“Çka na tha Christopher Hill-i në Luginë”, flet kryetari në detyrë i Këshillit Kombëtar Shqiptar
Deklarata e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, për çështjen e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, se “dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka të bëjë me çështjen e shqiptarëve në Serbi, por vetëm zgjidhjen e problemeve mes Prishtinës dhe Beogradit”, nuk e ka shqetësuar kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi, pasi, që sipas tij, ai ka detyrë që ta largojë Serbinë nga ndikimi rus.
“Ambasadori Hill, sigurisht që përfaqëson interesat amerikane në Serbi dhe krahas kësaj e ka për detyrë që të shkëpus Serbinë nga ndikimi rus, dhe ta kthejë nga ndikimi euro-perëndimor. Pra, sigurisht deklaratat e tij janë në këtë linjë”, tha Mustafi në një prononcim për Albanian Post.
Tutje, ai deklaroi se “simetria – si mundësi për të krijuar hapësirë më të madhe për pakicat në Ballkan”, është një standard që “Serbia po insiston që ta vendos për serbët e Kosovës”, dhe që kjo do të afektojë edhe tek vendet e tjera, të cilat do ta përdorin standardin e njejtë në raport me Beogradin.
“Këto standarde nuk do të mbesin sui-generis; sepse edhe nëse e shohim marrëveshjen që lidhet për rrugën drejt Bashkimit Evropian – unë jam shumë i bindur që do të vijë një kohë shumë shpejt që krahas ecjes për Bashkimin Evropian; Hungaria, Bullgaria, Rumania dhe Kroacia – do të kërkojnë po të njëjtin standard të trajtimit të pakicave të tyre kombëtare në Serbi”.
Ndërkaq, ai potencoi se kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës janë të drejta dhe beson që do të krijohet një hapësirë për tu implementuar këto kërkesa.
“Kërkesa jonë është e drejtë, dhe sigurisht, unë jam shumë i bindur që nuk mund të evitohet nga rruga e krijimit të hapësirës më të madhe për pakicat në Serbi, në këtë rast edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës”.
Në marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë, fillimisht në Bruksel me 27 shkurt, dhe pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut me 18 mars, shqiptarët që jetojnë në Serbi nuk u përmenden fare dhe nuk përfituan asgjë, të drejtat e tyre vazhdojnë që të mohohen nga regjimi në Serbi.
Ndërsa, në kontekstin krahasimtar, serbët që jetojnë në Kosovë, përfituan të drejtën e vetëmenaxhimit dhe hartimin e një statuti për kishat ortodokse serbe (pika shtatë e marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë).
E, duke pasur parsaysh këtë fakt, Mustafi ka kërkesa për qeveritë shqiptare, si për atë të Kosovës, por edhe për atë të Shqipërisë; që çështjen e Luginës së Preshevës ta kenë prioritet të politikave të tyre, pasi që thotë se për momentin nuk është e tillë.
“Sigurisht që ne kërkojmë që çështja e Luginës së Preshevës të jetë prioritet mbi prioritetet, e kjo të jetë edhe te Qeveria e Kosovës dhe tek ajo e Shqipërisë. Por ne jemi të vetëdijshëm që kjo nuk është. Duke qenë kështu ne angazhohemi maksimalisht; në mënyrë që seriozisht ta trajtojmë çështjen e Luginës së Preshevës”.
Edhe pse shqiptarët në Luginë mbeten jashtë marrëveshjes së fundit në mes të Kosovës dhe Serbisë, Mustafi shpreson se kjo do të ndodhë në marrëveshjen finale mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Ne po shpresojmë që në marrëveshjen përfundimtare të jetë e përfshirë, pra në mënyrë taksative e përmendur, e shkruar. Konsiderojmë që kjo marrëveshje është një ndërmjetës, e cila do duhej që të krijoj hapësirë mirëbesimi në mes të qeverisë së Kosovës dhe Serbisë. E, krahas saj të fillojmë këtë krijojmë hapësira për më shumë barazi, e më shumë drejtësi për pakicat”, tha ai për AP.
Gjithashtu, Kryetari i Këshillit të Shqiptarëve në Serbi mendon se ajo çka serbëve iu ofrohet në Kosovë nuk duhet t’i mohohet edhe shqiptarëve në Serbi, dhe vlerëson se trajtimi i barabartë i komuniteteve do të krijonte paqe të qëndrueshme në të gjithë rajonin.
Ajo çka përfiton komuniteti serb në Kosovë, nuk ka arsye që t’i mohohet komunitetit shqiptar në Luginë, kjo për shkak se duhet të vendosen standarde unike, standarde që duhet të jenë të vlefshme në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Vetëm kështu mund të krijohet hapësirë për paqe të qëndrueshme – stabilitet – prosperitet, ndryshe në rast se një komunitet trajtohet me standarde të ndryshme, kjo nënkupton se kemi lënë hapësira për vatra krizash në të ardhmen.
Po ashtu, ai foli edhe për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Serbinë, i cili përmendi në dy faqe të tij keqtrajtimin e shtetit serb në raport me shqiptarët. Por, gjithashtu ai shprehet optimist se letra e dy kongresmenëve amerikanë Himes dhe Torres, drejtuar sekretarit të shtetit amerikan, Anthony Blinken, ku i kërkuan që të drejtat e shqiptarëve në Serbi të trajtohen reciporocikisht me ato të serbëve në Kosovë, do të ketë një ndikim pozitiv në funksion të avancimit të të drejtave të tyre.
“Siç e dini, me 21 mars është bërë publik raporti i departamentit amerikan të shtetit, i cili në mënyrë specifike flet për këto shkelje; ku përmendet edhe pasivizimi i adresave, e të gjitha çështjet e tjera”.
“Madje ata i kërkojnë që vetë sekretari Blinken të angazhohet personalisht për këtë punë, kjo është hapja për herë të parë, pra është hap një derë e madhe e ShBA-ve për Luginën, dhe ky është hapi më i madh që është bërë për Luginën”.