se jam për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë duhet të tregojë se si? Në mënyrë populiste i kanë kërkuar votat edhe i kanë mashtruar njerëzit dhe asnjëherë nuk kanë treguar se si e bëjnë bashkimin”.
“Ata që janë për bashkim të Kosovës me Shqipërinë, qoftë në bashkim klasik, qoftë me federatë apo union, apo edhe ata që janë për Kosovën e pavarur dhe sovrane pa bashkim, nuk mund të bëhet pa e ndryshuar Kushtetutën. Nuk mund të kemi një Kushtetutë ku 5 përqind e popullsisë nuk lejojnë të ndryshosh Kushtetutën dhe nëse një presje është gabim. Është absurde”.
Numri një i Lëvizjes për Bashkim tha se ripërcaktimi i kufijve është zgjidhja më e mirë për Kosovën dhe Serbinë.